“Pse ma vrave djalin?”/ Përballja e babait të Andi Malokut me Plaurent Dervishajn

Momente tensioni u regjistruan këtë të premte në Gjykatën e Posaçme, ku po gjykohet atentati i 1 nëntorit 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i vrarë shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, Andi Maloku.

Në sallë dëshmoi i ati i viktimës, Genc Maloku, i cili u përball drejtpërdrejt me të pandehurin Plaurent Dervishaj, të akuzuar si porositës i atentatit.

“Më thuaj, pse ma vrave djalin? Çfarë të kishte bërë ai? Edhe mua pse doje të më vrisje? S’të kam bërë asgjë!” – tha i tronditur babai i viktimës.

Në reagim, Dervishaj iu përgjigj shkurt:“Hajde më tako një ditë dhe ta sqaroj.”

Maloku rrëfeu se djali i tij kishte punuar si kamarier dhe vetëm një muaj para atentatit ishte punësuar si shofer i prokurorit Ndoja. Ai kujtoi edhe telefonatën e fundit që mori prej tij.

“Me mori dhe më tha: ‘Jam keq o bab, na kanë qëlluar’. Mendova se po bënte shaka.”

Sipas dëshmisë, Maloku ndërroi jetë pas 7 ditësh në spital. Babai i tij tha se më vonë kishte mësuar nga Aleksandër Laho (Rrumi) se vrasja ishte porositur nga grupi i Plaurent Dervishajt.

Ai përmendi edhe vizitën e familjarëve të Redjan Rrajës, të cilët i kishin lënë një USB ku shfaqej Rraja me një person tjetër teksa tentonin të digjnin makinën.

Në fund, Maloku theksoi se nuk i njeh personalisht Plaurent Dervishajn apo Julian Mecajn, ndërsa deklaroi se pas ngjarjes kishte takuar Vullnet Muçën, vëllain e Rrumit.