Liga e Kampioneve ka luajtur të martën në mbrëmje ndeshjet e kthimit të dy çifteve të para të turit të 16-shes, në përfundim të të cilave janë njohur edhe dy çerekfinalistet e para.
E para që ka siguruar vendin midis 8 më të mirave të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës ka qenë Borusia e Dortmundit, e cila e ka mbrojtur atë fitore 3-2 të arritur në ndeshjen e parë në fushë të huaj përballë Seviljes, duke marrë një barazim 2-2 në shtëpi. Ha’aland e ka kaluar Borusian në epërsi në minutën e 35-të dhe me këtë epërsi do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa fillimi i së dytës do të shohë sulmuesin norvegjez t’i mohohet një gol nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR). Sidoqoftë, ky i fundit e shpërblen sulmuesin e Dortmundit, madje dy herë në minutën e 54-t, pasi akordon 11-metërsh në favor të gjermanëve. Ndonëse portieri mik e pret goditjen e parë, gjyqtari do ta përsërisë atë dhe këtë radhë norvegjezi nuk gabon.
Por 15 minuta më vonë, një 11-metërsh në krahun tjetër, i shndërruar në gol nga Jusef En-Nesiri, bën që 20 minutat e fundit dhe ato 6 shtesë në mjaft dramatike, e për më tepër që Sevilja gjen edhe një gol të dytë, sërish me En-Nesirin. Por mbyllet 2-2 dhe është Borusia e Dortmundit që vijon edhe më tej, ashtu siç ka bërë edhe Porto, e cila e ka siguruar kualifikimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u mundur 2-3 në Itali përballë Juventusit, por duke siguruar vendin në çerekfinale falë golave të shënuar në fushë të huaj.
Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të portugezëve, falë 11-metërshit të saktë të Serzhio Olivieras, ndërsa me fillimin e së dytës, Kieza do të barazojë shifrat për italianët në të 49-ën dhe detyra e Juventusit do të bëhet më e lehtë 5 minuta më pas, kur Mehdi Taremi merr dy kartona të verdhë brenda dy minutash dhe del nga loja i ndëshkuar me karton të kuq.
Kieza do të gjejë edhe një gol të dytë për Juventusin në minutën e 63-të dhe, përtej epërsisë numerike dhe në rezultat, Porto mbijeton dhe e çon ndeshjen në dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila. E para është mbyllur pa gola, ndërsa në të dytën, në minutën e 115-të të ndeshjes, Porto barazon shifrat nëpërmjet një goditjeje të lirë të Serzhio Oliveiras. Ndonëse Rabiot e kalon sërish Juventusin në epërsi dy minuta më pas dhe minutat e fundit janë dramatike dhe drithëruese, mbyllet 3-2 në Torino dhe Porto është në çerekfinale të Ligës së Kampioneve.