Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja që ndodhi një ditë më parë në Shkodër ku një 38 vjeçar u qëllua me armë.
Tonin Larushku nga fshati Toplanë i Vaut të Dejës ka marrë një plumb në bark dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të së martës në afërsi të bustit të Prekë Calit. Policia fillimisht identifikoi me shpejtësi autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin Luverdo Kola, 29 vjeç banues në Shkodër i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Sipas burimeve nga vendngjarja mësohet se palët edhe më përpara janë përfshirë në debate të ndryshme. Autori i dyshuar ka një lokal ndërsa përballë tij është një dyqan mishi që është i djalit të xhaxhait të të plagosurit. Debati një ditë më parë mësohet se ka nisur për parkimin e një makine pranë lokalit të autorit të dyshuar Luverdo Kola.
Si fillim, debate ka nisur për çështjen e parkimit dhe më pas ai ka degraduar në dhunë fizike.
Në një moment sipas burimeve nga vendngjarja një person ka qëlluar makinën e shtetasit Luverdo Kola ndërsa ky i fundit është larguar duke i shpëtuar plumbave. Më pas 29-vjeçari ka marrë makinën e tij dhe ka ndjekur palën tjetër për rreth 40 metër. Mjeti ku ndodhej edhe Tonin Larushku ka frenuar me shpejtësi dhe kanë dalë nga makina dhe në atë moment dyshohet se 29-vjeçari Luverdo Kola ka hapur pak xhamin e makinës dhe nga mjeti i tij dyshohet se ka qëlluar 38-vjeçarin duke e lënë të plagosur dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Sipas burimeve të dy palët më përpara kanë pasur një shoqëri të afërt por kohët e fundit mes tyre kanë lindur disa debate që lidhen edhe për shkak të dy subjekteve që kanë, lokalit dhe dyqanit të mishit që janë përballë. Policia vendore e Shkodrës vazhdon hetimet ndërsa mësohet se në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhojat e plumbave edhe pse është qëlluar në dy momente të ndryshme. Për të mësua më tepër rreth kësaj ngjarjeje, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë.
/Fjala.al/Ke.Ba