Keqardhje për rezultatin, por krenari për lojën e bërë nga skuadra e tij. Kjo ishte me pak fjalë ajo që deklaroi presidenti i Tiranës, Refik Halili, pas ndeshjes që skuadra e tij humbi të martën në mbrëmje përballë Crvena Zvezdës.
“Ishte një ndeshje e mirë dhe mund të them se ishim pa fat, – tha kreu i klubit bardheblu, duke folur në hyrje të Stadiumit “Arena Kombëtare”. – Bëmë një lojë shumë të mirë.”
“U eliminuam nga Liga e Kampioneve, por dua të përgëzoj këtu gjithë ekipin që dha shpirtin në lojë dhe dëshmoi një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kjo na bën optimistë për sfidat e radhës.
Brenda këtyre ditëve do të na vijnë edhe disa përforcime dhe, duke qenë se skuadra tanimë po stërvitet me ngarkesë të plotë, unë mendoj se në përballjet e radhës do të shohim një Tiranë më të mirë. Më vjen keq sepse bëmë një lojë më të mirë sesa në Tbilisi dhe prandaj meritonim më shumë.”
Kampionia e Shqipërisë, Tirana, është mundur minimalisht përballë kampiones së Serbisë, Crvena Zvezdës, të martën në mbrëmje, me një gol të shënuar në pjesën e dytë.
Përkundër rrjedhës së lojës, ku Tirana ishte më e rrezikshme, pasi, në një goditjeje këndi, është kampionia serbe gjen golin, kur Tomane godet saktësisht me kokë dhe përshëndet rrjetën, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi në minutën e 61-të. Një epërsi që mbetet deri në fund dhe më tej kalon Crvena Zvezdën.