Kërcënimet e shtatorit dhe shpëlarja e truve prej shiut të parë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ne jemi në një pritje të vazhdueshme, të përhershme, e të pambarimtë. Domethënë si Godo, që Vladimir dhe Estragon e prisnin poshtë një peme. Drama është shkruar nga nobelisti Samuel Becett, por interpretuesit e saj janë të ndryshëm.
Edhe ne po presim shtatorin, se këtë fillim vjeshte të vitit 2021 çoç do të ndodhë. Me sa duket këtë herë ka ndër mend të plasë. Nuk e kam fjalën te formimi i qeverisë së re, as tek afganët që po vijnë, madje as te bangladeshasit që po marrin kontrata pune për të na dhënë një dorë ndihme nëpër ndërmarrjet e fasonerisë, meqenëse punë ka sa nuk e hanë as qentë, por për djall nuk ka profesionistë. Diçka më e thellë po luhet. Ndaj mezi po e presim këtë shtator.
…nga shtatori në shtator…
Ç’është e vërtetë në vitet ’70, – të shekullit të kaluar, – kur e kishim mirë me Kinën motër dhe aplikonim herë pas here ca elementë të Revolucionit Kulturor, “Tv Tirana” transmetonte një film, të prodhuar nga studiot filmike po kinezë, që titullohej “Nga fitorja në fitore”.
…eeeehhhh…
Që nga vitet 2000 e këndej, – pra nga fillimi i mijëvjeçarit të tretë, – tek shqiptarët iku shija e fitoreve të njëpasnjëshme dhe tashmë është krijuar një sindromë e re, ajo e shtatorit. Pra, si të thuash: “Nga shtatori në shtator”.
Megjithatë, nga kjo sentencë ende nuk është bërë një film, pavarësisht ndonjë skenari të gatshëm që mund të jetë shkruar underground.
Po çfarë do të thotë e gjitha kjo?
Ja ta fillojmë sqarimin:
Drejtësia pret shtatorin që të kapë një peshk të madh. Një peshk që të jetë sa një peshkaqen. Sa një balenë nëse është e mundur. Apo të paktën sa një peshk shpatë, si ai i plakut Santiago, për të cilin na rrëfen Heminguej. Një peshk që dhe kur arrin ta kapësh, nuk e ha dot… Kështu është premtuar prej vitesh nga më të mëdhenjtë e Prokurorisë së Përgjithshme: Peshku i madh do bjerë në grepat e shtatorit. E po nuk ra këtë vit me siguri do bjerë në rrjetën e shtatorit të ardhshëm. S’ka nga vete. Ia kemi zënë shtigjet.
Mirëpo shtatorët kanë kaluar njëri pas tjetrit, dhe në peshkarexhën e lodhur të Drejtësisë janë përplasur vetëm cironka, aq sa mund të presohen në kutitë e fabrikës së Vlorës. Politika gjithashtu starton pikërisht në shtator.
“Hajd se ta tregoj unë ty”, kërcënon i gjati i opozitës atë që është ca më i gjatë e në mazhorancë. Demek do ta rrëzojë me mjete të dhunshme por demokratike, meqenëse ankohet poshtë e lart se i vodhi votat ditën për diell. Dhe aksionin politik, për çudi e ka lënë pas pushimeve, pikërisht në shtator. Pushimet duhen bërë ama. Se ç’është e vërteta vera 2021 ka qenë fort e nxehtë. Duhej përballuar. O në plazh, o në ndonjë vend andej nga Evropa Veriore… edhe në Holandë po po të jetë mundësia.
Në shtator mblidhet dhe seanca e parë e Kuvendit. Pa do bëhet kalendari i ri i punimeve, e do miratohen ligje të reja. Mirato ligje pa fund e mos i zbato… Ec mo…
Në shtator nxënësit fillojnë shkollën. Domosdo. Por në shtator varet dhe fati i studentëve. Jo, kësaj radhe është thënë se në 31 gusht do shpallen fituesit e të drejtat e studimit. Por kjo sa për të prishur syrin e keq. Regjistrimi ama do të nisë në Një Shtator.
Domethënë gjithçka varet nga shtatori.
Le po në shtator nis dhe merkatoja më e madhe e mundshme. Që të mos e marrë kush jangëllësh: flas për merkaton e gazetarëve, jo atë të futbollistëve. Hajde store hajde… “X format televiziv, bashkë me të zotin, kalon nga një kanal në një tjetër kanal”. Të mos ngatërrohemi dhe këtu: Nuk flitet për kanalet kullues ore, as për kanalet e ujërave të zeza…. Se shqipja ka sinonime sa të duash. Flitet për kanale televizive. Se gazetarët me bythë or tungjatjeta, nuk rrinë e të vegjetojnë pas kompjuterit. Ata janë në ballë të… pazareve.
Lekë ore lekë.
Të keqen e gazetarëve… sa të vjen turp të të quajnë të tillë…
Iku dhe kjo punë.
Shtatori.., po pse çdo gjë niska në shtator? Se me hamendje çdo fillim i bie të nisë nga Janari. Me bismilahi, fillim viti…
Normalisht, një shtet serioz funksionon në 12 muajt e vitit. Në 365 ditë, të themi. Ndërsa ne varemi nga shtatori. Vetëm te një muaj. Se pas tij nuk ka më rëndësi se çfarë ndodh.
Mirëpo në pushime, – përgjatë muajit gusht sidomos, – ka një letargji të përhershme…, të përgjithshme të themi. Një shkrehje të administratës publike, dhe të vetë ndërmarrjeve kapitaliste.
Rroftë proletariati, bashkë me klasën punëtore.
Të gjithë pushojnë, të gjithë luajnë pesëkatësh e tavllë dhe të gjithë rrinë e shkoqitin tespihet nën hijen e palmës.
Fati ynë i keq në fakt.
Ndërkohë jemi të destinuar, që të shëllyer në shezllon, në rërë, apo det, të ndjekim dhe lajmet. Të gjitha mediat flasin për shtatorin.
Pika lajmeve.
Aty do të strukturohen të gjitha. Edhe qeveria aty do të organizohet… Edhe Stefan Bardhi…
Fryji zjarrit fryji…
Shtatori nuk ka të bëjë vetëm me prodhimin e rrushit, e për pasojë edhe të rakisë. Në aleancë këtë herë ka hyrë dhe Covidi. Duket sikur përmes gojës së ekspertëve thotë: Hë se ua tregoj unë juve…, në shtator.
Bravo “Covidi”. Duket që ia more dorën. E kuptove lojën, edhe pse virus.
Mirëpo ikën vjeshta dhe ne vazhdojmë të notojmë në ujërat tona. Peshku i madh nuk kapet e nuk kapet dot. Shpresa vdes e fundit, gjithsesi. Dikur do kapet dhe peshku…
Po me të njëjtat kërcënime, ikin 12 muajt e vitit. Shtatori vjen sërish. Sepse Toka rrotullohet rreth Diellit e nuk ka ndër mend të ndalet.
Dhe t’i e kap diçka në rrjetë… Veç nuk e kupton në është peshk, apo ndonjë gaforre…
Hë mo varja…
Mirëpo, pas verës me temperatura të larta vjen shtatori. Dhe shtatori sjell shiun me vete. Ky shi aq shumë i dëshiruar pas të nxehtit përvëlues duket sikur i lan e i shpëlan të gjitha fjalët e premtimet, për t’i çuar në lumin e Lanës, në Erzen, e prej andej të rrjedhin drejt ujërave të Adriatikut. Prej këndej askush nuk mban më përgjegjësi. Sepse, ca milje më tutje janë ujërat ndërkombëtare, dhe aty mund të lundrojë gjithkush… me precedent apo pa precedentë qoftë ai.
…mos e zgjat shumë ore… se pas shtatorit vjen tetori, e me radhë…

Të fundit

Mbyllja e TikTok-ut/ Rama: Nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë

Kryeministri Edi Rama konfirmoi se rrjeti social TikTok do të mbyllet në Shqipëri. Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët,...

“Na ka goditur syri i keq”, Rama flet për tunelin e Murrizit: Solli surprizë të hidhur

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët foli për Rrugën e Arbrit dhe veprën kryesore të këtij projekti, tunelin e Murrizit. Shefi i...

Psikologu zbulon dy shenja se partneri juaj po ju bën një version më të mirë të vetes

Në marrëdhëniet e shëndetshme, partnerët ndihmojnë njëri-tjetrin të zhvillojnë tipare dhe aftësi për t’u afruar me idealet e tyre. Psikologu Mark Travers e quan atë...

Mjegulla e dendur ‘pushton’ Kukësin, apel drejtuesve të mjeteve

Qyteti i Kukësit sot është zgjuar nga mjegulla e dendur. Mjegulla ka përfshirë të gjithë qytetin e Kukësit, por edhe zonat rreth saj përgjatë...

Këta janë artikujt më të lexuar në Wikipedia në 2024

Lista e artikujve më të lexuar në Wikipedia publikohet tradicionalisht në dhjetor. Këtë vit numri i lexuesve të tij është vërtet i lartë –...

Lajme të tjera

Web TV