Partia e Lirisë e mbështet kandidaturën e Florjan Binajt, të propozuar nga Sali Berisha për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH me gazetarin Arbër Hitaj, tha se Binaj si kandidaturë është “ilaçi” më i mirë i shërimit të Tiranës nga korrupsioni. Ai deklaroi se kandidatja e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, do të marrë një rezultat zhgënjyes në kryeqytet.
“Partia e Lirisë e mbështet qartësisht këtë kandidaturë. Është një kandidaturë që në vlerësimin tonë është ilaçi më i mirë i shërimit të Tiranës nga korrupsioni dhe inkriminimi përballë një kandidature të kthyer në simbol, jo vetëm të korrupsionit galopant, por një kandidat që mund të jetë jo kandidate për kryetare bashkie, por një kandidate për krime kundër njerëzimit. Ka qenë ministrja që ka keqmenaxhuar situatën e pandemisë COVID me një sërë skandalesh mbi kurriz, një sërë çështjesh të pahetuara qëllimisht në SPAK. Është një skllave e bindur e Ramës, e cila do të marrë një rezultat zhgënjyes”, tha Blushi.
Ai u shpreh se Binaj është një kandidaturë që gëzon popullaritet.
“Është një figurë e spikatur në fushën e artit, por edhe një nga aktivistët në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit, edhe si drejtues i një emisioni investigativ”, theksoi Blushi.
Një koment pati edhe për daljet publike të Florjan Binajt krah kryeministrit Edi Rama dhe Erjon Veliajt.
“Asnjë kompleks nga një artist, i cili deri dje ka qenë besnik i profesionit. Binaj njëherazi është edhe arkitekt. Nuk ka asnjë lloj kompleksi. Këto që ju i konsideroni shfaqje në fakt rrëzojnë atë pretendimin se ka qenë kandidaturë e përzgjedhur posaçërisht nga PD-ja për të zhbërë një figurë e cila nuk ke çfarë t’i kritikosh, nuk besoj se mund të kishim një kandidat më të mirë në kushtet aktuale”, u shpreh Blushi./kb