Në një atmosferë festive dhe të mbushur me emocione, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
“Është një emocion i veçantë të jem sot mes jush, dhe kjo nuk është nga ato fjalitë që thuhen për forcë zakoni, por janë fjalë zemre, sepse pas 12 vitesh rikthehem në arsim prej aty ku përkohësisht u shkëputa nga mësimdhënia: pikërisht në Universitetin e Tiranës”, u shpreh Ministrja Kumbaro.
“Kjo është një festë akademike që na bën krenarë të gjithëve, por është edhe një ritual që na tregon forcën që ka arsimi në një botë gjithmonë në ndryshim, forcën e universitetit si institucion që i mban të forta themelet e një shoqërie në evoluim”, tha Kumbaro.
Duke iu drejtuar të diplomuarve, ajo vuri në dukje rëndësinë që juristët e rinj kanë në proceset e sotme shoqërore dhe politike, në prag të integrimit europian: “Shqipëria, me reformën në drejtësi, ka shumë nevojë për juristë të rinj, profesionistë që ndihen pjesë e një misioni më të madh siç është forcimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i institucioneve, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe integrimi europian i vendit.”
Në fjalën e saj, Kumbaro nënvizoi vizionin e qeverisë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor: “Dhjetë vite pas reformës përmes së cilës shkundëm pluhurin që i zinte frymën shumë prej institucioneve dhe mbulonte përgjithësisht krejt sektorin, do të hapim kantierin e një rishikimi të ligjit të arsimit të lartë, për ta përshtatur atë me nevojat e kohës. Do të fokusohemi në ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor. Standardet e cilësisë do të sigurohen në përputhje me Zonën Europiane të Arsimit dhe të Kërkimit Shkencor, duke bërë që diplomat tuaja të vlerësohen globalisht.”
Në këtë kuadër, Ministrja e Arsimit përmendi edhe bashkëpunimet e Universitetit të Tiranës me Universitetin Teknologjik të Compiegne në Francë, të Universitetit Bujqësor me BOKU-n e Vjenës, si dhe projektet për rilindjen e kampuseve në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
“Nga sot nuk keni vetëm një diplomë, por do të keni një përgjegjësi në zemër. Jeni brezi që do të përcaktojë se si do të jetë Shqipëria e nesërme. Në duart tuaja është ndërtimi i institucioneve më të forta, mbrojtja e drejtësisë, garantimi i lirisë dhe përfaqësimi i vlerave më të mira të vendit tonë”, tha ndër të tjera Kumbaro./E.S