Gonxhja takim me përfaqësuesit e Universal Music Hospitality & Lifestyle

Universal Music Group është kompania më e madhe në botë në industrinë muzikore, me një rrjet global që përfaqëson disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, si The Beatles, U2, Andrea Bocelli, Elton John, Rihanna, Lady Gaga, Taylor Swift, Eminem, Lana Del Rey, Billie Eilish e dhjetëra artistë të tjerë ikonë. Në kuadër të vizionit për zhvillimin e industrive kreative dhe të turizmit kulturor, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja priti në një takim përfaqësuesit e Universal Music Hospitality & Lifestyle, z. Robert Lavia (CEO), së bashku me z. Maxi Johal dhe z. Massimo Tucci nga Tucci Associates. Në këtë takim, ministri Gonxhja bën me dije se bisedimet u zhvilluan dhe për mundësitë që ofron Shqipëria si hapësirë për xhirime e prodhime artistike.

“Në këtë bashkëbisedim u ndalëm tek mundësitë që ofron vendi ynë për të kombinuar turizmin me artin, duke shfrytëzuar natyrën unike të Shqipërisë si hapësirë për xhirime dhe prodhime artistike nga studio prestigjioze si Universal Video. Një model inovativ që ndërthur investimet në hoteleri me hapësira të dedikuara për artistët, studio krijuese dhe teatro, duke sjellë një qasje të re për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor. Ky interes për Shqipërinë, pas eksperiencave të suksesshme në pika të ndryshme të Europës dhe Amerikës, përbën një mundësi të rëndësishme për vendin tonë, duke e pozicionuar atë në një rrjet ndërkombëtar ku arti, kultura dhe industria e mikpritjes bashkëveprojnë”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në një postim në rrjetë sociale. Ndër të tjera ministri Gonxhja thotë se bashkëpunimi i tyre me World Tourism Organization dhe përfshirja në projekte të këtij niveli i japin këtij partneriteti një dimension strategjik, duke hapur rrugë për iniciativa që forcojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për krijimtarinë, artin dhe turizmin elitar./kb