Në një moment kyç për të ardhmen europiane të vendit, Kryeministri Edi Rama ka hapur punimet e Konferencës 3-ditore të Ambasadorëve Shqiptarë nëpër botë, një ngjarje tradicionale që këtë vit merr një rëndësi të veçantë për shkak të fazës vendimtare ku ndodhet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke e cilësuar këtë periudhë si historike, Rama theksoi se asnjë ditë nuk duhet humbur në përgatitjen e terrenit për vendimin e ardhshëm të Komisionit Europian.
Ai vuri në pah rritjen e kredibilitetit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e konsideruar profilin e vendit si në ngjitje dhe një aset të rëndësishëm që duhet shfrytëzuar për vizionin “Shqipëria 2030”. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e rolit të shërbimit diplomatik si një pikë referimi për të rinjtë e talentuar që synojnë të kontribuojnë në të ardhmen e vendit.
“Qipro është një vend i vogël, por që ka bërë zhvillime të padiskutueshme. Konferenca tradicionale e Ambasadorëve, këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë, për të arritur majat e BE. Janë katër vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur ku dhe koha nuk pret për të përgatitur gjithë terrenin për vendimin që do të marrë KE për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Negociatat zhvillohen në baza dypalëshe, por e gjithë atmosfera mes tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikuar nga faktorë të ndryshëm. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme puna e përditshme. Kjo konferencë zhvillohet në një moment ku kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë, dhe si profili i Shqipërisë është në ngjitje si një partner i besueshëm në rajon dhe të gjitha tryezat ndërkombëtare është një aset që duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje. Është e domosdoshme që shërbimi ynë të jetë pikë referimi për talentet, vajzat dhe djemtë që ka ambicie të kontribuojnë në Shqipëri”, tha kryeministri Rama./kb