SPAK fut në lojë dosjen “5 Maji”/ Pas Veliajt edhe Mazniku nën hetime

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-nënkryetarit të tij, Arbjan Mazniku, në lidhje me prishjen e ndërtesave në zonën e “5 Majit”.

Çështja lidhet me akuzën për “shpërdorim detyre”, kallëzim i cili më parë ishte pushuar nga Prokuroria e Tiranës. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi që dosja të kalojë për kompetencë në SPAK, dhe ky vendim u pranua nga GJKKO.

Në vendimin e saj, gjyqtarja Rudina Palloj shpalli të pavlefshme kërkesën e prokurorisë për mbylljen e çështjes, duke e konsideruar të padrejtë pushimin e dosjes për shkak se “fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Tani, SPAK do të hetojë të gjitha procedurat e ndjekura për shembjet në “5 Maj” dhe mundësinë e përgjegjësive ligjore të zyrtarëve të lartë të Bashkisë Tiranë në atë periudhë.

Njoftimi:

Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 08.09.2025 është regjistruar kërkesa me nr. 140 regj.them., dërguar për kompetencë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me kërkues Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 128, 128/a pika 1 shkronja “b”, 329 dhe 329/b e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 140, datë 30.09.2025, vendosi:

Lexo edhe :  Gara për Tiranën, Florjan Binaj shpall kandidaturën

Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me datë 14.04.2023, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./E.S