Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.
Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.
Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.
Mbledhja e Kryesisë u thirr nga Basha – i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive pa nënkryetarin serb – për t’u konsultuar rreth vazhdimit të punës së institucionit.
“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti Basha të hënën.
Në tri vazhdime të seancës konstituive, kandidatët serbë për nënkryetar dështuan të sigurojnë votat e nevojshme.
Basha e shpalli të mbyllur seancën, me arsyetimin se janë shteruar të gjitha mundësitë.
Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e mbështeti, ndërsa ish-opozita kundërshtoi.
Duke folur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, por nuk dha shumë detaje.
Kuvendi i Republikës së Kosovës publikoi më herët një njoftim, ku thuhej se Basha e ka informuar presidenten për përfundimin e seancës konstituive dhe se të dy kanë diskutuar mbi hapat e mëtejshëm institucionalë, por e tërhoqi pak minuta më vonë. m.p.