Ekipi kroat i 4 shqiptarëve mundet thellë, 0-5, përballë Malmoes dhe eliminihohet. Përveç dy ekipeve të trevave shqiptare, kampiones së Kosovës, Dritës së Gjilanit, dhe Shkëndijës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut, skuadra tjetër që ka patur shqiptarë në ndeshjet e së enjtes mbrëma, të vlefshme për turin e 3-të eliminator të Ligës së Evropës, ka qenë Lokomotiva e Zagrebit, e cila është përballur në Suedi me Malmoen.
Dhe ka qenë një mbrëmje për t’u harruar ajo e së enjtes për nënkampionen e Kroacisë, ku aktualisht militojnë 4 futbollistë shqiptarë, pasi ajo është mundur thellë, 0-5, përballë vendasve të drejtuar nga trajneri danez, Jon Dahl Tomason. Mbrojtësi Jon Mersinaj, mesfushori Enis Çokaj dhe sulmuesi Sherif Kallaku, kanë luajtur si titullarë në këtë takim.
Ndërsa shqiptari i 4-të, Indrit Tuci, është futur në fushë në vend të Samirit, në minutën e 69-të, kur rezultati ishte 0-4 në favor të Malmoes. Ndërkaq, ish-futbollisti i Teutës, Kallaku, është tërhequr nga loja 6 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur vendasit kryesonin 5-0. Me pak fjalë, ka qenë një ndeshje e dobët e skuadrës kroate ajo e së enjtes ndaj suedezëve.
Një mbrëmje që ul edhe siparin e aventurës kontinentale për Lokomotivën e Zagrebit, që sidoqoftë i tejkaloi pritshmëritë për buxhetin modest që ka. Ndërkaq, Bazeli ka siguruar kualifikimin për në turin tjetër, duke mundur 3-2 në shtëpi Anorthosisin e Famagustës, por futbollisti i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, mungoi për shkak të një dëmtimi.
La.Mi/Fjala.al