Qytete të njohura turistike në Europë po përballen me një valë të re protestash nga banorët vendas, të lodhur nga pasojat e turizmit masiv që ka pushtuar rrugët, banesat dhe përditshmërinë e tyre.
Në qytete si Barcelona, Venecia dhe Palma e Majorka, qytetarët kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër numrit të madh të turistëve që, sipas tyre, po e bëjnë të pamundur jetesën normale.
Në disa raste, protestuesit kanë përdorur edhe metoda të pazakonta si pistoleta uji për të lagur turistët në rrugë, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës që sipas tyre, po u shkatërron jetën.
Në qendër të shqetësimeve është ndikimi ekonomik dhe social që turizmi ka mbi qytetet. Në shumë zona, çmimet e qirasë janë rritur ndjeshëm për shkak të apartamenteve me qira afatshkurtër për turistët, duke detyruar banorët të largohen nga lagjet e tyre.
Disa qytete po marrin masa për të frenuar turizmin e pakontrolluar. Venecia tashmë ka nisur zbatimin e një tarife ditore për vizitorët që vijnë vetëm për një ditë një nga masat më të forta në Europë.
Gjithashtu janë vendosur kufizime për grupet turistike dhe ndalimi i përdorimit të megafonëve në zonat historike.
Edhe në Palma dhe qytete të tjera në Spanjë, protestat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ndërkohë që banorët kërkojnë më shumë kontroll dhe rregulla ndaj fluksit të turistëve.
Kjo valë pakënaqësie nuk ka të bëjë vetëm me numrin e turistëve, por me mënyrën si po transformohen qytetet. Turizmi sjell të ardhura, por gjithashtu po dëmton komunitetet lokale, duke zhdukur dyqanet tradicionale, duke e vështirësuar jetesën dhe duke e kthyer jetën e përditshme në një spektakël për vizitorët. m.p.