Gazetari Artan Hoxha publikon intervistën me Gramoz (Dritan) Rexhepin, një personazh të shumë përfolur ditët e fundit, i cili sipas prokurorisë kishte gisht në pengmarrjen e Jan Prengës pas humbjes së një sasia prej 283 kilogramësh kokainë në Angli. Gramoz (Dritan) Rexhepi shprehet nga burgu në Kuito për gazetarin se ai nuk ka asnjë lidhje me pengmarrjen e Jan Prengës, madje mohon çdo bisedë me Ndrek Prengën në lidhje me pengmarrjen e të vëllait për 283 kilogramët e kokainës, ndryshe nga sa pretendon prokuroria.
“E vetmja gjë që më shkon ndërmend është që dikush u ka bërë presion në emrin tim. Unë kam 15 vite larg Shqipërisë, i arratisur nga burgu, i dënuar për vrasje, i burgosur në Ekuador, duket sikur i plotësoj elementet për tu përdorur si kërcënim. Por meqënëse ju thoni se prokuroria ka thënë është filani që ka folur në telefon dhe nëse ka tabulatet e atij që ka folur në emrin tim, ta publikojë ose nëse ka identitetin e atij që ka folur ta publikojë që ta di edhe unë për çfarë bëhet fjalë se edhe mund t`i ndihmoj nëse vërtetë është dikush që ka përdorur emrin tim!
Gjatë ditëve të fundit emri juaj ka qenë më i lakuari në media, apo nga informacionet e dhëna prej grupit të hetimit në lidhje me pengmarrjen e 17 janarit 2020, ku u rrëmbye dhe tashmë deklarohet se është vrare e me pas i është zhdukur kufoma Jan (Dodë) Pengës. A jeni ne dijeni për këtë fakt?!
Si fillim faleminderit që po me jepni mundësinë të flas në lidhje me këtë ngjarje. Po, kam marrë dijeni nga njerëz të mi të afërt për çfarë ka ndodhur aty. Sigurisht që do të doja të kisha folur që në momentin e parë kur jam njoftuar se është përfshirë emri im në këtë histori. Madje nëse do isha i lirë në Shqipëri do kisha dalë menjëherë në media për të sqaruar pozicionin tim. Jam vënë në dijeni me këtë ngjarje pak me vonesë dhe për aq kohë sa mund të vihet në dijeni një person që është i izoluar në një vend të largët të botës. Pavarësisht çfarë thuhet unë dua të them gjërat ashtu si i di unë. Nuk është se di dhe shumë hollësira çfarë bëhet aty pasi unë nuk kam shumë mundësi informacioni, por kam mbetur i habitur kur mësova se akuzohesha si njeriu që ka organizuar gjithë këtë ngjarje.
Ku ndodheni aktualisht, nga po flisni?
Unë jam i izoluar në një burg të sigurisë së lartë në kryeqytetin e Ekuadorit, Kuito. Ndodhem i burgosur në këtë vend që nga 26 qershori i vitit 2014 kur jam arrestuar bashkë me një grup të madh personazh. Por nga 11 persona që janë ndaluar në atë kohë, të gjithë janë liruar, ndërsa unë jam i vetmi që kam mbetur në burg. Gjashtë prej të arrestuarave kanë marrë pafajësi, ndërsa 4 personat e tjerë që iu kap në banesë sasia e kokainës, mes tyre një shtetas nga Kili dhe 3 nga Ekuadori e pranuan akuzën dhe janë liruar me kusht. Vetëm unë nuk jam liruar sepse më pengon kërkesa e ekstradimit për në Shqipëri.
Për çfarë jeni arrestuar?
Jam arrestuar nga policia ekuadoriane ndërsa ndodhesha duke pirë kafe në qendrën tregtare “Mol Del Sol”, në Guajakil, qytetit port më të madh të shtetit të Ekuadorit. Akuzohem bashkë me një grup personash, si pjesë e një organizate për trafikimin e një sasie kokaine prej 249 kilogramësh. Them akuzohem sepse unë nuk e kam pranuar kurrë përfshirjen time në këtë ngjarje, dhe nuk më është kapur mua ngarkesa. Për këtë shkak jam duke zhvilluar një betejë të gjatë ligjore me gjykatat e këtij vendi. Për momentin çështja ime është në gjykatën e lartë të Ekuadorit. Gjyqi besoj do të zhvillohet pas disa muajsh, këtë verë.
Sa është dënimi qe keni marre nga drejtesia e Ekuadorit?
Momentalisht jam dënuar me 13 vite, edhe pse kam mbetur i vetmi në burg nga 11 personat që u kapën në vitin 2014. Deri tani kam qëndruar në burg për më shumë se 5 vite e 7 muaj.
Arrestimi juaj në vitin 2014 është cilësuar si një sukses i madh edhe nga zyrtarët e lartë të Interpolit në Lion të Francës. A jeni ne dijeni te kërkesave për ekstradim nga disa vende të Evropës, përfshirë këtu dhe Shqipërinë?
Po jam vënë në dijeni nga avokati se më kanë kërkuar për ekstradim në Europë, por deri tani unë kam pranuar vetëm kërkesën për ekstradim në Shqipëri. Ekstradimin për tu kthyer në Shqipëri e kam pranuar unë nuk e kam kundërshtuar. Por nuk më sjellin në Shqipëri pa mbaruar më parë gjyqet në të gjitha shkallët në Ekuador. Do të nis dosjen e ekstradimit që ta shikosh se unë e kam pranuar vet të ekstradohem në Shqipëri.
Për momentin jeni personi me i akuzuar në Shqipëri si organizatori dhe urdhëruesi i një pengmarrje që sipas policisë ka shkuar keq, dhe personi i marrë peng tashmë ka humbur jetën pavarësisht së trupi i tij nuk është gjetur ende. Për më tepër, viktima Jan Prenga, është një njeri krejt i pafajshëm në një trafik ndërkombëtar kokaine që dyshohen ta kenë bërë vëllezërit e tij, si dhe është babai i 5 fëmijëve. Jeni ne dijeni të këtij fakti?
Nëse rezulton e vërtetë se personi për të cilin ju folët ka humbur jetën në rrethana të tilla, është me të vërtet një ngjarje shume e rëndë. Unë do t`i shprehja ngushëllimet e mia familjes dhe fëmijëve të Jan Pengës për atë që i ka ndodhur. Por e refuzoj kategorikisht përfshirjen time në këtë ngjarje. Nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe nuk ka si të kem kur ndodhem prej afro 6 vitesh në një burg të sigurisë së lartë në anën tjetër të botës, në Ekuador.
Nuk ka asnjë provë që më lidh mua me këtë ngjarje. Nuk e di kush është kaq i interesuar nga ju në media, duke filluar që nga ju si gazetar apo dikush tjetër që të m`i bëj këto trillime pa patur asnjë akuzë zyrtare nga shteti dhe t`i fryjnë kaq keq pa arsye. Unë nuk ndodhem për pushime këtu ku jam. Jam i dënuar në një burg të sigurisë së lartë, survejohem me rojë dhe me kamera 24 orë në 24. Jam gjithë kohës në vëzhgim dhe përgjim për çdo lëvizje që bëj këtu brenda, për çdo kontakt që bëj dhe me këdo që flas. Madje edhe ndërsa jam duke komunikuar me ju jam në vëzhgim dhe përgjim.
Mbi ju ka një akuzë si organizatori dhe porositësi i një sasie prej 283 kg kokaine që është grabitur nga një kontejner për bananesh që vinte nga porti Guajakil i Ekuadorit në portin e Portsmuthit në Angli?
Kjo është për të qeshur. Nuk e di në cilin film mund ta keni parë këtë gjë, por me nxirrni një provë të vetme që më lidh mua me këtë histori. Jam shumë kureshtar të shoh qoftë dhe një provë të vetme. A e kuptoni që ndodhem në burg në fund të botës, i survejuar në çdo moment, ku çdo takim, telefonate është në përgjim nga autoritetet këtu? Këtu ku jam unë nuk punon asnjë lloj telefoni celular. Funksionojnë vetëm telefonat me kabina të burgut. Kjo për faktin se midis bandave në burgjet Ekuadoriane janë bërë shumë vrasje dhe policia ka vendosur antena bllokuese duke nxjerrë jashtë përdorimit çdo telefon celular.
Jeni akuzuar si porositësi i ngarkesës nga Ekuadori në Britani, dhe ka përgjime bisedash telefonike mes jush dhe Ndrekë Pengës, njërit prej vëllezërve Prenga që ndodhet në burg në Angli.
Kush më akuzon? Nuk di te ketë një akuze zyrtare aty ndaj meje. Unë kam avokat aty te pajtuar për gjyqin qe kam ne gjykatën e larte dhe ai nuk është thirrur dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë gjë. Nuk ka asnjë urdhër-arresti apo urdhër-ndalimi ndaj meje. Nuk ka asnjë fakt, asnjë prove konkrete qe me lidh mua me këtë ngjarja. Te vetmit njerëz që unë flas kur me lejohet nga burgu janë familjaret e mi ne Shqipëri, askush tjetër. Ne media janë publikuar biseda te përgjuara telefonike mes teje dhe Ndrekë Pengës ne lidhje me ngarkesën e zhdukur te kokainës.
Akuzat e publikuara nga media i referohen grupit hetimor?
Kush e pohon që kam folur unë personalisht me këtë Ndrekën? Kush qenka ky Ndreka? Ndrekë Prenga është vëllai i Jan Pengës, personit të marrë peng dhe të zhdukur në Shqipëri me 17 janar 2020. Ndrek Prenga është në burg në Angli. Më tregoni kush është personi që thotë se ka folur me mua në telefon? Ku mbështetet kjo akuzë? Me çfarë kam komunikuar unë? Sot përgjohet çdo gjë në planet dhe diku dhe dikur le një gjurmë.
Po pse pikërisht është përmendur emri juaj dhe jo emri i dikujt tjetër që ka komunikuar me vëllezërit Prenga?
Nuk mund të përjashtoj mundësinë që dikush tjetër i ka kërcënuar në emrin tim ose ka folur në emrin tim. Por në mënyrë kategorike nuk kam folur dhe as ia kam idenë fare çfarë po ndodh atje. Mbase për shkak të të kaluarës sime, për shkak të faktit që jam i dënuar në një burg në Ekuador, për ta bërë me të frikshme kërcënimin ndaj tyre dikush tjetër që ka dashur të përfitojë nga kjo ngjarje ka përmendur emrin tim?! Nuk e di për këtë nuk të them dot gjë. Por unë nuk kam asnjë kontakt me këta njerëz, nuk i njoh, as nuk kam dëgjuar për ta përveç çfarë është folur këto ditë.
Media ka publikuar disa biseda të përgjuara mes jush dhe njërit prej vëllezërve Prenga, diku rreth datës 22 janar, 5 ditë pasi kishte ndodhur pengmarrja, ku thuhet se njerëzve tuaj ne Angli u janë kthyer 106 kg kokainë dhe 700 mijë paund, pjesë e ngarkesës së grabitur në Portsmuth?
Më vjen keq që vazhdoni të këmbëngulni për skenarë filmash. Më nxirrni një provë të vetme. Një telefon, numër telefoni, tabulatet e bisedës së përgjuar, dëshmitarë që të provojë këtë gjë. Unë nuk jam as drejtor banke dhe as biznesmen në Ekuador që të porosis kontejnerë me banane të mbushur me kokainë apo të arkëtojë shuma 700 mijë paund. Kjo është si ajo gënjeshtra që u tha në media as arrestimit tim në Ekuador. Ku pretendohej që bashkë me mua në qershorin e 2014-s ishte arrestuar edhe babai im. Babai im 73 vjeç, me 100 halle që i kanë rënë në kurriz përfshirë dhe hallin tim, s`ka shkelur kurrë në Ekuador. Ai ka një vresht atje në fshat dhe shet verë. Ai e kishte denoncuar që në marsin e 2014-s që i kishte humbur pasaporta në policinë e Vlorës. Mediet e nxorën babanë tim pensionist trafikant në Ekuador. E kuptoni çfarë bëhet?! Prandaj po e sqaroj njëherë e mirë këtë akuzë, nuk kam folur me asnjë nga vëllezërit Prenga, ca me tepër me një prej tyre që është në burg në Angli. Nuk njoh ndonjë shkodran apo të kem bashkëpunuar me të. Nuk i njoh dhe as kam komunikuar me asnjë person të familjes Doçi apo që ka mbiemrin Doçi, nuk njoh askënd prej tyre. Që nga koha që jam në burg nga qershori 2014-s nuk kam komunikim me asnjë person nga Shkodra apo këta të tjerët. E vetmja gjë që më shkon ndërmend është që dikush ju ka bërë presion në emrin tim. Unë kam 15 vite larg Shqipërisë, i arratisur nga burgu, i dënuar për vrasje, i burgosur në Ekuador, duket sikur i plotësoj elementët për tu përdorur si kërcenim. Por meqë ju thoni se prokuroria ka thënë është filani që ka folur në telefon dhe nëse ka tabulatet e atij që ka folur në emrin tim, ta publikoj ose nëse ka identitetin e atij që ka folur ta publikoj që ta di edhe unë për çfarë bëhet fjalë se edhe mund t’i ndihmoj nëse vërtet është dikush që ka përdorur emrin tim. Për këto gjëra, tha ky, tha ai, kam 15 vite nëpër gjyqe në Shqipëri. /Fjala.al/