Bigamia, vepër penale sipas Kodit të ri/ Avokati: E tepruar! As morale, as etike

Ligji shqiptar njeh vetëm monogaminë, pra lidhjen ligjore të vetëm një martese mes burrit dhe gruas. Me Kodin e ri Penal, bigamia konsiderohet vepër penale e dënueshme me gjobë ose burg. Avokati Ervin Karanxha shpjegon në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se në Kodin e tanishëm kjo nuk dënohet dhe është një gjendje faktike pasi palët e përfshira mund të jenë dakordësuar.

Në Kodin e ri, dënimi varion nga gjobë deri në 3 vjet burg dhe në rast përsëritjeje, dënim me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet. Dënimi mund të prekë çdo shtetas shqiptar që mund të jetë i martuar edhe jashtë territorit në vende që e pranojnë bigaminë. Sipas avokatit, këto nuk janë raste të përhapura, por komunitetet fetare duhen përfshirë në këtë temë dhe nuk e vlerëson etike apo morale dënimin për një gjendje faktike.

Ervin Karanxha: Bigamia dënohet.

Aldo: Si dënohet?

Ervin Karanxha: Bigamia, mos gaboj, paragrafi i parë, dënohet me gjobë dhe ka një masë dënimi.

Aldo: Me gjobë? Si me gjobë?

Ervin Karanxha: Ndërkohë, në rast se personi vazhdon lidhjen atëherë ka në rrethana të cilësuara dhe i bie që të ketë masë dënimi më të lartë.

Aldo: Pra domethënë një burrë me dy gra paguan gjobë?

Ervin Karanxha: Fjala bigami, duhet të kemi parasysh mund të kemi edhe një grua, mund të ketë tre burra.

Aldo: Me letra?

Ervin Karanxha: Fjala bigami, siç e thashë edhe në fillim, Kodi Penal jep vetëm marrëdhënien burrë-grua./kb