Kryeministri Edi Rama para dy ditëve bëri një deklaratë që u lexua si joshje, kur tha se mund të bashkëpunonte me Bashën nëse shkëputej nga Meta dhe Berisha. Është kjo një ofertë për bashkëqeverisje?
Në Shqipëri e çuditshme është vetëm çudia. Ajo është një ftesë normale e cila i ka brenda të gjitha. Përveç fjalës joshje, edhe pse pushteti vetë është si një grua dhe me pushtetin, si me të gjitha gratë, normalisht duhet të sillesh si një burrë i ndjeshëm për ta fituar dhe mbi të gjitha, për ta mbajtur. Rama nuk niset nga ndjenja dhe nga perceptime morale që të joshë pjesën kryesore të opozitës për një bashkëqeverisje të mundshme në skenarin më të gjerë të fjalës apo në një bashkëpunim deri diku kapilar në një skenar më modest. Rama bën llogari dhe llogaria e tij e plotë fillon nga fakti që nëse ai është kryeministër i qeverisë së nesërme, nuk ka pikën e rëndësisë se kush është anëtar i kabinetit të tij. Nuk ka asnjë pikë më shumë peshë mundësia që Basha të jetë zëvendës i tij në kabinetin e ri, ministër i Brendshëm sërish apo edhe Kryetar Kuvendi. Në Tiranë çdo gjë e ka një çmim dhe mund të negociohet për të. Çdokush e di që edhe një portofol ministri, një vend në parlament, një post në administratë në të gjitha nivelet ka një çmim në para. Që edhe nëse nuk blihet dot me para në tentativën e parë, do të blihej më me shumë para në tentativën e ardhshme. Çmim nuk ka vetëm posti i kryeministrit. Katër vjet më parë, me kursin e atëhershëm të euros, ai post “kushtoi” rreth 12 milionë euro. Dhe ishte pazari më i keq i mundshëm për atë që u duk se shiti dhe ishte llogaria perfekte politike e atij që bleu. Ka edhe një detaj tjetër që nguti për të parë në sipërfaqe, errëson dhe deformon pamjen e thelbit. Ftesa e Ramës, pavarësisht se në zarf tek adresa e marrësit ishte shënuar emri i Lulzim Bashës, dërgohet në dhjetëra mijëra adresa të tjera më parë. Ajo mbërrin në duart e militantëve të paduruar të PD-së, tek të gjithë ata që tek fitorja e partisë së tyre shohin ndryshimin radikal të jetës vetjake dhe ju ushqen një tjetër shpresë. Si në 2017-ën: “Mos vraponi kaq shumë, ne edhe mund të bashkëqeverisim!”. Rama i ngop ata me lugën e zbrazët të premtimit duke ju treguar menynë e pushtetit që secili prej tyre e ëndërron mbas tetë vjetësh agjërim. Kushti që vendos pastaj, për distancim nga Berisha dhe Meta të kryetarit të PD-së, është pjesa për të qeshur e ftesës. Stili është vetë njeriu dhe një njeri me stilin e Ramës është në gjendje të afrojë gjithçka kur nuk do që të japë asgjë dhe jep asgjënë duke pritur të marrë në këmbim mirënjohje pafund.
A është propozimi i Ramës i sinqertë, apo mbetet një lojë politike për të krijuar diversion? Nga ana tjetër Basha ka përjashtuar disa kohë më parë një koalicion me Ramën. Përse ngrihen këto mundësi pikërisht tani?
Sinqeriteti është i nevojshëm në miqësi dhe është i domosdoshëm në dashuri. Dhe në këto raste sinqeriteti quhet virtyt. Në politikë, e njëjta gjë, virtyti i sinqeritetit do të ishte në të vërtetë ves i dëmshëm. Ai do të ishte edhe iluzion, edhe naivitet, edhe i panevojshëm. Ramës nuk i duhet të jetë i sinqertë në propozimin e tij. Ai ka epërsinë e lëvizjes së parë dhe e shfrytëzon atë për qëllimin e tij. Ka disa detaje, por të paverifikuara dhe të refuzuara nga protagonistët, që dëshmojnë se Rama e Basha e kanë zbuluar njëri-tjetrin që në vjeshtën e vitit të largët 2014. Atëherë kur Rama ka menduar për këmbimin e mundshëm të Metës së ashpër me Bashën e butë. Atëherë kur vendosi të bënte këmbimin mes një copë guri që vjen nga e shkuara e politikës agresive tradicionale shqiptare dhe që latohet me zor me një djalë të ri, vanitoz, të përkëdhelur nga fati; të linte pas dikë që kishte lindur vetveten nga hiçi me dikë që morri në dorë tapinë e një shtëpie të madhe pa bërë hiç gjë nga ato sprova që fati ju ka kërkuar politikanëve shqiptarë. Edhe në 2017-ën u bë një vënie në skenë e kësaj ideje me një bashkëqeverisje në muajt e fundit të dy partive të mëdha që fillimisht u duk se nxori Metën të humburin e madh dhe pastaj la Bashën në humbjen më të thellë të partisë së tij. Sot, një marrëdhënie të ndryshme mes Ramës dhe Bashës e përcakton rezultati i zgjedhjeve. Nëse Rama kapërcen 71 mandatet ai patjetër do t’i bëjë një ftesë zyrtare bashkëqeverisjeje Bashës, e cila do të jetë edhe kamerdarja e shpëtimit që ai do t’i hedhë aleatit të tij më të çmuar në këtë mandat të çmendur nga pandemia dhe të tronditur nga tërmeti. Sepse nuk duhet të ketë asnjë dyshim që në fitoren e mundshme të Ramës, Basha është aseti më i çmuar me gjithë veprimet e tij sidomos në dy vjetët e fundit të një opozite traumatike. Sepse asnjë nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Basha ka realizuar opozitën më radikale të këtyre 30 vjetëve tranzicion. Ka bërë atë që as Nano dikur dhe as Berisha e Rama më pas kur kishin radhën, nuk kanë guxuar as ta mendojnë për ta bërë. Dhe nëse ky stil opozitarizmi mund të kishte një lloj suksesi në vitet 90-të, tani ai është vetëm tattoo-ja e dështimit spektakolar jo e një partie, por është trauma e një shoqërie që di më shumë dhe është më lart se ata që e drejtojnë.
Nga ana tjetër, me të gjitha gjasat PS do të jetë parti e parë edhe nëse nuk kap 71 mandatet. Dhe në procesin e formimit të shumicës, mund të ndodhin shumë surpriza, shumica e të cilave do të kalojnë sërish nëpërmjet propozimeve të Ramës që di mirë se vetëm zyra e kryeministrit nuk ka çmim. Njëlloj siç di mirë, për shembull, sesa kohë ka që nuk ka asnjë lloj komunikimi mes presidentit të opozitës dhe kreut të opozitës që kërkon të vijë në pushtet.
Nëse do të ndodhte hipotetikisht një bashkëqeverisje PS-PD, apo Rama-Basha, a e bën kjo automatikisht Metën një kryeopozitar të fortë?
Është vështirë të thuhet kjo sepse një qeverisje me bazë të gjerë e bën pluralizmin fasadë dhe vetë demokracinë një lojë. Shqipëria ka nevojë për qetësi. Ka nevojë për shmangie nga banaliteti vulgar i asaj që quhet politikë. Ka nevojë dëshpëruese për të kuptuar se vështrimi bardh e zi, se mendësia sovjetike e neokomunistëve të sotëm që as nuk e dinë se janë të tillë dhe që e shohin kundërshtarin si armik, janë armiqtë e vërtetë të një shoqërie në depresion dhe në krizë. Më shumë se bashkëqeverisje, Shqipëria ka nevojë për të rivendosur një kushtetutë morale sjelljeje mes palësh. Dhe më pas, ka nevojë për një reformë kushtetuese serioze. Për ndryshim total të sistemit. Për të bërë përshtatjen e qeverisjes së vendit me kushtet e Shqipërisë. Për të bërë përputhjen e ligjit me realitetin. Për të pasur një republikë kryeministrore, me mandat të kufizuar qeverisës për jo më shumë se tetë vjet, për një parlament më të vogël, por me dy dhoma që ekuilibron pushtetet. Kërkon një sistem të ngjashëm me atë në Shtetet e Bashkuara. Kushtetuta që premtonte të ardhmen në vitin e largët 1998 është vrarë nga ndryshimet e pafundme që i kanë bërë nallbanët e politikës dhe u dëshmua e papërshtatshme për një vend si Shqipëria që është atdhe i njishit, fisit dhe prijësit!
Ambasadorja e SHBA-së në deklaratat e saj tha se në 25 prill duhet të votohet ndryshimi, si e lexoni këtë deklaratë?
Është dëshpërues dëshpërimi i ambasadores amerikane, e cila u detyrua të shpjegojë dy herë qëndrimin e saj. Por më shumë se kaq, është dëshpërues komenti që ju bë asaj që tha përfaqësuesja e shtetit më të madh të botës dhe aleatit më të rëndësishëm të Shqipërisë. Është e vështirë të pranohet sesi interesi i vogël err sytë, mbyll veshë dhe deformon mendim. Çfarë u tha ishte e qartë dhe është e paqartë se si u tentua që të “detyrohet” ambasadorja amerikane të votojë në xhunglën gazmore lokale të Tiranës.
Ka edhe një qasje tjetër për t’ju afruar asaj që tha ambasadorja amerikane: nëse SHBA do të ishte palë në këto zgjedhje, do të kishte problem ta afishonte një qëndrim të tillë? Fatmirësisht në Shqipëri, marrëzia jonë e tepërt ballkanike ka zbuluar individë, por ende nuk ka arritur të prodhojë grupime antiamerikane. Fatmirësisht, qortimi për gjithçka që mban vulën Made in USA, është ende tabu e fortë në këto vise. Fatmirësisht Shtetet e Bashkuara kanë interesa që përputhen me interesat më të larta të Shqipërisë dhe që lidhen kryesisht me stabilitetin e tij. Sot, por edhe nesër, në Tiranë një patriot i mirë shqiptar është ai që kupton mirë anglishten e Uashingtonit. Dhe një patriot shqiptar, në kuptimin modern, por edhe gjeografik të fjalës, duhet të dijë mirë se Shtetet e Bashkuara, për fatin tonë të mirë, kanë identifikuar si korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë si probleme që kërcënojnë stabilitetin në vend. Nëse në Tiranë kjo do të thotë që grabitësit me kravata duhet të shpaguajnë përpara ligjit, në SHBA ka një kuptim shumë më të lartë: politikanët vulnerabël ndaj korrupsionit mund të tentojnë deri dhe në ndryshimin e orientimit gjeostrategjik të vendit. Dhe vetëm në një rast të tillë mund të thuhet se këshilla e mirë, që të dëgjohet më shumë dhe më fort, ka nevojë edhe për forcën që vjen nga qendra e botës sonë të vogël përtej Atlantikut.