Librazhdi është prodhuesi më i madh, por edhe më cilësor i mjaltit në vend.
Janë rreth 6 mijë koshere në të gjithë territorin ku qindra fermerë vazhdojnë traditën e tyre në prodhimin e mjaltit.
Bashkia e Librazhdit organizoi sot “Festën e Mjaltit” dhe festivalin e Valles Dyshe në Breza.
Në këtë festë morën pjesë rreth 160 fermerë duke sjellë jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës.
Në aktivitetin e zhvilluar ishin të pranishëm deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra.
“Përgëzoj bashkinë e Librazhdit për vijimin e kësaj eksperience të shkëlqyer që nxjerr në pah një prej produkteve më tipike të zonës së Librazhdit. Përveç panairit të mjaltit, sot është dhe festa e valles dyshe që është po ashtu mjalti artistik i zonës tonë. Ne kemi krijuar një traditë shumë vjeçare tashmë ku nga të gjitha trevat shqiptare vijnë në Librazhd për të ndjekur festivalin e valles dyshe. Obligimi im si djalë dhe deputet i kësaj zone është që ta forcojmë këtë traditë dhe ndoshta që prej vitit të ardhshëm të mos jetë një ditë panairi, por të jetë një fundjavë e plotë”, theksoi Balla.