Lirimi i hapësirave publike/ Ministrja Koçiu zbret në terren

Një tjetër hapësirë e kthyer më parë në pikë bllokimi dhe grumbullimi mjetesh po lirohet dhe i kthehet qytetarëve. Aksioni u inspektua nga Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Kurbin, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Kryeinspektoren e AAPSK-së, Risena Xhaja.

Ministrja Koçiu theksoi se kjo hapësirë, që Policia e Shtetit ka përdorur për të depozituar mjete të sekuestruara dhe të konfiskuara, ishte e papërshtatshme dhe ndotëse për komunitetin. Ajo u shpreh se falë një pune ndërinstitucionale, hapësira po evidentohet dhe selektohet, për t’u kthyer më pas në shërbim të komunitetit.

Sipas Kryeinspektores Xhaja, në këtë territor 2.6 ha janë të pozicionuara 1664 makina, nga të cilat 1100 janë për skrap. Inventari i pasurive është përfunduar dhe procedurat e ankandit do të nisin së shpejti.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, nënvizoi se operacioni është pjesë e një aksioni më të gjerë në të gjithë vendin, që synon jo vetëm lirimin e hapësirave, por edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Kryetarja e Bashkisë Kurbinit, Majlinda Cara, vlerësoi aksionin si një iniciativë të rëndësishme për qytetarët, duke premtuar projekte për rikthimin e hapësirës në shërbim të komunitetit dhe turizmit lokal.

Ky aksion vjen pas një operacioni të ngjashëm në Shkodër dhe është pjesë e fushatës së MPB-së për lirimin e hapësirave publike të zaptuara dhe rikthimin e tyre për qytetarët./E.S