Një raport i ri i autoriteteve shëndetësore amerikane, që pritet të publikohet brenda këtij muaji, ka ndezur alarmin për përdorimin e medikamenteve gjatë shtatzënisë. Sipas Wall Street Journal, dokumenti i ri lidh përdorimin e qetësuesit pa recetë Tylenol (paracetamol/acetaminofen) nga gratë shtatzëna me një rrezik më të lartë për zhvillimin e autizmit tek fëmijët.
Raporti thekson edhe mungesën e acidit folik gjatë shtatzënisë si faktor rreziku për shfaqjen e çrregullimeve të spektrit autik. Në të kundërt, forma biologjikisht aktive e tij – acid folinik (leukovorinë) – sipas të dhënave, mund të lehtësojë simptomat e autizmit.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm për Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., i cili më 4 shtator raportoi para Komitetit të Financave të Senatit. Ai është kritikuar ashpër për shkurtimet buxhetore prej rreth 500 milionë dollarësh, që kanë prekur edhe projektet kërkimore mbi teknologjinë mRNA.
Paracetamoli, një nga barnat më të përdorura në botë për dhimbje dhe temperaturë, është i zakonshëm edhe tek gratë shtatzëna. Megjithatë, edhe pse disa studime të mëparshme kanë sugjeruar lidhje mes përdorimit të tij dhe çrregullimeve neurozhvillimore, qëndrimi i Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) mbetet i qartë: ilaçi konsiderohet i sigurt, por përdorimi duhet bërë vetëm me këshillimin e mjekut.
Ende nuk dihet nëse raporti do të përfshijë referenca për vaksinat, një temë mbi të cilën Kennedy Jr. ka qenë kritik i ashpër, duke pretenduar – pa prova shkencore – se lidhen me autizmin. Raporti pritet të publikohet deri në fund të shtatorit dhe ai mund të ndikojë ndjeshëm në politikat e shëndetit publik në SHBA dhe në debatin ndërkombëtar për sigurinë e barnave gjatë shtatzënisë./E.T