Hapja e shkollave/ Skepticizëm për planin e Ministrisë së Arsimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vendimi i qeverisë për t’i rihapur shkollat në mes të pandemisë, ka hasur në skepticizëm për masat që po merr Ministria e Arsimit për të garantuar sigurinë e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve. Opozita, ekspertët e arsimit dhe shoqatat e të drejtave të fëmijëve vijojnë të ngrenë pyetje mbi masat që do të merren në këtë drejtim.

 Nga Blerina Gjoka

Shtatori është muaji që hap dyert e shkollave për nxënësit e sistemit parauniversitar në të gjithë vendin, por ndryshe nga entuziasmi që ka shoqëruar jetë e mot këtë ritual të rikthimit të mijëra fëmijëve në bankat e tyre, këtë vit ka frikë dhe pasiguri. Të gjendur në mesin e pandemisë COVID-19, kur rastet e infektimeve dhe vdekjeve vijnë në rritje që prej hapjes së vendit, vendimi për hapjen e shkollave është pritur me skepticizëm nga opozita, nga shoqatat e fëmijëve dhe nga prindërit.

Një udhëzues i përgatitur me shpejtësi dhe i shpërndarë nga Ministria e Arsimit, ku bëhen të dituara masa praktike që duhet të marrin shkollat, për shkak të pandemisë, nuk kanë qetësuar, por kanë ngritur akoma më shumë pikpyetje për garancinë e zbatueshmërisë së tyre. Ky udhëzues përcakton mësim me turne, ruajtje të distancës mes fëmijëve në klasë dhe jashtë saj, si dhe mbajtje të maskës dhe ruajtje e higjienës në ambientet e shkollës. Por, koha e shkurtër që u lihet në dispozicion shkollave dhe kushtet në të cilat ato zhvillojnë mësimin, kur klasat janë të tejmbushura me mbi 30 nxënës, janë dy nga faktorët që çojnë në këtë skepticizëm. Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga fillimi i shkollës, Ministria e Arsimit ka nisur konsultimet me grupet e interesit.

Ministrja Besa Shahini tha dje se Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, bashkë me Këshillin Kombëtar të Prindërve, sindikatat e arsimit apo organizatat e ndryshme, po punojnë për të siguruar kushte sa më të sigurta në shkolla. Shahini thotë se qëllimi kryesor është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve në mësim ndaj COVID-19. Ajo theksoi se konsultimet do të vijojnë deri në hapjen e shkollave më 14 shtator teksa në Shqipëri mësimi do të zhvillohet në ambientet e institucioneve arsimore, sipas udhëzuesit të paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë. Por opozita ka kritikuar mënyrën si po e menaxhon situatën kjo Ministri, dhe ka ngritur shqetësime konkrete për masat që po merren dhe sa efektive do të jenë ato. Edhe ekspertët e arsimit dhe vetë prindërit janë shumë skeptikë për masat e marra dhe sa do të jenë të zbatueshme ato në realitet, me mungesën e hapësirës në shkolla dhe të stafit shtesë të mësuesve.

Qëndrimi i opozitës

Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, në disa dalje publike ka ngritur pyetje të shumta për Ministrinë e Arsimit dhe masat që po merren për rihapjen e shkollave. Në një deklaratë të djeshme ajo tha se rihapja e shkollave nuk ka një plan të qartë, dhe se qeveria nuk ka marrë asnjë masë serioze për përballimin e pandemisë. Vokshi u shpreh se rreth 510 mijë nxënës dhe mësues rrezikohen nga improvizimi dhe paaftësia e qeverisë në ikje. Ajo shton se pa marrjen e masave urgjente dhe serioze, dështimi i qeverisë rrezikon rritjen e një brezi covid. “Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria nuk ka siguruar asnjë kusht për zhvillimin e mësimit të fëmijëve gjatë pandemisë së COVID-19. Situata bëhet edhe më kritike me shembjen dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të mbi 300 objekteve arsimore, për shkak të tërmetit të nëntorit të kaluar. Qeveria nuk e mbajti premtimin për t’i ndërtuar shkollat deri në shtator dhe tani me rrezikun e COVID-19 gjendja është alarmante.” – theksoi ajo.

Në këtë kontekst Vokshi kërkoi përgjigje për disa pyetje konkrete që ngrihen, duke pasur parasysh problemet me të cilat përballet ky vit shkollor. “Cili është plani i qeverisë për të sistemuar mbi 23 mijë nxënësit dhe mësuesit, që nuk kanë më një shkollë, për shkak të tërmetit? Si do të bëhet shpërndarja e tyre në klasa, për të garantuar distancimin, kur dihet se klasat janë të mbipopulluara, edhe pa shembjen dhe dëmtimin e këtyre 300 objekteve arsimore. Nga 11 bashkitë e prekura nga tërmeti, gjendja është shumë kritike në Tiranë dhe në Durrës, ku ndodhen më shumë se gjysma e shkollave të shembura dhe të mbyllura.” – pyet Vokshi. Më tej ajo ngre shqetësimin e zbatimit të protokollit të sigurisë për pandeminë pasi, sipas saj, ky protokoll është me rregulla të përgjithshme dhe i pazbatueshëm në pjesën më të madhe të shkollave.

“Në udhëzim nuk parashikohet fare se çfarë ndodh me klasën, me shkollën, nëse nxënësit apo mësuesit infektohen. Prindërit, nxënësit dhe mësuesit janë të paqartë për orët e mësimit, për turnet në shkolla, si do të zbatohet distanca 1,5 metra e fëmijëve, çfarë do të bëhet për të garantuar kushtet higjieno-sanitare, në mënyrë që rinisja e mësimit të mos shndërrohet në një katastrofë shëndetësore.” – ngre pyetjen ish-deputetja, e cila shton se qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond shtesë për realizimin e këtij protokolli.

Lexo edhe :  Qori fitoi një mandat: Rama do të rrëzohet nga mbipushteti

Dy ditë më parë reagoi dhe shoqata e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve CRCA/ECPAT, duke i bërë thirrje qeverisë që ta anulojë vendimin për rihapjen e shkollave me këto nivele të përhapjes së pandemisë. “Hapja e shkollave duhet bërë vetëm nëpërmjet një plani kombëtar të mirëstudiuar, të konsultuar me prindërit dhe publikun, që merr në konsideratë shëndetin e fëmijëve, shkallën e përhapjes së virusit në Shqipëri, mundësitë e sistemit pediatrik që të përballet me rritjen e mundësisë që COVID-19 do të prekë edhe fëmijët më të varfër dhe më të ekspozuar ndaj sëmundjeve aspiratore, diabetit, mungesës së ushqimit të shëndetshëm etj.” – thuhet në reagim.

Ardi Stefa: Hapja e shkollave dhe një krahasim me vendet e BE-së

 

Njëri prej zërave kritikë në çështjet e arsimit, eksperti Ardi Stefa, në një analizë për vendimin e Ministrisë për të rihapur shkollat, sjell në vëmendje disa probleme që hasen me zbatueshmërinë e masave të marra anti-Covid. Duke e cilësuar një vendim të duhur hapjen e shkollave, ai bën një krahasim me masat që po merren në vendet e BE-së për të realizuar protokollin anti-Covid. “Në vendet e BE-së sot po investohet në tri drejtime: shtimi i ndërtesave të reja shkollore, me synim që të ulet numri i nxënësve në çdo klasë; rritja e numrit të mësuesve, për të përballuar me pak nxënës në klasa; përmirësim i sistemit të komunikimit elektronik, i rrjeteve të internetit, i pajisjeve individuale për çdo mësues e nxënës (dërrasa interaktive, kompjuterë dhe tablete), kualifikim i mësuesve për t’i zotëruar sa më mirë këto mjete, si ndihmëse të rëndësishme në përvetësimin e dijeve dhe jo si primare në mësimdhënie.” – shkruan Stefa.

Më tej ai thotë se çdo ndryshim thelbësor në sistemin arsimor kërkon një rishikim të buxhetit nga qeveria. “Në planet e MASR-së patjetër që duhet të parashikohen ndërhyrjet afatshkurtra anti-Covid, por mbi të gjitha, masat afatgjata për të përballuar me siguri dhe pa ndërprerje shkollore çdo lloj pandemie.” – shkruan Stefa. Më tej ai sjell disa faktorë që mund të jenë problematikë në zbatimin e këtyre masave, duke pasur parasysh kushtet e shkollave në vendin tonë dhe jep disa propozime për realizimin e protokollit të sigurisë si: test anti-Covid paraprak për gjithë personelin mësimor dhe shërbyes, mbajtjen e detyrueshme të maskës etj. Po ashtu, Stefa vë në dyshim mundësinë për zbatimin e masave. “Sipas udhëzimit të datës 23 gusht, “brenda klasës, nxënësit qëndrojnë në distancë 1,5- 2 metra larg nga njëri- tjetri.

Kur kjo nuk është e mundur, nxënësit ndahen në klasa të tjera!”. E, pra, në Shqipëri kjo nuk është e mundur. Pra, presupozohet mësimi me turne. Dhe këtu nuk merren parasysh disa parametra, njerëzorë e pedagogjikë”. Duke rimarrë dhe një herë shembullin evropian ai shton “Italia ka investuar 2,9 miliardë euro për rikonstruksionin e ambienteve shkollore, hapësirat e reja mësimore, për blerjen e 2,4 milionë bankave teke nëpër klasa, për blerjen e maskave, dezinfektantëve dhe dorezave për të gjithë nxënësit dhe personelin mësimor e ndihmës! Është shpallur konkursi për punësimin e rreth 84000 mësuesve të rinj. Është investuar në digjitalizimin e shkollave dhe krejt arsimit, duke pajisur me tableta nxënësit, mësuesit dhe duke kompensuar internetin për të gjitha shtresat në nevojë. Te ne? Sa nga këto janë zbatuar? Sa është buxheti shtesë për arsimin? – Zero!

Sa janë shkollat që i plotësojnë kushtet e hapësirave për nxënësit? – Pak ose aspak! Sa hapësira të reja janë marrë me qira për të përballuar numrin e reduktuar të nxënësve nëpër klasa? – Asnjë! Sa shkolla kanë higjienën e domosdoshme, ajrimin, ujin e pijshëm të rrjedhshëm gjatë gjithë ditës? – Nuk e di! Sa banka teke keni porositur për shkollat? – Nuk më rezulton! Sa maska, dezinfektantë keni blerë për shkollat? – Zero, pasi kjo është një kosto, që duhet ta përballojnë familjet e falimentuara tashmë ekonomikisht. Sa keni investuar në digjitalizimin e arsimit, pajisjen me mjete didaktike, tableta, akses në internet, rimbursimin e internetit për mësuesit? – Zero! Cila është platforma didaktike, në rast të ndonjë ndërprerjeje të përkohshme të shkollës? – Nuk keni! Sa mësues të rinj keni marrë për këtë vit shkollor? – Deri tani keni folur për 1300 mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta. Dhe vetëm kaq!”- shkruan ndër të tjera në analizën e tij Stefa. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

 

Të fundit

“Prezantonin ata që s’kanë idenë”, Roza Lati kunjë Top Channel-it?

Moderatorja e njohur Roza Lati përmes platformës "Instagram" ka treguar në lidhje me mungesën e saj në televizion. Në përgjigjet...

Frekuentoheshin nga elita! Cilat janë dy lokalet në Durrës që u sekuestruan sot nga SPAK

Në kuadër te operacionit të gjerë antimafia të koduar “Ura”, Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Prokurorinë e Barit, lëshuan një sërë urdhër-arrestesh si...

“Bisha”, “Seriali”…Ja disa nga pseudonimet që përdornin anëtarët e grupit kriminal

Një grup i fuqishëm kriminal shqiptar me qendër në Durrës u shkatërruar nga autoritetet italiane në bashkëpunim edhe me SPAK. Banda merrej me trafikun...

Papa Leone i bën thirrje Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza

Papa Leone XIV i ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke e përshkruar gjendjen...

Pa punë dhe pa ushqim si veproi Julia Ilirjani përballë vajzës dhe skamjes në Amerikë?

Aktorja Julia Ilirjani ka qenë e ftuar në “Ftesë në 5”, në daljen e saj të parë televizive që pas humbjes në zgjedhjet parlamentare...

Lajme të tjera

Web TV