“Një luan pa dhëmbë, vegjetarian, të ushqyer me sallatë.” Kështu e ka cilësuar ish-deputetja Flutura Açka, Partinë Demokratike në studion e “Off the Record” duke e krahasuar me një personazh të librit të saj më të ri, të titulluar “Para se të iki”.
Sipas ligjvënëses opozitare në largim, Partia Demokratike është luani i ushqyer me sallatë nga kryeministri Edi Rama ndër vitet e gjatë në opozitë dhe pas këtij trajtimi nuk ka fuqi të ngrihet në këmbë për t’u përballur me mazhorancën e 83 mandateve, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
“Është për Partinë Demokratike, që mbikëqyrësi, lidershipi. Mund ta marrësh edhe qeveria për shoqërinë shqiptare. Sepse mbikëqyrësi ka faj. PD është në krizë lidershipi, duhet të kuptoj se ka ardhur momenti i përgjegjësisë personale. E shikoj se ka një lloj shqetësimi, nën zëra, nëpër korridore: ‘A do ikë apo jo Berisha?’. Çfarë janë këta njerëz, këto zëra, ky lidership që pret qoftë edhe të tretet fizikisht zoti Berisha që t’ia zënë vendin. Nuk është kjo mënyra që operohet në demokraci. Përderisa ka një statut njerëzit e përgjegjshëm duhet të mblidhen dhe t’i thonë gjërat te foltorja e PD, i pëlqen apo s’i pëlqen zotit Berisha apo një grupi njerëzish në PD. Sepse kështu nuk mund të vazhdohet. PD është vërtet luani i zotit Mani, i shtrirë dhe i ushqyer me sallatë, që është kthyer në një qenie që nuk ecën dot. Është një luan vegjetarian, do të thotë që nuk mbahet më në këmbë se ushqehet me sallatë. Ushqehet me gjërat e ngutshme të njerëzve që kanë interesa të caktuara”, analizoi Açka.
E pyetur nëse përgjegjësia që Rama e bëri “Luanin” vegjetarian, është e Sali Berishës apo Lulzim Bashës, ajo u përgjigj: “Të dy. Unë nuk e përjashtoj faktin që në këtë, kush në heshtje, kush me përfshirje të plotë, kush hije e kush i bardh e kush i zi, unë them se përgjegjësia është e përbashkët.”
Sipas Açkës është e palogjikshme që nga selia blu përgjegjësinë për gjendjen e PD rreken t’ia faturojnë vetëm ish-kryetarit Basha, pasi secili duhet të marrë përsipër kostot e dëmit që ka shkaktuar.
“Në momentin që ne përgjegjësin do ta shkarkojmë vetëm tek një personazh dhe mënyra përjashtuese e këtyre 8 viteve që kanë qenë vite të përbashkëta, e faktit që ka qenë tre herë ministër i tyre, kryetari i bashkisë së tyre. Duke e targetuar kështu në këtë formë do të thotë se nuk duan të kuptojnë përgjegjësinë personale dhe të lidershipit”, deklaroi Açka./e.t