Ekspertët e arsimit: Rihapja e shkollave pa plan, udhëzuesi i pazbatueshëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fillimi i vitit të ri shkollor duket se do të shoqërohet me probleme të shumta, për sa i përket zbatimit të udhëzuesit të Ministrisë së Arsimit për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Ekspertët e arsimit, Ndriçim Mehmeti dhe Ardi Stefa, në një intervistë për gazetën “Fjala”, shprehen se udhëzuesi është i pazbatueshëm, teksa theksojnë se është e nevojshme të rritet vëmendja e institucioneve përgjegjëse drejt arsimit, për sa i përket investimit dhe infrastrukturës.

 

 

Nga Ina Allkanjari

 

Rikthimi i nxënësve të arsimit parauniversitar në klasa shihet si një vendim pozitiv për shumë figura në vend, por shumë ekspertë janë treguar skeptikë lidhur me udhëzimin e publikuar së fundmi nga Ministria e Arsimit për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndonëse prej 14 shtatorit mijëra nxënës do të duhet të përshtaten me realitetin e ri që po jetojmë, pasi do të nisë procesi mësimor, ekspertët shprehen se udhëzuesi i publikuar është i pazbatueshëm. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, ekspertët e arsimit, Ndriçim Mehmeti dhe Ardi Stefa, shpjegojnë se nuk ka një plan konkret për rihapjen e shkollave, duk theksuar se është tejet e vështirë të zbatohen masat e përcaktuara në udhëzues për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në ambientet e arsimit parauniversitar. Mehmeti tregon se më të penalizuara në këtë situatë do të jenë shkollat e mëdha, kryesisht në kryeqytet, kjo për shkak të numrit të lartë të nxënësve dhe zhvillimit të mësimit me turne dhe me orare të reduktuara. Ndërkohë, sipas ekspertit Ardi Stefa, mbetet problematik fakti se ende nuk është akorduar asnjë buxhet për mësuesit, ndonëse është e nevojshme të shtohet numri i mësuesve, për shkak të rritjes së orëve të mësimëdhënies.

 

 

Ndriçim Mehmeti: Shkollat e mëdha më të penalizuarat, mësimi do të bëhet kaotik

 

 

Sa i zbatueshëm mendoni se do të jetë udhëzuesi i publikuar nga Ministria e Arsimit, lidhur me fillimin e shkollës për arsimin parauniversitar?

Udhëzuesi është i pazbatueshëm për shumë arsye. Si fillim, ne nuk kemi shkolla të cilat kanë ujë të rrjedhshëm. E dyta, nuk e menaxhojmë dot, thuhet se do të bëjmë orë mësimi 30 minuta, por do të bëhen 15 minuta pushim. Si do të pastrohen tualetet, si do të ajrosen klasat për 15 minuta. Muajt e parë mund të realizohet ajrosja, sepse jemi vend i ngrohtë, por kur të ulen temperaturat, si do t’i mbajmë hapur dritaret në shkolla.

Mendoni se orët e shkurtuara do të ndikojnë në mësimëdhënie, rrjedhimisht edhe në formimin e nxënësve?

UNICEF-i, në një studim të bërë, thotë se ne po hapim një gropë të madhe që është e vështirë ta mbyllim. Pra, jo vetëm që do ketë një ndikim të cunguar, por nëse shohim programin, thuhet që mësimi do të fillojë me përsëritje. Nëse fillohet me përsëritje, po programin tjetër kur do ta realizojnë. Çfarë do bëhet me 30 minuta mësim. Si do të bëjë mësim nxënësi i arsimit profesional me 30 minuta, çfarë mjeshtërie do të mësojë ai?!

Po në rast se një mësues preket nga COVID-19, çfarë do të ndodhë?

Thuhet që në këtë rast mësuesi do të izolohet, por do të japë mësim on line. Si do të japë mësim, kur do të jetë i sëmurë dhe duhet t’i nënshtrohet një regjimi të fortë për t’u kuruar. Çfarë do ndodhë me shtresat që janë në nevojë. Po fëmijët autikë si do t’i mbajnë 6 apo 4 orë mësimi, apo fëmijët në nevojë.

Në një situatë të tillë, mendoni se do të penalizohen më së shumti shkollat e mëdha?

Do të penalizohen shkollat e mëdha dhe me shumë gjasë do t’i hapim dhe do t’i mbyllim shkollat sërish, duke u shprehur se do të kemi rrezik Covid-i dhe do të vazhdojnë on line. Do të bëhet kaotik, pasi një pjesë do të vazhdojnë on line dhe një pjesë do të vazhdojë fizikisht, p.sh., shkollat e vogla, pasi do të shprehen se nuk kanë probleme. Menaxhimi do të jetë shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Do të ketë mangësi në disa lëndë, p.sh. Edukimi Fizik dhe Artet, por edhe lëndë të tjera. Kjo sepse vetë ministrja i diskriminoi, duke thënë se ka lëndë kryesore dhe dytësore. Nuk ka lëndë kryesore dhe dytësore, sepse nëse dikujt i pëlqen matematika, dikujt tjetër i pëlqen historia. Pra, ka një sërë problemesh me të cilat do të ndeshen ashpër shkollat tona.

Për sa u përket mësuesve, kalimi i shkollës me turne do t’i rrisë orët e mësimdhënies. A do të ketë ndihmë financiare, të akorduar për këtë rast?

Nuk ka buxhet, kjo është më e keqja. Nuk ka buxhet për mësues, nuk ka buxhet për dezinfektim, si vendet e tjera. Pra, vendet e tjera të botës, duke përfshirë Kosovën, p.sh. kanë vendosur që maskat t’i marrin nga UNICEF-i dhe do t’i shpërndajnë së bashku me librat. Edhe Greqia, Italia, Mali i Zi do t’i shpërndajë falas, sepse është një kosto edhe për prindërit. Gjithë kostoja dhe barra financiare do t’u lihet prindërve.

Lexo edhe :  Lezha numëron të gjitha votat për kandidatët, ja emrat që futen në Kuvend

Mendoni se ekziston mundësia e shtimit të stafit pedagogjik?

Nuk ka asnjë plan. Nuk ka as plan A, as plan B dhe as plan C. I vetmi plan është që janë pa plan

Ardi Stefa: Ministria po investon në rritjen e analfabetizmit funksional në Shqipëri

 

Si ekspert arsimi, si e gjykoni vendimin e hapjes së shkollave në shtator?

Praktikisht udhëzimi i Ministrisë së Arsimit lidhur me hapjen e shkollave është i pazbatueshëm. Nuk do të mund të ruhet dot distancimi fizik mes fëmijëve. Edhe nëse arrin të ruhet në disa shkolla, p.sh, ato të fshatrave, nuk do të mund të ruhet distancimi fizik në shkollat e qytetit. Supozojmë se do të arrihet të ruhet distancimi në shkollat me turne, kush na garanton se kjo distancë do të ruhet pas mësimit.

A është parashikuar buxhet për marrjen e mësuesve shtesë gjatë kësaj periudhe pandemie?

Si mund të realizohet mësimi me turne, kur nuk është parashikuar asnjë buxhet për mësues shtesë. Praktikisht në disa shkolla po bëhen oraret, dhe p.sh. një mësueseje anglishteje, në varësi të numrit të klasave dhe turneve që do të bëhen, i del norma 30 orë nga 20 orë që mund të jetë normalisht. Praktikisht, 30 orë është shkatërruese për mësuesit. Një gjë e tillë është praktikisht e pamundur dhe e parealizueshme. Kjo ndodh, sepse shteti nuk ka parashikuar buxhet për marrjen e mësuesve shtesë në këtë periudhë. Gjithashtu, duhen parë edhe shkollat private, pasi janë pjesë e këtij sistemi. Në shkollat private po abuzohet me mësuesit. Jo vetëm që një pjesë e mësuesve nuk janë paguar, sepse nuk ekziston shteti që t’i kontrollojë, por po mbyll sytë përpara një shkeljeje të tillë. Tashmë kërkohet që këta mësues të torturohen. Kjo ndodh, sepse shteti nuk i mbron.

Pse mendoni se është i pazabatueshëm ky udhëzim i Ministrisë?

Sa shkolla kemi ne që mund t’i plotësojnë kushtet. Me këtë udhëzues që ka dalë nga ana e Ministrisë, që dëshmon për një papërgjegjshmëri totale, ky është një vit shkollor i humbur. Ministria po investon në rritjen e analfabetizmit funksional në Shqipëri. Si mund të bëhet mësimi në shkollat e mëdha nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:45 të mbrëmjes. Pra, me 4 turne në disa shkolla të mëdha. Praktikisht, këto shkolla nuk do të kenë mundësi të dezinfektohen, pasi do të largohet një grup nxënësish dhe me një diferencë prej 15 minutash do të vijë grupi tjetër. A do të kenë mundësi pastruesit që ta kryejnë dezinfektimin dhe pastrojnë shkollën. Pra, edhe këtu çedon. E gjithë kjo bëhet me prapamendim, të bëjmë sa mundemi dhe të kalojmë sërish në formën e mësimit on line. Këta nuk po investojnë fare për arsimin, është një udhëzim krejtësisht i pazbatueshëm, që të na kthejë sërish në pikën zero. Në pikën që ne ishim në marsin e 2020-ës, kur shkollat u mbyllën. Janë shumë gjëra që e bëjnë këtë udhëzim të pazbatueshëm.

Mendoni se ekziston mundësia që shkollat të bëhen vatër infeksioni?

Nuk duhet harruar që ne nuk kemi shkolla që të kenë ujë të rrjedhshëm, nuk kemi shkolla që të ruhet distanca fizike mes nxënësve. Nuk kemi një shtim të numrit të mësuesve, të cilët do të përballojnë një ngarkesë mësimore. Nuk kemi kryerje të tamponëve për mësuesit të cilët janë shumë të rrezikuar. Nga ana shëndetësore, shteti duhet që mësuesve në radhë të parë t’u garantojë bërjen e tamponëve falas, përpara se të fillojë viti mësimor.Të gjithë mësuesve në Republikën e Shqipërisë t’u mundësohet bërja e tamponëve falas. Gjithashtu, menjëherë pas bërjes së tamponëve të mësuesve, duhet të bëhen tamponet e prapavijës. Pra, punonjësve të mensave, të pastrimit, të rregullimit të territoreve të shkollës etj. Pra, këta janë kategoria e dytë që duhet tu bëhet tamponi.

Çfarë zgjidhjeje mendoni se duhet ofruar në një situatë të tillë?

Njëra nga zgjidhjet, të paktën në shtet, mendoj se duhet të jetë rekrutimi i mësuesve të rinj, ose rekrutimi i atyre mësuesve që mund të jenë në vitin e fundit të masterit, në pritje të marrjes së licencës së mësuesit. Këta mund të futen, 1 vit, 9 muaj, sa të zgjasë një vit shkollor. Të japin mësim, natyrisht jo në nivelet e larta apo në klasat e rëndësishme, dhe të paguhen me një 50-70% të pagës së një mësuesi, dhe të gjendet një mundësi. Një mënyrë tjetër, p.sh. drejtoritë arsimore e dinë shumë mirë që ka një numër të lartë mësuesish që punojnë në shkolla private, të cilët mund t’i fusin të paktën këtë vit, automatikisht në sistem dhe t’u garantojnë një vend pune në shtet. Pra, të jepet një mundësi edhe për mësuesit e shkollave private, të cilët nuk janë në sistem, por automatikisht mund të dalin të papunë në shtator, dhe të rekrutohen. Duhet bërë një studim nga Ministria që këta mësues të mos ngelen pa punë, duke anashkaluar procedurat e portalit, për shkak të situatës në vend. /Ra.My.Fjala.al

 

Të fundit

Festa e titullit, Martinez bie nga autobusi, Barcelona raporton për gjendjen e lojtarit

Pas suksesit ndaj Espanjolit, Barcelona ka festuar gjatë në Katalunjë titullin kampion, por një video që ka marrë vëmendjen...

Erdogan i kap gishtin Macron dhe nuk ia lëshon/ Videoja nga Samiti në Tiranë bëhet virale

Një moment sa befasues aq edhe komik u kap gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ku presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u...

Përplasje me gazetarët, policia çon në SPAK Edi Palokën dhe Klevis Balliun

Policia ka referuar në SPAK materialet për demokratët Edi Paloka dhe Klevis Balliu, pas incidentit me gazetarët të ndodhur gjatë protestës së opozitës ditën...

Ceremonia e përurimit/ Papa Leoni XIV: Vij para jush si një vëlla (VIDEO)

Papa Leoni XIV, ka mbajtur fjalën e tij gjatë ceremonisë së përurimit si kreu i Vatikanit. Papa tha se vjen para besimtarëve si një...

FOTO/ Imazhi i Shën Pjetrit dhe vula e tij, dalin pamjet e unazës së Papa Leonit XIV

Vatikani ka publikuar detajet e unazës së Papa Leonit XIV, e cila ka një imazh të Shën Pjetrit në shiritin e jashtëm, me mbishkrimin...

Lajme të tjera

Web TV