KQZ u jep 12.7 milionë lekë 4 partive të reja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur kompensim financiar pas zgjedhjeve të 11 majit për katër parti. Nga kompensimi financiar që kap vlerën prej 12,7 milionë lekësh kanë përfituar “Lëvizja Bashkë”, “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, “Partia Mundësia” dhe “Partia Koalicioni Euroatlantik”.

Respektivisht, shuma prej mbi 12,7 milionë lekësh është shpërndarë: 2.3 milionë lekë për Lëvizja Bashkë, Lëvizja Shqipëria Bëhet do të marrë 3.8 milionë lekë kompensim financiar, për Partinë Mundësia do të shpërndahen 4.6 milionë lekë dhe 1.9 milionë lekë të tjera do të jepen për Partia Koalicioni Euroatlantik, e drejtuar nga Lulzim Basha.

PARTITË QË PËRFITOJNË KOMPENSIM FINANCIAR
Lëvizja Bashkë 2.307.418 lekë
Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet 3.884.362 lekë
Partia Mundësia 4.601.488 lekë
Partia Koalicioni Euroatlantik 1.963.190 lekë
TOTALI: 12.756.458 lekë

Këto parti, të cilat nuk kishin përfituar fonde publike paradhënie për fushatën zgjedhore, morën këtë kompensim financiar pas zgjedhjeve pasi arritën që të merrnin 1 % të votave të vlefshme në rang vendi.
Në renditjen e partive, shihet se Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet do ta përfitojë e vetme kompensimin financiar, edhe pse ishte pjesë e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” së bashku me Endri Shabanin, por partia e këtij të fundit ka përfituar fonde parazgjedhore dhe për këtë arsye nuk përfshihet në vlerësimin që u bë pas zgjedhjeve të 11 majit nga KQZ.
Shuma që iu shpërnda partive të reja është bërë në bazë të përllogaritjes që ka bërë KQZ. Sipas këtij institucioni, një votë e vlefshme vlen 94 lekë.
Nga katër forcat politike të cilat morën kompensim paszgjedhor, vetëm partia e drejtuar nga Lulzim Basha nuk arriti të marrë një mandat deputeti në zgjedhjet e 11 majit, pasi Lëvizja Bashkë siguroi një mandat, një mandat mori edhe Lëvizja Shqipëria Bëhet në koalicion me Nisma Thurje, ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt arriti të futej me dy mandate deputetësh në Kuvend./e.t