Ky aplikacion kërcënon të tërhiqet nga tregu evropian për shkak të ligjit të BE-së

Signal konsiderohet si një nga mesazherët më të sigurt. Megjithatë, aplikacioni mund të zhduket nga tregu evropian nëse një propozim i BE-së që lejon skanimin e mesazheve private të bisedave bëhet ligj.

Një ligj i propozuar i BE-së që do t’u lejonte autoriteteve të anashkalonin enkriptimin për të skanuar mesazhet private të bisedave për përmbajtje kriminale, po përballet me shqetësime të mëdha nga drejtuesit e disa prej aplikacioneve më të mëdha të mesazheve në botë.

Meredith Whittaker, drejtuese e aplikacionit Signal të fokusuar te privatësia, i tha dpa-së se aplikacioni i saj i bisedave madje do të tërhiqej nga Bashkimi Evropian, nëse blloku do të zbatonte “dyert e fshehta” në aplikacionet e mesazheve.

“Nëse do të viheshim në një pozicion ku do të kishim një zgjedhje midis minimit të integritetit të enkriptimit tonë dhe garancive tona të privatësisë nga njëra anë, ose largimit nga Evropa nga ana tjetër, për fat të keq do të bënim zgjedhjen për t’u larguar nga tregu”, tha Whittaker, një eksperte e privatësisë dhe presidente i organizatës jofitimprurëse Signal Foundation në SHBA.

Bashkimi Evropian ka tre vjet që debaton një ligj, që synon të rregullojë luftën kundër përshkrimeve të abuzimit seksual të fëmijëve.

Rregullorja e propozuar do të kërkonte që aplikacionet e mesazheve si WhatsApp, Signal, Telegram dhe Threema të lejojnë skanimin e përmbajtjes para enkriptimit. Kjo do të kërkonte përfshirjen e një mekanizmi kontrolli të aftë për të kontrolluar të gjithë përmbajtjen.

Ndërkohë, shefi i WhatsApp, Will Cathcart, ka ripërtërirë kritikat e tij ndaj ligjit të planifikuar, duke i thënë revistës gjermane, Der Spiegel se propozimi “rrezikon privatësinë e të gjithëve”.

Aplikacioni i bisedave Threema ka folur gjithashtu kundër përpjekjeve për t’u lejuar autoriteteve të monitorojnë bisedat private, duke shkruar në një postim në blog në prill, se “qytetarët do të viheshin nën dyshim të përgjithshëm”.

Lexo edhe :  Plani i ri i Elon Musk/ Prezanton Grokiipedia, rivalin e Wikipedia

“Mbikëqyrja masive jo vetëm që është e papërshtatshme për luftimin e krimit, por është gjithashtu plotësisht e papajtueshme me parimet demokratike dhe përbën një kërcënim të konsiderueshëm për sigurinë e të dhënave”, tha Threema.

“Në një demokraci të shëndetshme, duhet të jenë qytetarët ata që mbikëqyrin qeverinë – mbikëqyrja masive është përmbysja e këtij parimi demokratik.”

Whittaker tha se Signal nuk do të kompromentonte kurrë integritetin e enkriptimit të saj nga fillimi në fund.

“Ne kurrë nuk do ta minojmë … teknologjinë që garanton privatësinë në të cilën mbështeten miliona e miliona njerëz në mbarë botën, shpesh në situata jetë a vdekje, pikë.”

“Jemi të trishtuar që shohim politikanë që angazhohen vazhdimisht në një formë të të menduarit magjik që supozon se mund të krijosh një derë të fshehtë, që vetëm njerëzit e mirë do të jenë në gjendje ta aksesojnë.”

Në debatin e BE-së mbi kontrollin e bisedave, Parlamenti Evropian i ka kundërshtuar plane të tilla me një shumicë të gjerë në të gjitha grupet politike.

Megjithatë, në Këshillin e Shteteve Anëtare, shumica ishte në favor të kontrollit të bisedave.

Megjithatë, pa Gjermaninë dhe disa vende të tjera, planet nuk mund të zbatoheshin.

Kjo mund të ndryshojë nën presidencën daneze të Këshillit.

Whittaker tha se në skenarin më të keq, Signal do të bashkëpunonte me partnerët dhe komunitetin për të gjetur mënyra për të anashkaluar rregulla të tilla.

Signal e ka bërë këtë më parë kur aplikacioni u bllokua në vende si Rusia ose Irani.

“Por në fund të fundit, ne do të largoheshim nga tregu, përpara se të zbatonim legjislacionin e rrezikshëm si ai.”/ DPA News.