Fushata/ Nuk ka më paqe, akuza të forta mes Ramës dhe Metës  

Vizita e Ilir Metës në Selenicë të Vlorës, është kthyer në referen ditë me akuza e kundër akuza. Politika dje u ndal vetëm në Vlorë. Dy ditë më parë, presidenti Ilir Meta ishte në Selenicë me kërkesën e komunitetit atje për zhvillimin e një projekt të qeverisë në atë zonë. Por kjo vizitë nuk është pritur mirë nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe drejtuesi politik i PS-së në qarkun Vlorë Damian Gjiknuri.

Përfaqësuesit e qeverisë e akuzuan Metën se ka shkuar fshehurazi në këto dy njësi administrative. Meta në konferencën e përjavshme nuk e la jashtë fokusi edhe “kritikët e tij”. Ai ka sfiduar Ramën dhe Gjiknurin, duke iu thënë se mund të shkojnë të gjithë bashkë dhe të takohen në Sheshin e Flamurit. “Unë kam qenë se ata më kanë kërkuar, dhe kanë qenë 200-300 veta atje me shqetësime reale. Kur të kenë dëshirë, kur të dojë Damian, të marrë dhe Gurunë me vete, të shkojmë në Selenicë t’i takojmë banorët.

Presidentin e kërkoi populli. Presidenti vete në Vranisht ditën, po vete dhe natën. Në rastin konkret ka vajtur ditën, por po shkova natën do lajmëroj Damian”. Kreu i Shtetit tha se në Vlorë ka shkuar në mes të ditës, pasi e kanë kërkuar vetë banorët e Selenicës, për të diskutuar për rrugën, dhe sipas tij, në takim kanë qenë 200-300 veta.

“Kalojmë të vizitat e mia në Vlorë. Unë Vlorën e kam dhe do ta kem në zemër. Zotërinjtë e duan Vlorën për ta futur në xhepat e tyre. Ngaqë iu janë fryrë xhepat, iu duket Vlora e vogël. Iu duket aq e vogël Vlora, sa kanë çuar dhe atë Afrimin e Unazës. Nuk kam shkuar unë në Selenicë, por ka ardhur Selenica këtu, kanë ardhur përfaqësuesit që kanë bërë peticion, pse është hequr projekti për rrugën e tyre, që ishte financuar nga sauditët. Ata u mashtruan”, tha Meta duke nënvizuar se Presidenti nuk ka ikur fshehur, por në mes të ditës.

“Jam gati të shkoj në çdo moment, për t’u takuar me përfaqësuesit e Selenicës, jo me drejtorët e Vlorës. E kërkuan banorët nga Vlora deri në Orikum Presidentin, pasi pronat e tyre prekeshin nga një projekt i ri. Për këtë çështje kanë kërkuar dhe Avokatin e Popullit dhe po pres raportin dhe do të shkoj sërish”, tha Meta duke cituar ligjin që ka të bëjë me konsultimin publik, për çdo vepër publike që bëhet. Meta ka folur edhe për eskordën e tij. Sipas Metës, ai nuk lëviz me 400 makina sepse sipas tij, ai nuk ka frikë nga populli. “Presidenti lëviz gjithmonë në mes të ditës si president i popullit, jo si president i Bllokut me 400 makina, sirena e drita. Presidenti që keni këtu nuk ka frikë nga populli, do dal edhe në mes të Vlorës, në mes të Elbasanit, në mes të Librazhdit”, tha Meta.

Lexo edhe :  Prezantohet ministrja e Brendshme Albana Koçiu, i pranishëm edhe Rama

Kreu i shtetit është ndalur edhe tek ygjdhjet e zhvilluara katër vite me herët. “Zgjedhjet e para katër vitesh kanë qenë të manipuluara, e di gjithë bota. Dosjet u bënë ping-pong”, tha Meta. Ndërsa sa ju takon pronave në bregdet Meta tha se së shpejti do të ketë prova për tjetërsimin e pronave në bregdet. “E di gjithë Vlorë se çfarë kanë bërë e po bëjnë me pronat. Nuk janë sheikë që do vijnë aty, por janë tjerët që do vijnë përmes sheikëve.

Do të keni shumë shpejt fakte”, tha Meta. Presidenti Ilir Meta, në konferencën e përjavshme për shtyp, tha se as ai dhe as partia LSI-ja nuk janë të lidhur me persona të inkriminuar. “Unë nuk marr pjesë në zgjedhje. Në listat e partisë që kam themeluar unë nuk është Selam Çimi dhe asnjë tjetër që janë prekur nga dekriminalizimi.

Kur ai ka disa vite që e nxjerr Selam Çimin, le ta vendosë në krye të listës në Vlorë dhe të shikojë nëse do të marrë një mandat të Vlorë. Ish-partia ime për aq sa kam qenë unë ka qenë një shembull për personat që kanë pasur probleme me dekriminalizimin, edhe tani është shembull”, tha presidenti.