Rezolutë për Hagën? Balla: Na takon me ‘ligj e kanun’ të bëjmë të njëjtën gjë pas Kosovës

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj edhe pyetjes se përse e rrëzuan kërkesën për mocion për debat lidhur me gjenocidin serb në Kosovë. Balla theksoi se Kuvendi ndër vite ka miratuar rezoluta duke dënuar atë që serbët kanë bërë në shtetin tjetër shqiptar dhe se nuk priti kaq shumë vite që të dilte një deputet dhe të bënte një kërkesë të tillë. Ai sqaroi se nuk e ka konsideruar lajthitje kërkesën e deputetit, por faktin që një gjë e tillë bëhet pas kaq shumë kohësh.

“Ne i mbështesim liderët e UÇK. Kjo nuk ka asnjë dyshim dhe është e qartë që ka një forcë politike, Edi Rama ka qenë mëse i qartë për këtë gjë dhe një memecëri në drejtimin e opozitës që nuk flet për këtë çështje. Këtu para jush në 4 vjeçarin e shkuar s’di sa herë kam folur për këtë çështje. Kërkesë që ka ardhur nga një deputet i caktuar në mënyrë të përsëritur. Kush është argumenti? Shqipëria, qeveria dhe parlamenti i saj, i ka dënuar të gjitha krimet të ndodhura në Kosovë nga regjimi i Millosheviç që nga viti 1991. Dhe nuk ka pritur 26 vjet për t’u shprehur për një çështje por e ka bërë menjëherë. Do tu vë në vijim në dispozicion të publikut të gjitha deklaratat dhe rezolutat. Vetëm në ’99, janë 4 rezoluta deklarata, që i referohen akteve gjenocidale që ndodhnin në janar-prill 1999 në Kosovë. Pra Kuvendi është mbledhur menjëherë sapo është informuar në atë kohë. Gjenocidi është dënuar gjithmonë. Kjo është përpjekje që s’ka të bëjë me realitetin. Nuk e kam cilësuar lajthitje këtë kërkesë, kam thënë që këto gjëra duhen bërë së bashku dhe Kuvendi i ka bërë. Nëse një deputet kujtohet pas 26 vitesh të ribëjë diçka që është bërë, kjo është lajthitje.”, tha Balla.

Lexo edhe :  Belinda Balluku i hap zemrën Manastirliut: "Kemi ndarë ëndrra për fëmijët tanë..."

Sa i përket kërkesës së Rama për një rezolutë lidhur me gjyqin e padrejtë që po bëhet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Balla tha se kryeministri ka qenë i qartë që sapo Parlamenti i Kosovës ta bëjë një gjë të tillë, edhe ai i Shqipërisë do të ndjekë të njëjtin hap.

“Rama ka thënë që sapo parlamenti i Kosovës të bëjë detyrën që i takon, që të miratojë një rezolutë ku të shprehet qartë se liria e Kosovës sot e ka një emër, është meritë e popullit, UÇK-së, rezistencës së Ibrahim Rugovës, SHBA dhe aleatëve të tjerë të NATO-s dhe e prapranueshme që mbi luftën për liri të popullit të Kosovës të hidhet baltë nga disa dëshmitarë, që janë më shumë se qesharakë, bufonori moderne do ta quaja, dhe sapo parlamenti i Kosovës, sepse mbi bazën e një vendim të atij parlamenti është ngritur gjykata, ne na takon me ligj e kanun të miratonim të dytët një rezolutë të tillë. Është diçka që i qëndron kohës dhe duhet ta bëjmë.”, shtoi Balla./E.T