Në Tiranë u zhvillua këtë të mërkurë, 10 shtator, Konferenca Ndërkombëtare për Qeverisje, një ngjarje me rëndësi në të cilën u trajtuan çështje kyçe të integrimit europian dhe të qeverisjes digjitale.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe roli i Shqipërisë në këtë proces. Kryeministrit Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të orientimit strategjik drejt Bashkimit Europian.
Ai gjithashtu nënvizoi përparësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në prokurimin publik, duke e cilësuar atë si një model që Shqipëria mund ta eksportojë në vendet e tjera.
“Ne duhet të punojmë së bashku, të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë atë që ne duam, që na pëlqen të ndërtojmë. Shqipëria asnjëherë s’ka patur mundësinë më parë që të zgjedhë lirisht se me kë të jetojë. Ne kemi qenë viktima të zgjedhjeve të të tjerëve. Për herë të parë në histori, tashmë ne kemi zgjedhur si shtet, si komb, që ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është një zgjedhje që ka bërë kombi, vendi, është fantastike, është shumë mirë. Ne nuk mund të shkojmë edhe të flasim, të japim leksion te të tjerët pse ju nuk doni të jeni si ne. Ata do të qeshin, ashtu si ata vërtetë qeshin, por duan të tregohen edhe të mirësjellshëm me ne, kështu që kjo ishte ideja ime.
Gjithsesi, unë mendoj që është një gjë që ne mund të eksportojmë, që është prokurimi me anë të Inteligjencës Artificiale. Nëse ne do të ecim aq shpejt sa ne mendojmë dhe nëse të tjerët jo, atëherë unë nuk mendoj që të tjerët do ecin më shpejt se ne edhe vetëm në këtë mënyrë do të na surprizonin, por jo, nuk mendoj kështu. Ndoshta prokurimi publik në Britani mund të ekzistojë për një kohë të gjatë, por nuk ka pasur problem me integritetin nëse ne do t’ia dalim me sukses me anë të sistemit që kemi filluar dhe prandaj kemi filluar bashkëpunimin me Microsoft-in në lidhje me prokurimin publik, sepse ata gjithashtu do të na japin edhe të drejtën e modelit, pronësinë e modelit dhe kështu që pastaj ne do të kemi të drejtë që ta shesim atë dhe ne do të themi që në qoftë se doni të luftoni gjërat që nuk ecin mirë në vendin tuaj, korrupsionin, atëherë mund të merrni, të blini modelin tonë të prokurimit publik”, tha kryeministri Rama./e.t