Hetimet disa mujore të Prokurorisë së Tiranës kanë çuar në goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion nëpërmjet platformave online të tipit “eskort”.
Operacioni ndërkombëtar u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr. 846/2025 dhe u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, si dhe me mbështetjen e EUROPOL dhe EUROJUST. Si rezultat, u ekzekutuan 19 masa sigurie, 9 në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi, ndërsa 3 persona u shpallën në kërkim dhe 48 shtetase të huaja u proceduan penalisht.
Skema kriminale
Hetimet zbuluan se shtetasi L. B., 25 vjeç, i arrestuar në Kolumbi, kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit të tyre drejt Shqipërisë. Pasi mbërrinin në vend, ato detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, grupi përdorte forcën dhe kanosjen, madje duke kërcënuar edhe familjarët e vajzave në vendet e origjinës.
Në Shqipëri, D. S. siguronte kushtet logjistike dhe akomodimin e tyre, ndërsa K. P. mblidhte të ardhurat e prostitucionit dhe i transferonte ato përmes kriptovalutave në llogaritë e drejtuesit të grupit.
Një tjetër i arrestuar, I. G., kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku” në Tiranë, të cilin e kishte shndërruar në qendër prostitucioni për vajza kryesisht nga Kazakistani. Ndërkohë, D. B. sigurohej për shpërndarjen e lëndëve narkotike për vajzat dhe lehtësonte kontaktet me klientët.
Operacioni u mundësua falë bashkëpunimit me projektin WBCrimJust (Western Balkans Criminal Justice), platformën EMPACT (European Multidisciplinary Platform Against Criminal Threats) dhe programin EU4FAST që synon forcimin e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor.
Ky është një nga rastet më të mëdha të goditjes së rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore mes Shqipërisë dhe Amerikës Latine./E.S