“Përshëndetje! Jam Erion Veliaj. Një mikut tim i nevojiten 70 mijë euro. Rregullohemi bashkë diku tjetër”. Ky mesazh mbërriti dy vite më parë në telefonin e një biznesmeni ndërtimi në Tiranë ndërsa është zbardhur edhe skema e mashtrimit.
Xhensil Qefa Hida mësohet se ishte ‘koka’ e skemës së mashtrimit ndaj biznesmenit G.A., të cilit iu prezantua përmes mesazheve në “Telegram” si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkonte 70 mijë euro për një mikun e tij.
Xhensil Qefa Hida është dënuar në mungesë pasi ende nuk është arrestuar. Mësohet se koka e grupit, ka instruktuar Leonard Xhikën të shkonte të merrte paratë. Ai i kishte vënë në dispozicion Xhikës edhe një telefon.
Nga ana tjetër, Leonard Xhika, pretendon se kishte komunikuar në “Telegram” me Qefën, i cili i kishte kërkuar të shkonte të merrte një porosi në Tiranë tek një person.
Sipas raportimeve, biznesmeni shprehu gatishmërinë për t’ja dërguar paratë tek zyra në bashki “Erion Veliajt” ndërsa bashkëbiseduesi në mesazhe i kërkonte t’ia dërgonte në Vlorë.
Më pas kërkoi si vend takimi një restorant në Lushnjë ndërsa në fund ranë dakord të takoheshin tek Kthesa e Kamzës.
Në momentin e takimit, personi që do merrte paratë nuk e dinte se e gjithë skena po ndodhte para syve të policisë të cilët inskenuan sikur në çantë gjendeshin paratë, por ishin letra boshe.
Në këtë mënyrë policia arriti të zbulojë grupin i cili tentoi të mashtronte biznesmenin duke kërkuar para përmes kamuflimit si të ishte Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Gjithashtu të fajësuar janë edhe Mikel Panxhi, Xhonatan Xhaferri dhe Petro Ferzaj të cilët u dënuan përfundimisht me nga 8 muaj burg për “moskallëzim krimi”. m.p.