Pak ditë më parë, deputeti veteran i PD-së, Tritan Shehu, u shpreh që partia e tij kishte bërë çfarë kishte mundur, tani u takonte shqiptarëve të bënin pjesën e tyre për t’u përballur me regjimin.
E thënë kështu, duket si apel për t’u bërë thirrje qytetarëve të bëjnë pjesën e tyre, por një analizë e detajuar nxjerr në pah shfajësimin e këtyre politilanëve dhe hedhjen e përgjegjësisë te njerëzit, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse votuesit nuk kanë çfarë bëjnë dhe, mbi të gjitha, s’kanë pikën e dëshirës për të bërë, nëse atyre nuk u ofron besim.
Dhe nëse pyesim çfarë ka bërë realisht PD-ja në këto vite, përgjigjja që vjen nga korridoret e politikës, nuk është aspak premtuese: ka bërë pazare vetëm për veten e vet, ndërsa t’u thuash që “ne e bëmë tonën, tani bëjeni ju”, është më shumë se sa fyese dhe poshtëruese.
Nëse sot PD-ja nuk frymëzon, është sepse ka zgjedhur të mos rinovohet; sepse ka mbajtur të njëjtat fytyra, të njëjtat figura, që nga fillimi i pluralizmit. Shehu është 76 vjeç, gjysmën e jetës e ka kaluar si deputet dhe sërish shfaqet sikur të ishte figurë e domosdoshme e së djathtës shqiptare.
Në qarkun që ai ka drejtuar, rezultatet kanë qenë zhgënjyese, por kjo nuk e ka penguar të rikthehet çdo herë, falë konjukturave, jo falë votës së lirë të anëtarësisë apo strukturave.
Nga zelli i tepruar i para viteve ’90 në prishjen e kishave dhe xhamive, te nënshtrimi i vazhdueshëm ndaj liderëve, një herë Berishës, pastaj Pollos, pastaj sërish Berishës, më vonë Bashës dhe sot sërish Berishës, Shehu nuk është ndalur kurrë së ricikluari veten pa prodhuar as politikë as mbështetje elektorale, por vetëm humbje dhe zhgënjim në vota.
Dhe pas gjithë kësaj, t’u kërkojë shqiptarëve të bëjnë “më shumë”, është shumë më shumë se sa hipokrizi. Shqiptarët e kanë bërë “pjesën” e tyre: e kanë lënë në opozitë partinë që ka 34 vite që kandidon dhe nuk e ndryshon Tritan Shehun.
Nëse dikush duhet të bëjë më shumë, nuk janë njerëzit, por vetë PD-ja, e cila duhet çliruar nga figura që kanë qëndruar gjithë jetën në karrige, pa asnjë reflektim mbi dështimet e vazhdueshme dhe të fillojë një analizë që fillon me pyetjen: pse nuk na votojnë shqiptarët?