Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK, në zbatim të masës “Detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata lidhur me aferën “Partizani”.
Në dalje të SPAK, Berisha sulmoi kreun e SPAK, duke e quajtur Altin Troplini. Sipas tij, Dumani është avokat i karteleve qeveritare të drogës.
“Pas aktit të tij të shëmtuar të fshehjes në xhep dhe të mosekzekutimit të urdhrit të arrestit për Troplinët, gjersa ata u arratisën. Sot dhe përgjithmonë ia do mbetet si Altin Troplini dhe avokatit më kryesor të karteleve qeveritare të drogës, ju jeni dëshmitar se unë kam paraqitur para jush, bashkëpunimin e ngushtë të Taulant Ballës me Suel Çelën, bisedën e tij të famshme telefonike ku i thotë Suel çelës se ne po e arrestojmë kundërshtarët e ty”, tha Berisha.
Berisha akuzohet se, gjatë kohës kur mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Dosja për aferën kaloi për gjykim më 19 maj, në të cilën Berisha gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij./E.T