Si paraqitet situata e Covid-it në vendin tonë?/ Paralajmëron kreu i Urgjencës

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka deklaruar se Covid-i nuk ka ikur, duke sqaruar se rastet aktuale janë kryesisht nga varianti Omicron, Stratus ose XFG.

“Edhe te ne ka pasur raste deri në 500 në javë. Të gjitha temperaturat dhe virozat e stinës janë kryesisht të Covid-it. Viruset janë gjithmonë me ne, disa aktivizohen me të nxehtin dhe disa me të ftohtin,” tha ai, duke shtuar se virozat e tjera të verës, si enterovirozat, shkaktojnë probleme të ndryshme, por Covid-i vazhdon të jetë i pranishëm gjatë gjithë vitit.

Brataj sqaroi gjithashtu se Covid-i zakonisht nuk kërcënon personat e shëndetshëm, por mund të shkaktojë probleme serioze te ata me patologji ose imunitet të ulët.

“Çdo sëmundje mund të çojë në fatalitet te një person me imunitet të dobët. Por personat e shëndetshëm nuk kanë probleme”, tha Brataj,në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në News24.

Ai theksoi se 80% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin simptoma, dhe që rastet më të shpeshta në urgjenca janë virozat dhe problemet respiratore. Rritja e vizitave në urgjenca kohët e fundit lidhet edhe me fluksin e turistëve në vend.

Sipas Brataj, pandemia nuk ka përfunduar, por aktualisht situata nuk konsiderohet alarmante për qytetarët shqiptarë./E.S