Darka e pilafit! Kur fiken kamerat, demokratët ulen në sofër me “armikun”

Gjergj Luca bashkon në restorant dy partitë e mëdha. Në foto: deputeti i PS Florjan Spaho dhe nënkryetari i PD Zamir Muzhaqi (edhe nënkryetar i këshillit bashkiak Elbasan).

Në parlament bëjnë teatër sikur zihen, por kur fiket kamera, demokratët i gjen këmbëkryq në sofrën e pushtetit, duke bërë bejte me pilaf. Ata hanë të njëjtën supë dhe ndajnë të njëjtën kockë, vetëm se për publikun e shesin si “betejë parimore”.

Opozita e quan veten ilaç kundër korrupsionit, por në praktikë është suplement ushqimor për të shtuar oreksin e pushtetit. PD është vitamina e PS.

Në restorantet e Lucës, aty ku aroma e mishit përzihet me aromën e marrëveshjeve, demokratët dhe socialistët nuk kanë më dallim ngjyrash. Ata që dje shanin qeverinë, sot bëjnë “gëzuar” me gota vere dhe nesër dalin përsëri në televizor për t’u betuar se janë armiq të përjetshëm.

Në këtë cirk pilafi, qytetarit i mbetet vetëm të hajë kokoshkat ose të arratiset. Shqipëria ka vetëm një parti: partia e xhepit. Populli është thjesht mjeti.

Sot ka vetëm një protestë logjike: zhdukjen e PD-së, e cila ka marrë peng opozitën dhe u ka mbushur mendjen të gjithëve se këtu nuk ka zgjedhje.

Zgjedhje ka, po të mos kishte pilaf në dy duar. Pilafi e mori më qafë këtë vend.