29 vite KQZ/ 7 zgjedhje të kontestuara, 12 kryetarë të larguar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Historiku i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 1991 deri më sot. Beteja politike që shigjetoi institucionin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe proceset më të kontestuara. Ilirian Celibashi, i vetmi që zgjidhet dy herë kryetar i këtij institucioni. Si do të funksionojë në zgjedhjet e 25 qershorit dhe KQZ-ja që nuk arriti të dalë nga “kthetrat” e politikës.

Nga Fernada Cenko

I pari kryetar i KQZ-së në vitin 1991 që menaxhoi zgjedhjet pluraliste pas 45 vitesh komunizëm ishte Rexhep Meidani. Ato zgjedhje nuk u kontestuan si të “manipuluara”, por më pas i gjithë procesi dhe koncepti menaxhim i votës së qytetarëve, kaloi në një luftë të ashpër, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve herë me përfaqësues politikë dhe herë nga shoqëria civile, u kthye në institucionin më të sulmuar, jo vetëm verbalisht. Në vitin 1997, godina e KQZ-së u rrethua nga pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu dhe mbështetësit e tij, pasi nuk njohu rezultatin e referendumit.

Mbeti edhe një viktimë nga shkëmbimi i zjarrit me forcat e policisë. Po ashtu, në zgjedhjet lokale të vitit 2011 përfaqësues të PS-së tentuan të futeshin në ambientet e brendshme të KQZ-së në kërkim të mandatit të kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, i cili fitoi ngushtësisht me dhjetë vota kundrejt rivalit Lulzim Basha, por më pas rezultati u përmbys në tavolinën e KQZ-së dhe Bashkia iu dha demokratëve.

Brenda KQZ-së gjithçka ka ndodhur, nga jashtë është sulmuar me armë, brenda sallës së mbledhjeve ka pasur raste që u kthye në arenë boksi, oborri i mbushur me afektivë të forcave speciale, apo kangjella që kapërceheshin nga politikanë… Gjithçka në një shfaqje dhune ku tensioni shkëputej nga qendrat e votimit në institucionin e KQZ-së, duke vijuar një tragjikomedi, ku “skenari” shkruhej në zyrat e partive të mëdha politike dhe “shfaqja” përfundonte në institucionin që duhet të ishte i pavarur dhe i drejtë në administrimin e çdo vote, vullnetit të qytetarëve.

KQZ-ja e përkohshme dhe e përhershme

Deri para vitit 1998 institucioni që administronte zgjedhjet ngrihej vetëm 45 ditë para zgjedhjeve dhe humbte funksionimin pas certifikimit të rezultateve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i formuar para referendumit për Kushtetutën e re, por edhe pas kësaj të fundit ka qenë historikisht nën survejimin e partive politike, duke qenë pengu i këtyre të fundit. Nëse Komisioni Qendror ngrihej për të qenë e paanshme për të certifikuar një rezultat zgjedhor, politika nuk e ka lënë kurrë rehat, duke vënë dorë nëpërmjet përzgjedhjeve të anëtarëve apo kryetarëve të saj.

Nëse bëjmë një analizë të shkurtër se çfarë ka ndodhur në këto gati 30 vjet, shihet se politika e ka parë KQZ-në të pandarë nga vetja. Në zgjedhjet që janë zhvilluar, pas pranimit nga Partia e Punës të pluralizimit politik në vitin 1991, në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë profesor Rexhep Meidani. Komisioni në përbërjen e tij ka pasur një numër të konsiderueshëm anëtarësh dhe ngrihej para zgjedhjeve nëpërmjet një dekreti të presidentit. Zgjedhjet e vitit 1991 ishin zgjedhje të dominuara plotësisht nga PPSH-ja dhe për nga vlera ishin të parat ku u garua nga parti të ndryshme politike.

Shumica dërrmuese e 250 mandanteve në Kuvend i fitoi PPSH-ja, e cila formoi qeverinë dhe zgjodhi dhe presidentin e vendit Ramiz Alinë. Më pas situata politike në këtë vit shënoi kulmime me grevën e minatorëve të Valiasit, me dorëheqjen e Fatos Nanos si kryeministër dhe formimi i qeverisë së përkohshme e drejtuar nga Vilson Ahmeti, e cila mori përsipër të organizonte zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan në 22 mars 1992.

Për të organizuar dhe administruar këtë proces zgjedhor u formua KQZ-ja me dekret të presidentit të asaj kohe. Komisioni Zgjedhor u drejtua nga profesori i fizikës, Niko Nosi. Pas këtyre zgjedhjeve të para pluraliste që mundësuan edhe rotacionin e pushtetit, zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Shqipërisë u realizuan në maj të vitit 1996. Për të administruar këto zgjedhje, me dekret të presidentit Berisha, u formua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ku në krye u vendos mjeku Nestor Tereska. Për çdo palë zgjedhje të zhvilluara deri në vitin 1998, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin përkatës për zgjedhjet.

Në bazë të ligjit të miratuar për zgjedhjet e 1996, KQZ-ja formohej mbi bazën e përfaqësimit politik të palëve. Partitë politike që ishin të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë u jepej e drejta të propozonin te presidenti kandidatët, dhe me dekret të tij, vendosej kryetari. Komisioni i ngritur nuk ishte politikisht i balancuar. Me Nestor Tereskën, KQZ-ja realizoj dhe procesin zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara në tetor të vitit 1996.

Si rezultat i presionit të madh, të bërë mbi mazhoracën e kohës, presion i cili, i gjithë, targetohej te Berisha u vendos dhe u ndryshua formula në përfaqësimin e KQZ-së në zgjedhje. U kalua në një institucion që përveç përfaqësimit politik kishte edhe balancimin politik të palëve, që do të thotë se mazhoranca dhe opozita në këtë komision kishin numër të barabartë anëtarësh, pavarësisht se cila qe struktura politike e Kuvendit të Shqipërisë dhe e dyta ndryshim i rëndësishëm ishte që KQZ-ja ishte e përhershme.

Vota dhe plumba…

Në qershor të ’97-s u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme të detyruara si pasojë e rezultateve që shoqëruan rënien e skemave piramidale. Komisioni u ngrit me dekret të presidentit. Në këtë komision të drejtuar nga Kristaq Kume, i cili vinte nga bota akademike, 8 anëtarë i përkisnin mazhorancës dhe 8 opozitës. Sipas ligjit zgjedhor të kohës, sekretari i KQZ-së ishte automatikisht drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Pushtetit Vendor në Ministrinë e Brendshme. Kryetari dhe nënkryetari i këtij komisioni Fatos Klosi, kishte pozitë juridike të barabartë.

Në kuptimin që çdo akt i KQZ-së që të merrte vlerë juridike do të kishte firmën e kryetarit, nënkryetarit dhe kundërfirmën e sekretarit të përgjithshëm, Thimio Kondi. Në atë periudhë ndodhi edhe përplasja me armë në oborrin e godinës së KQZ-së, e cila prej shumë vitesh e ka selinë në një pjesë periferike të Pallatit të Kongreseve. Ky komision ishte i përhershëm dhe, sipas kuadrit ligjor kishte detyrë të organizonte dhe administronte procese zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet e 97-s u caktua si kryetar i komisionit, Daver Cano, përfaqësues i Partisë Socialiste. Deri para miratimit të Kushtetutës, zgjedhjet apo referendumet janë administruar në zbatim të ligjeve të veçanta.

Në Kushtetutën e miratuar në vitin 1998, dy dispozita përcaktonin se KQZ-ja, si institucion kushtetues i kërkonin trupës legjislative të Shqipërisë të hartonte e miratonte kodin zgjedhor si një produkt legjislativ, pjesë të cilët duhet të ishin të mënyrat e zgjedhjeve. KQZ-ja si institucion kushtetues në përbërjen e tij do të kishte shtatë anëtarë, nga të cilët 2 do të ishin anëtarë të caktuar nga presidenti, dy anëtarë nga Kuvendi dhe tre të tjerë do të vinin nga konferenca gjyqësore. Ndryshe nga më parë nuk ndërtohej në bazë të përfaqësimit politik. Anëtarësia e këtij komisioni nuk kishte lidhje me partitë politike. Ngarkesën politike e kishin vetëm dy anëtarë, ata që do të miratoheshin nga Kuvendi.

Lexo edhe :  SPAK rrëzoi akuzat për Olsi Ramën, Berisha sulmon Dumanin

Në shkurt të vitit 1999 u institucionalizua institucioni i parë zgjedhor, po sipas këtij përcaktimi kushtetues. Kryetari i këtij komisioni u zgjodh Fotaq Nano, person që vinte nga bota akademike. Nano administroi procesin zgjedhor të vitit 2000. Pavarësisht se Kushtetuta në germë dhe në frymë për këtë institucion kishte si parim thelbësor pavarësinë e tyre, partitë politike bënë gjithçka për të zhbërë këtë parim dhe e politizuan duke interferuar në punën e këtij komisioni. Pas Fotaq Nanos, rolin e kryetarit të KQZ-së e mori Ilirian Celibashi me një mandat 6-vjeçar, dhe e ka konsumuar të gjithë këtë mandat. Pas përfundimit të mandatit të tij në krye të KQZ-së shkoi Çlirim Gjata.

Ka pasur një periudhë disamujore që KQZ-ja nuk kishte kryetar dhe në krye të këtij komisioni u zgjodh Klement Zguri. Në këtë kohë vakance u bënë gati procedurat për të zgjedhur kryetarin e ri, dhe mazhoranca e asaj kohe, Partia Demokartike, zgjodhi me shumicë të thjeshtë Arben Ristanin. Pas përfundimit të mandatit të Arben Ristanit, u ndërhy në ligjin zgjedhor ku u ra dakord që KQZ-ja të kishte barazi të plotë politike, që do të thotë tre anëtarë të komisionit të ishin të mazhorancës, tre të opozitës dhe kryetari do të zgjidhej me një procedurë ndryshe. Do të zgjidhej nëpërmjet garës që do të bëhej nga njërëz që dëshironin ta merrnin përsipër këtë detyrë.

Pra, pasi dorëzonin dosjet e të interesuarve kalonin në komisionin e ligjeve i drejtuar nga Ilir Rujsmali dhe më pas zgjidheshin 4 kandidaturat. Në përfundim të këtij procesi u zgjodh Lefteri Luzi. Pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar, Kuvendi i Shqipërisë, me të njëjtën procedurë zgjodhi si kryetar Denar Bibën, i cili nuk qëndroi shumë në këtë pozicion, pasi, sipas marrëveshjes PD-PS për qeveri teknike, PS-ja i dha kryesimin PD-së dhe u vendos në krye të atij institucioni Klement Zguri.

Këtë vit u bënë ndryshimet e fundit në Kodin Elektoral. Tashmë ky institucion ndryshoi edhe në formë. Nuk është më institucion kolegjial, por një institucion miks. Ka një komisioner shtetëror monokratik ka dhe dy struktura të tjera kolegjiale: Rregullatori dhe Kas. Në krye të këtij institucioni u zgjodh Ilirian Celibashi, i cili i rikthehet në KQZ, duke shënuar edhe një “rekord”, pasi është i vetmi që ka kaluar dy herë me mandate të plotë në postin e kryetarit.

Kush janë kryetarët që prej 1991-2020

Rexhep Meidani 1991

Niko Nosi 1992

Nestor Tereska 1996

Kristaq Kume 1997

Daver Cani 1997 zgjedhje politike dhe referendum për formën e regjimit

Fotaq Nano 2000

Ilirian Celibashi 2000-2006

Çlirim Gjata 2007

Arben Ristani 2009

Lefterie Luzi 2012

Denar Biba 2016

Klement Zguri 2017

Ilirian Celibashi 2020

Kristaq Kume: Ndryshimet ligjore sollën kushte më të mira për zhvillimin e zgjedhjeve

Eksperti i Reformës Zgjedhore, Kristaq Kume, ka komentuar ndryshimet që pësoi Kodi Zgjedhor në 23 korrik të 2020. Veç kësaj dha edhe opinionin e tij për rizgjedhjen e Ilirian Celibashit si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve. “Ilirian Celibashi është një ndër ata që po t’u referohemi aplikimeve të bëra për pozicionin e komisionierit shtetëror të zgjedhjeve dalloi dukshëm nga gjithë të tjerët”, u shpreh për gazetën “Fjala” Kristaq Kume. Ish-kreu i KQZ-së analizon procesin e ndryshimeve ligjore dhe si do të reflektohet kjo në zhvillimin e zgjedhjeve të reja, më 25 prill 2021.

Zoti Kume, jemi me një komision të ri zgjedhor që e drejton një ish-kryetar, siç është ilirian Celibashi. Rimarrjen e këtij institucioni nga ky i fundit si e komentoni?

Për mendimin tim, Ilirian Celibashi është një ndër ata që po t’u referohemi aplikimeve të bëra për pozicionin e komisionierit shtetëror të zgjdhjeve, dalloi dukshëm nga gjithë të tjerët. Kur kam parë listën, që në momentin e parë kam menduar se Celibashi do të jetë Komisioneri Shtetëror nesër.

Si i komentoni ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

Lidhur me ndryshimet që janë bërë në Kodin Elektoral, hartuesit e këtyre ndryshimeve janë kujdesur që të kenë mundësi sa më të mira ligjore në funksion të interesit të tyre garues në zgjedhjet që vijnë. Asnjë prej tyre nuk ra dakord për parimet e administratës zgjedhore. Pavarësisht deklaratave të bëra, mazhoranca deklaroi se “unë isha për ta bërë këtë gjë, por nuk donte opozita jashtë Parlamentit”.

Opozita e bashkuar jashtë Parlamentit deklaronte se “kjo e bën këtë ndryshim, por duhej të ndërtohej një administratë kripto që do të jetë e gjitha në interes dhe funksion të tyre”. Pavarësisht të gjithave, të dyja palët nuk kanë dashur ta bëjnë këtë gjë të tillë. Pra, u intereson që të mos kenë një administratë të pavarur. Dhe kjo u materializua shumë mirë në marrëveshjen e 5 qershorit, e cila përcaktoi se administrata zgjedhore nuk do të ndryshojë fare për mënyrën se si do të formohej. Duhet të theksoj se puna e bërë për ndryshimin në legjislacionin zgjedhor pati si rezultat ndërtimin e mekanizmave ligjorë, të cilat krijuan kushte për të pasur nesër një proces zgjedhor në të cilin mundësitë për të keq ndërhyrë në proces në format nga më të ndryshmet janë të pakta.

Pra, e thënë ndryshe, mundësitë për të pasur një proces zgjedhor sa më pak të kriminalizuar janë shumë të mira, në krahasim më ato të mëparshmet. Kodi zgjedhor ka parashikuar identifikimin elektronik të zgjedhësve, gjë për të cilën u ra dakord që të zbatohet si e tillë në gjithë territorin e vendit dhe ka si objektiv kryesor të saj pamundësisë së mbushjes të kutive nga komisionerë të pandërgjegjshëm, votimin në emër të një tjetri, votimin familjar e kështu me radhë. Pra, krijohet një kusht ligjor, që procesi zgjedhor të ketë në fund një kuti votimi ku vota të jetë magazinuar siç e ka hedhur vetë qytetari.

Shtuar kësaj edhe fakti që është përcaktuar në Kodin Zgjedhor se puna e komisionit të qendrës së votimit do të jetë nën vëzhgimin e një kamere. Kjo bën që fenomenet që kanë ndodhur lidhur me keqpërdorimin e procesit të votimit të mos ndodhin më. Ndryshimet që janë bërë në kodin zgjedhor që kanë ripozicionuar policinë, kanë futur mundësinë e vrojtimit nga sinjalizuesit, çka janë përcaktuar jo në Kod, por në Ligjin për Prokurorinë, SPAK. Së bashku me ndryshimet krijojnë kushtet që procesi i ardhshëm zgjedhor të ketë mundësi shumë më të mira se të mëparshmet për t’u realizuar në zbatim të standardeve. Unë mendoj se çka u realizua me miratimin e Kodit Zgjedhor në 23 korrik, ka bërë që kushtet legjislative për të zhvilluar procesin zgjedhor në plotësim të standardeve ndërkombëtare janë shumë më të mira se ato të mëparshmet./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

KLGJ mbyll pa vendim procedimet ndaj tre gjyqtarëve të shkarkuar

Nga Edmond Hoxhaj Procedimet disiplinore të inicuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Këshillin e Lartë Gjyqësor për tre...

Lufta e Putin po nxit stagflacionin rus

Ndërsa Rusia vazhdon të tregojë qëndresë, sinjalet në të gjithë ekonominë e saj janë alarmuese: inflacioni po rritet dhe mungesa e fuqisë punëtore dhe...

Cilat janë bankat e reja që do hyjnë në Shqipëri?

Prej 19 vitesh, në Shqipëri nuk është licencuar asnjë bankë e re. Por këtë vit, duket se një bankë e huaj ka shfaqur interes...

Çfarë tregton Shqipëria jashtë vendit?

regtia e jashtme e Shqipërisë për vitin 2024 ka shënuar zhvillime interesante me ndryshime në vlerat e mallrave të eksportuara dhe importuara krahasuar me...

Eksperti i Kriminalistikës: Ka dyshime që Talo Çela mund të jetë vrarë dhe zhdukur

Talo Çela, mund të jetë vrarë dhe zhdukur”, kështu është shprehur eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço në një intervistë të zhvilluar në emisionin “Real Story” në...

Lajme të tjera

Web TV