PD mbledh Kryesinë/ Berisha bën autokritikë: Kemi bërë punë të dobët

Partia Demokratike zhvilloi sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të 11 majit, me fokus kryesor analizën dhe qëndrimin politik pas asaj që e cilësoi si një “farsë elektorale”.

Në fjalën hapëse, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe procesit zgjedhor, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet sot nën një diktaturë autokratike të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i demokratëve pranoi se një nga arsyet kryesore për këtë situatë është mungesa e komunikimit të qartë politik nga vetë partia.

Sali Berisha: Jemi mbledhur për qëndrimin e forcës tonë politike ndaj farsës elektorale të 11 majit 2025. PD si forca kryesore opozitare, u angazhuan në një përpjekje intensive serioze ndërkombëtare për paraqitjen e gjendjes së rëndë. E theksoj këtë moment si një moment të një rëndësie kapitale sepse për fat të keq, për shkaqe më shumë njohje nuk është gjerësisht realizuar se Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike. Kjo sigurisht më shqetëson në opinionin publik, por më tepër më shqetëson në anëtarësinë dhe mbështetësit tanë. Kjo nuk vjen nga mosdashja e tyre, ka disa faktorë por njëri prej tyre është puna e dobët e jona për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit tanë në këto koncepte fondamentale politike.

Diktaturat totalitare, ata që e përjetuan thonë që kjo e sotmja nuk është e tillë. Dhe kanë të drejtë. Sepse diktatura totalitare përjashton pluralizmin, diktatura autoritare nuk e përjashton por e shtyp pluralizmin. Dhe është mizore në përqëndrimin e të gjitha pushteteve në një dorë.

Nga 220 mijë rrogëtarë të këtij shteti, nga presidenti tek punonjësi më i thjeshtë, vetëm 2000 nuk janë emëruar apo zgjedhur nga partia shtet. 218 mijë në një përqëndrim pothuajse total i përkasin partisë shtet, partisë së krimit.

Jetojmë në një diktaturë autokratike. Pa media të lira nuk ka informacion. Qytetarët mashtrohen. Askush s’mund të gjykojë duke u nisur nga mjedisi rreth tij. Kur studimi tregon se audiencën e dominojnë ato media që në doktrinën e mashtrimit paraqesin disfatat për sukses, bëjnë gjithçka të përqëndrohen në çështje tretësore për të shmangur skandale./E.T