Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka deklaruar se analiza për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit duhet të nisë “nga lart-poshtë”. Sipas tij, procesi duhet të përfshijë vlerësimin e çdo anëtari të Këshillit Kombëtar, çdo grupseksioni dhe çdo dege të partisë.
Megjithatë, Kaso e “amnistoi” nga ky proces vetëm liderin historik, Sali Berisha, duke theksuar se ai “ka punuar më shumë se të gjithë”. Një qëndrim i cili ngre pikëpyetje mbi seriozitetin e analizës brenda strukturave të partisë.
Në realitet, drejtuesi i PD-së mbetet përgjegjësi kryesor për rezultatin e dobët të kësaj force politike. Nëse në të shkuarën standardi i “përgjegjësisë” u aplikua për Lulzim Bashën, i cili u detyrua të largohej, i njëjti parim duhet të vlejë edhe për Berishën.
Statusi “non grata”, mbipushteti i dikurshëm dhe mosha biologjike e bëjnë edhe më të vështirë që Berisha të paraqitet si alternativë politike përballë shqiptarëve.
Deklarata e Kasos shënon vazhdimësinë e një modeli të njohur në këtë forcë politike: hipokrizinë publike. Shpesh, eksponentët e PD-së mendojnë një gjë, por deklarojnë diçka tjetër, duke u përshtatur me interesat e çastit dhe balancat brenda partisë.
Shtatori, me nisjen e sesionit politik dhe ndarjen e posteve drejtuese brenda partisë, pritet të sjellë të tjera deklarata të ngjashme. Servilizmi ndaj kryetarit mbetet rruga më e shpejtë për karrierë politike në Shqipëri – një model që duket se vazhdon të mbajë peng jo vetëm PD-në, por edhe vetë demokracinë e brendshme partiake./e.t