Shërbimi informativ gjerman sjell video-lojën: Bëhu spiun

Shërbimi informativ gjerman, BND dëshiron ta bëjë punën e spiunit më tërheqëse përmes një video-loje kompjuterike. Në panairin e lojërave Gamescom në Koln, BND-ja prezantoi video-lojën “Legjendat e BND-së – Operacioni Kutia e Zezë”.

Vizitorët e panairit mund ta provojnë video-lojën në stendën e BND-së. Video-loja ka të bëjë me një shtet fiktiv dhe keqdashës, Betulani, i cili ka zhvilluar një maluer. Një spiune niset për në Betulan për të siguruar informacione sekrete dhe për të parandaluar një katastrofë.

Me një tastierë video-loje, personazhi kryesor drejtohet përmes një kompleksi ushtarak armiqësor, duke shmangur dronët zbulues. Nevojitet përqendrim dhe një kujtesë e mirë – kodi i bravës në derë duhet mbajtur mend. Megjithatë, kush gabon, nuk ka pse të frikësohet se do të zbulohet – mund të provohet sa herë të dojë.

Në jetën reale, të kesh përpjekje të shumta dhe të padëmshme në territor armik, me siguri nuk është e mundur.

Spiunen e ndihmojnë një haker dhe një “geo-specialist”.

Qëllimi i video-lojës është që lojtarët të “fitojnë ndjesinë e punës në shërbimin informativ gjerman jashtë vendit”, thotë BND-ja.

Për momentin, video-loja “Legjendat e BND-së” nuk mund të luhet në shtëpi. Shërbimi planifikon ta publikojë “së shpejti” në një platformë lojërash. Si çdo punëdhënës tjetër, edhe BND-ja është në kërkim të profesionistëve, thotë zëdhënësja Julia Liner.

Sipas të dhënave të veta, BND ka rreth 6500 të punësuar – rreth 4000 në selinë e saj në Berlin, 1000 në Pulah dhe 1500 në vende të tjera në Gjermani dhe jashtë saj.

Shërbimi është në kërkim të specialistëve dhe kjo është urgjente.

“Është një mit që nuk mund të aplikosh vetë në BND, por që ata të rekrutojnë vetë”, theksoi Liner. /e.t