Operacioni “Bernhard”, paratë false të Hitlerit për të shkatërruar Anglinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Historia e spiunazhit botëror” (fragment) shkruar nga autorët Genovefa Etienne dhe Claude Moniquet

Në maj të vitit 1945, disa ditë pas kapitullimit të ushtrive hitleriane, disa ushtarë amerikanë asistojnë në një skenë të çuditshme në Redl-Zipf, një fshat i vogël në Austri. Ata nuk u besojnë syve të tyre: banorët vendës janë duke peshkuar nga lumi Ens me mijëra kartëmonedha. Në të njëjtën kohë, jo larg prej aty, një kapiten i Vermahtit, i cili dorëzohet vetë, u jep amerikanëve kamionin e tij me ngarkesë.

Kjo ngarkesë, e quajtur reichwichtig (me rëndësi kombëtare), është gjithashtu befasuese: janë plot 23 arka të mbushura plot me kartëmonedha: stërlina angleze. Majori Xhorxh Mc Nelli, specialist i kartëmonedhave false, dhe një emisar i Bankës së Anglisë, mbërrijnë menjëherë këtu. Raporti i tyre është sensacional: prerjet janë falsifikime të Bankës së Anglisë.

Sipas një vlerësimi të shpejtë, bëhej fjalë për rreth 40 milionë sterlina, në kartëmonedha, 5, 10 dhe 20 stërlinash. Kështu del në dritë një nga ngjarjet më të bujshme të historisë, ajo e falsifikimit të kartëmonedhave, realizuar nga Hitleri. Në vitin 1942, Himleri që projekton që nga fillimi i luftës të rrënojë ekonominë britanike, duke prodhuar kartëmonedha false, ia beson këtë operacion një nazisti të ri, kapitenit Bernhard Kruger.

Nga ana e tij, ky i fundit rekruton teknikë dhe ekspertë në fushën e shtypshkrimit, dhe këtë e bën jo pranë shtypshkronjës kombëtare të Rajhut, por në kampet e të burgosurve. I gjithë ekipi i tij, rreth 40 veta, çifutë, çekë, polakë, norvegjezë, francezë, transferohen në kampin e përqendrimit në Sachsenhausen, në veri të Berlinit. Dhe në bllokun 19, një ndërtesë e izoluar, e rrethuar gardh me tela me gjemba të elektrifikuar, ku debuton në fshehtësinë më të madhe, operacioni “Bernhard”.

I pajisur me fjalën e fundit të teknikës së kohës, të lëvruara nga fabrikantët gjermanë, kjo atelie e përgatitjes së kartëmonedhave false, shumë shpejt bëhet shumë rentabël. Valter Shellenberg, shef i AMT VI (Byroja e 6-të e shërbimit të sigurimit e Rajhut), ngarkohet me detyrën që të bëjë shpërndarjen e parë e këtyre kartëmonedhave false, punë që e bën pa ndonjë vështirësi të madhe, para që ua shpërndan agjentëve të Gestapos me punë në ambasadat gjermane në shtetet neutrale.

Që nga ky çast prodhimi i kartëmonedhave shtohet rreth 400000 kartëmonedha në muaj, punë kjo që kërkon edhe ngritjen e një atelieje të dytë. Përgatitësit e këtyre kartëmonedhave false, që krahasuar me të burgosurit e tjerë të kampit kanë një trajtim më të privilegjuar, janë tani afër 150 veta, të shpërndarë në disa seksione: gravura, shtypja dhe shpërndarja.

Të gjitha kartëmonedhat zgjidhen dhe klasifikohen në kategori specifike. Ndërsa ekzemplarët e përkryer kanë si destinacion gjithmonë gjermanët që punojnë në shtetet neutrale, si dhe spiunët, ndërsa prerjet jo dhe aq perfekte u jepen agjentëve të Gestapos në vendet e pushtuara. Ndërsa prerjet ku falsifikimi nuk është dhe aq i përkryer, ato magazinohen ose hidhen në tregun e zi.

Gjatë vitit 1943, me mijëra kartëmonedha false qarkullojnë në Londër. Ekspertët anglezë, të impresionuar, detyrohen të pranojnë se është hera e parë që ata shohin kartëmonedhat e Bankës së Anglisë të imituara me kaq shumë cilësi. Pikërisht në këtë periudhë, Krugeri arrin, në sajë të eksperiencës së akumuluar, t’u japë kartëmonedhave edhe pamjen sikur ato janë përdorur më parë, pra të vjetruara, duke shtuar mbi to disa produkte kimike me bojë. Tani asgjë s’e ndal më atë dhe ai ka ndër mend të fabrikojë edhe dollarë fals. Por kësaj here ai ndesh në disa vështirësi: asnjëri prej prerësve të kartëmonedhave nuk arrin dot ta imitojë siç duhet letrën e dollarit.

Megjithatë Krugeri nuk dekurajohet dhe u kërkon shërbimeve sekrete të Himlerit që të gjejnë një specialist për të fabrikuar dollarin. Ky zog i rrallë, një cigan bullgar me emrin Solli Smolianof, nuk është fillestar në këtë punë. Aktiviteti i tij në këtë fushë ka bërë që ai të kalojë nëpër disa burgje evropiane.

Lexo edhe :  Ushtritë më të fuqishme në botë, ja ku renditen në listë Shqipëria dhe Kosova

Në fund të vitit 1944, dalin në treg kartëmonedhat e para 50 dhe 100-dollarëshe të falsifikuara. Por lufta tashmë ka marrë një drejtim tjetër. Berlini përballet me bombardimet gjithnjë e më të shpeshta dhe kështu kampi i Sascsenhausen-it ka rrezik të asgjësohet. Krugeri vendos ta transferojë atelienë e tij në Redl-Zipf, në një galeri nëntokësore, e hapur në paretet shkëmbore prej graniti të Alpeve austriake. Smolianofi nuk do të ketë kohë t’i rentabilizojë matricat e tij…

Himleri, duke pasur frikë se mos punishtja bie në duart e amerikanëve, jep urdhër të digjen arkivat dhe kartëmonedhat false të magazinuara, si dhe presat të hidhen në liqenin Toplitz, si dhe të transferoheshin të burgosurit që punonin për “Bernhard” në një kamp tjetër, në Ebense. Kështu ndizet një kaldajë që për tri ditë rresht digjte kartëmonedhat false.

Por disa oficerë SS, pavarësisht nga urdhrat e Himlerit, nuk arrijnë t’i bëjnë ballë tundimit që të groposnin një pjesë të këtyre kartëmonedhave. Një ushtar gjerman, i cili pa dyshim nga frika, ka preferuar që ngarkesën e tij ta hedhë në Ens. Të tjerët janë zhdukur. Krugeri, përfiton për t’ia mbathur edhe ai vetë.

Sipas disa thashethemeve, thuhet që Krugeri u vendos më pas si bankier në Buenos-Aires ose që mund të kishte vdekur në Bagdad. Por e vërteta është shumë më tepër prozaike: thuhet që ai ka jetuar fare i qetë pranë Hanovrit, ndërkohë që Interpoli e kërkonte kudo. Gjatë kërkimeve të tyre, hetuesit amerikanë do të arrijnë të gjejnë ish-të burgosur të cilët kishin qenë pjesëtarë të operacionit “Bernhard”. Por nga frika se mos implikoheshin, ata nuk flisnin.

Vetëm një çek, Oskar Skala, i cili kishte qenë shef kontabël i organizatës, pranon që t’i japë majorit Mc Nelli një bllok të vogël, i cili përmbante në mënyrë të hollësishme aktivitetin e prerësve të monedhave false. Sipas deponimeve të tij, 12 milionë kartëmonedha me një vlerë rreth 150 milionë stërlinash ishin prerë.

Nga këto 150 milion, 1 milion e gjysmë ishte nisur për në Turqi dhe në Lindjen e Mesme, tre milionë në Francë, Belgjikë e Holandë dhe 7 milionë e gjysmë kanë shërbyer për shlyerjen e detyrimeve gjermane në Spanjë, Portugali, Zvicër e në vendet skandinave. Amerikanët, arritën të sekuestrojnë 62 milion në kamionin e braktisur dhe në liqenin Toplitz. Askush nuk e di se ç’është bërë me 76 milion stërlinat e tjera.

Pavarësisht nga bashkëpunimi i Skalës, që na jep mundësi të rindërtojmë historinë, zhytësit britanikë nuk arrijnë t’i gjejnë matricat dhe makinat e prerjes së kartëmonedhave, sepse ata nuk mund të zhyten më shumë se 50 metra. Liqeni në fakt ka një fund të dyfishtë, sepse aty çdo vit bien pemë, sidomos në kohën e shkrirjes së borës. Me kohë ky dru grumbullohet duke krijuar një lloj dyshemeje të lëvizshme në thellësi, disa metra nën ujë. Edhe përdorimi i eksplozivit nuk arrin të krijojë një të çarë të kësaj sipërfaqeje. Kështu që tentativat për të gjetur diçka u lanë.

Por gjatë 6 viteve në vazhdim, kjo krahinë e cila nuk frekuentohej shumë, sheh se numri i “turistëve” është shtuar jashtë mase. Këta turistë janë sidomos të interesuar për sekretin e liqenit. Në vitin 1952, në vijim të një artikulli të botuar në Reader’s Digest lidhur me operacionin Bernhard, autori, Volfgang Lohde, reporter gjerman, vendos t’i vazhdojë kërkimet. Ai arrin ta bindë gazetën e tij që të financonte blerjen e një detektori metalik të pajisur me një kamera të fuqishme nënujore për të eksploruar fundin e liqenit. Kështu, më 27 korrik 1959, 14 vjet pas lufte, matricat si dhe kasafortat me kartëmonedha stërlinash dolën në sipërfaqe.

Për vite të tëra me radhë, kartëmonedha sterlinash do të vazhdojnë të dalin në sipërfaqe dhe, sipas fshatarëve të rajonit, ka akoma shumë sekrete në shpellat që rrethojnë liqenin./Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Plagosja e Elvis Halilajt në Kukës/ Vihet në pranga një 30-vjeçar

Një 30-vjeçar u arrestua në Tiranë, pasi dyshohet se është bashkëpunëtor i autorit të plagosjes së 29-vjeçarit në Kukës,...

Me valixhen mbushur me drogë, pranga 3 të rinjve në Tiranë

Policia ka vendosur në pranga 3 të rinj pasi akuzohet se shpërndanin doza kokaine dhe kanabisi, ndërsa në pamjet e publikuara nga blutë shihet...

Zgjedhjet e 11 majit/ VOA: Interesim i ulët i shqiptarëve të Greqisë për t’u regjistruar

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të martën e 24 shkurtit, mbi 80 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi...

VOA analizë: Interesim ende i ulët i shqiptarëve të Greqisë për t’u regjistruar

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të martën e 24 shkurtit, mbi 80 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi...

Rruga e Arbrit, pa pagesë/ Rama: Sa të jem unë kryeministër nuk do të paguani

Të gjithë drejtuesit e mjeteve që do të kalojnë në rrugën e Arbrit pas hapjes së tunelit të Murrizit nuk do të paguajnë asnjë...

Lajme të tjera

Web TV