Spiropali për Diellën në OKB: Teknologjia mund të shfrytëzohet në mënyrë të përgjegjshme

Ministrja e Jashtme, Elipsa Spiropali, tha në fjalën e saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se ministrja virtuale e qeverisë “Diella” është një hap konkret si teknologjia mund të shfrytëzohet në mënyrë të përgjegjshme për t’i shërbyer qytetarëve.

Spiropali mori pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë në Këshillin e Sigurimit mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në fjalën e saj, Ministrja Spiropali deklaroi se “Shqipëria mbështet fuqimisht përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të ndërtuar një kuadër global për përdorimin e sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se “inteligjenca artificiale ofron mundësi të paprecedenta për të mbështetur zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe parandalimin e krizave.

Në këtë drejtim, znj. Spiropali bëri thirrje që shtetet duhet të kapërcejnë ndarjet digjitale, të forcojnë kapacitetet dhe të ndajnë praktikat më të mira, duke siguruar që inovacioni të udhëhiqet nga të drejtat e njeriut, e drejta ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Ministrja Spiropali nuk la pa përmendur edhe rastin e Shqipërisë, si një vend që është tejet i përkushtuar për të zhvilluar politika dhe institucione me vizion për të shfrytëzuar në mënyrë të përgjegjshme potencialin e Inteligjencës Articiale./kb