Proda në Hagë, pritet nga Drejtoresha Ekzekutive e Europol

Drejtor I përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, u prit në Hagë, në një takim pune e miqësor nga Drejtoresha Ekzekutive e Europolit, Catherine De Bolle.

De Bolle vlerësoi angazhimin, vendosmërinë, profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë shqiptare, gjatë operacioneve të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët, në koordinim nga Europol. Ajo siguroi Drejtor Prodën se Policia shqiptare do të ketë akoma më shumë mbështetjen dhe asistencën e Europolit.

Drejtor Proda falënderoi Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, znj. Catherine De Bolle, për vlerësimin dhe mbështetjen, dhe e garantoi se Policia shqiptare tashmë është e aftë profesionalisht, e besueshme dhe shumë e angazhuar në veprime hetimore e operacionale me partnerët, në luftë kundër krimit të organizuar.

Gjatë takimit u diskutua mbi mundësinë që Europoli të drejtojë menaxhimin e operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm, si fenomen i përdorur nga grupet e krimit të organizuar, duke koordinuar operacionet dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet policive të vendeve anëtare të BE-së, përshtatja e strukturave të Policisë shqiptare me ato të policive europiane dhe mbështetja për përdorimin e produkteve analitike të Europolit, në veçanti kundër krimit kibernetik.

Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda ftoi Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, për një vizitë në Policinë e Shtetit shqiptar./kb