Dhëndurët e famshëm shqiptarë të Francës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

(Nga konti Tanush Topia, gjenerali Adrian Muzaka e diplomati Faik Konica, te djali i Ismail Qemalit, nipi i Mbretit Zog, balerini Kledi Kadiu, violinisti Genc Tukiçi, aktori Genti Kame e plot të tjerë)

Nga Mentor HOXHA – Paris

…Sharmi femëror i femrave franceze ka tërhequr meshkujt nga e gjithë bota. Lista e personaliteteve botërore që janë dashuruar apo martuar me femra franceze është shumë e gjatë. Midis tyre ka perandorë, presidentë, kryeministra, gjeneralë, nobelistë, shkencëtarë, fitues të çmimit Oskar, shkrimtarë, filozofë të mëdhenj etj. Të shumtë janë edhe personalitetet shqiptare që janë magjepsur nga magjia femërore franceze. Ka presidentë, kryeministra, ministra, kontër, gjeneralë, princër, deputetë, artistë, sportistë, mjekë dhe shkencëtarë të shquar nga Shqipëria. Ish kryeministri shqiptar, Esat Pashë Toptani (1863-1920) u vra nga shqiptari Avni Rustemi në Paris teksa ai po dilte nga hoteli “Kontinental” me të dashurën e tij franceze. Nëse nuk do kishte ndodhur kjo vrasje, ndoshta ai mund të bëhej dhëndërr i Francës. Mbreti shqiptar Ahmet Zogu (1895-1961), i cili drejtoi Shqipërinë për 18 vite me radhë (dhjetor 1924- 7 prill 1939) pati një histori rozë 4 vjeçare me një balerinë shumë të bukur nga Parisi. Në librin “Presidenti që u bë mbret Ahmet Zogu” (UETPRESS), Blendi Fevziu flet për një histori dashurie midis mbretit shqiptar dhe kërcimtares nga Franca Tania Visarova, e cila ka pozuar nudo në revistat më të famshme dhe ka qenë modele e shumë piktorëve të njohur botërorë. Tania jetonte në Francë që nga mosha 18 vjeçare. Ishte nga Moldavia dhe ndër kërcimtaret më të mira të kabareve më të famshme të Parisit. Ahmet Zogu, pasi e ka parë në një fotografi, e ka sjellë në Shqipëri me pretendimin se do të kërcente, njëlloj siç bënte në Francë. Kur Tania erdhi në Shqipëri pa se nuk kishte asnjë vend ku të kërcente, ashtu siç i ishte premtuar, por ajo nuk u kthye pas kësaj “gënjeshtre, por qëndroi e lidhur me Ahmet Zogun për plot 4 vjet. Tanja ka rrëfyer se Zogu dashurinë e bënte me protokoll nga ora 6 deri në ora 8, për shkak se ishte shumë i zënë me punë”. Edhe dikatori komunist, Enver Hoxha (1908-1985) që sundoi në Shqipëri nga viti 1944 e deri më 1985 u marros aq shumë pas femrave franceze, saqë ngeli prapa në mësime, duke mos marrë as diplomën nga Universiteti i Montpellier ku studionte. Ai ç’mendej pas këngëtares së famshme franceze, Edit Piaf, të cilën e ndiqte rregullisht në të gjitha kabaretë dhe klubet e natës ku ajo këndonte në Paris. Kasetat me këngët e saj, i bleu dhe i dëgjoi deri kur ndërroi jetë. Maks Velo (1935-2020), ndër piktorët, arkitektët dhe inxhinierët më të njohur në Shqipëri, përjetoi në vitet 1964-1977 një histori të fortë dhe tronditëse dashurie me albanologen dhe studiuesen e bukur nga Parisi Odiel Daniel. Ajo vazhdonte një kurs pecializimi në gjuhën shqipe dhe mblidhte materiale në Bibliotekën Kombëtare dhe në Institutin e Gjuhësisë për gradën e saj shkencore. Në dhjetor 1977, ajo i prozon Maksit për martesë, duke i thënë se do rrinte në Shqipëri dhe do punonte në Institutin e Studimeve Gjuhësore. Odiel nisi procedurat për martesë në Ambasadën shqiptare në Paris, por kjo martesë nuk u realizua kurrë, pasi regjimi komunist shqiptar e kishte të ndaluar me ligj martesën me një të huaj nga bota borgjezo-revizioniste. Maksi martohet me një grua shqiptare, ndërkohë dhe Daniel krijon familje të re. Më 1978, Maksi arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg, kurse Daniel etiketohet nga Sigurimi shqiptar si agjente franceze. Kjo dashuri e ndaluar dhe e ndërprerërë nga regjimi komunist ka qenë një kapitull më vete në procesin e dënimit për agjitacion e propagandë të Maks Velos. Në dosjen e Sigurimit që Maksi ka botuar, janë me dhjetëra dokumente të Sigurimit që e penalizonin atë gjatë procesit për lidhjen e tij me një agjente franceze. Më 1926, tiransi i pasur dhe aventurier Iljaz Toptani (1907), i biri i Tefik bej Toptanit, teksa vazhdonte studimet në Francë u njoh me një franceze nga Parisi, një vit më të vogël se ai, të cilën e solli në Tiranë duke e prezantuar si gruan e tij të ardhshme. Por, pas 5 muajsh u larguan nga Shqipëria dhe pas më pas u ndanë. Historitë rozë të burrave të fuqishëm shqiptarë datojnë shumë herët. Lista e tyre është shumë e gjatë dhe e larmishme, por në këtë artikull janë vetëm emrat e 15 dhëndurëve të njohur shqiptarë të Francës.

Kledi KADIU (1974).

Balerin i famshëm me famë ndërkombëtare. Koreograf, mësues vallëzimi, personalitet televiziv dhe aktor. U lind më 7 prill 1974. I diplomuar në Akademinë Kombëtare të Vallëzimit (1992).

Nga viti 1993 banon në Itali. Ka dhe nënshtetësi italiane. U martua me 28 qershor 2018 me balerinën e bukur franceze, Charlotte me të cilën ka një vajzë: Lea, e cila lindi para martesës së tyre. Është balerin i rregullt në “Amici di Maria de Filippi në kanalin e Mediaset 5 dhe themelues i Shkollës së Vallëzimit “Kledi” në Romë (2004). Ka qenë balerini kryesor në TKOB në Tiranë, ka aktruar në 4 filma italianë dhe në dy mini seriale televizive në Rai Uno. Spikati veçanërisht me rolin e Benit në filmin “Passo” (një film biografik) dhe në filmin “La cura del gorilla”. Ka fituar në Itali Çmimin “Artisti më i mirë” (2004) dhe Çmimin “Balerini më i mirë”(2006). Më 2009, u botua nga Mondadori në Itali autobiografia e tij, “Meglio di una Favola”.

Genti KAME

Aktor i njohur në Shqipëri dhe në Francë. Ka dhe nënshtetësi franceze. Për shumë vite ka jetuar në Paris dhe është marrë me aktrim.

Është diplomuar për aktrim në Francë dhe ka realizuar mbi 30 role në kinematografinë italiane, franceze, zvicerane, marokene, etj. I martuar me një ish konteshë franceze. Prej disa vitesh jeton me bashkëshorten dhe vajzat në Shqipëri. Bashkëshortja e tij, la titullin e familjes mbretërore (pasardhësve të mbretit Luigji VI) për t’u martuar me të dhe për të jetuar në një fshat në periferi të Tiranës.”. I ftuar në “Rreze Dielli” (17 janar 2020), Genti tregon për martesën me ish konteshën, vajzat e tyre dhe kthimin prej disa vitesh në Shqipëri. “Familja e gruas sime është me gjak mbretëror, pasardhëse e Luigjit VI. Ajo ose do rrinte pa martuar e do mbante titullin, ose do martohej me mua. E vlerësoj këtë gjë, ne duhemi shumë, nuk ka rëndësi ku jetojmë” -thotë Kame. Nga rolet dhe filmat që Genti ka interpretuar veçohen: “Një ditë e mrekullueshme” (2002), Rade Petroviç (“Soldati di pace”, 2002), Tedy (“Longue peine”, 2005), Adrian (“Passo a due”, 2005), roja i hotelit (“Les bronzes 3: amis pour la vie”, 2006), “Io e Mamma” (2006), Iliri, emigranti (“Roulette”,film zvicerian, 2007), Cinq Soeurs (2008), Jean Andre (“Ci sta un francese, un inglese, e un napoletano”, 2008), “Honeymoons” (“Muaji i mjaltit”), Domino (“Sur le fil”, 2010), Mirko (“Ceimini”, 2007-2010), Nikon (“Engrenages”, 2010), Samiu (“Maya”, 2011, regjisor P. Vasi), Konstantin Raskoklov (“Les de l’ombre”, 2012), “Sex, përrallë dhe celularë” (2015, regjisor E. Bubullima), dilmi “Love” (2020) etj.

Genc TUKIÇI

Pianist i talentuar. Ka dhe nënshtetësi franceze. I vlerësuar nga Nino Rota si “muzikant i shkëlqyer i nivelit ndërkombëtar”.

Nga viti 1993 banon në Paris. Punon si profesor në Ecole Normale de Musique Alfred Cortot. Është anëtar themelues i Cercle Inter Hallier (2017). Babi i tij, Ibrahim Tukiçi ka qenë tenor i shquar i TKOB, ndërsa i vëllai, Davidi është kompozitor i njohur dhe drejtor i Orkestrës Simfonike në RTSH. Genci është martuar tre herë me tri gra nga tre vende të ndryshme: Nga Shqipëria, Franca dhe nga Japonia. Me të tria ka fëmijë. Herën e parë u martua me një shqiptare nga Tirana. Me të ka një një djalë: Majk Tukiçi. Ai jeton me të ëmën në Romë. Ajo ka qenë soliste operistike në TKOB. Pas vitit ’90 është kthyer disa herë në disa edicione të Vera Grabockës. Gruan e dytë e pati nga Franca. U njoh me të më 1990 teksa ishte ftuar në Korfuz nga një pasanik grek për të dhënë koncerte në një park të madh ku mblidheshin vendas dhe të huaj. Pikërisht në një prej këtyre koncerteve lindi dhe një historië “rozë” me një turiste të bukur franceze të quajtur Natali. “Mua më ra në kokë ajo si një verë e fortë”, -thotë ai në një intervistë me Garip Trocin, botuar të “Mapo”. Kjo dashuri u bë kaq pasionante saqë përfundoi në martesë. Ata u kthyen më 1991 në Tiranë për të jetuar, por u zgënjyen që në ditët e para të, pasi spitalet dhe shtëpitë ishin pa ujë e drita, kështu që përfunduam në Milano, e më 1993 në Paris. Me të ka një vajzë që quhet Matilda. Edhe kjo martesë përfundoi në divorc. Gruan e tretë e ka japoneze. Ka qenë studente e tij. Quhet Ajumi, e diplomuar për Organo. Me të ka një vajzë (Nadia) dhe një djalë (Abrahim, në kujtim të gjyshit, Ibrahim). Nadia është 18 vjeç dhe këndoi në shqip këngën “Ju flet Tirana” në edicionin e 56-të Festivalit të Muzikës në RTSH. Genci është diplomuar në Konservatorin e Tiranës dhe për solist në Ecole Normale de Musique në Paris -Alfred Cortot. Ka dhënë koncerte në sallat më të mëdha të Francës dhe të botës. Si kompozitor ka krijuar dhe regjistruar pjesë të ndryshme për piano dhe orkestër. Bashkë me Inva Mulën dhe dhe Bujar Llapajn ka kompozuar dhe orkestruar himnin për Nënë Terezën.

Tanush TOPIA

Princ i shquar arbëror. Ishte Kont i Durrësit në shekullin XIV. U lind në Shqipëri, vdiq më 1467 në Krujë.

U martua me vajzën e Mbretit anzhuin të Francës, Helena d’Anzhu. Në artikullin “Dashuria e kontit shqiptar Tanush Topia, si e rrëmbeu Helenën para se ajo të martohej me princin bizantin” (“Panorama”, 11 qershor 2018), studiuesi dhe shkrimtari i njohur Prof. Dr. Moikom Zeqo (1949-2020) shkruan: “Historia e Karl Topisë të kujton ngjarjet e romaneve kalorsiake. Konti i Durrësit, Tanush Topia, bëri një aventurë të pabesueshme. Ai rrëmbeu Helenën, vajzën e Robert I Anzhu. Helena po vinte me një anije nga Italia sepse do të martohej, me një kontratë politike me një princ bizantin. Anija ndaloi në brigjet e Durrësit. Në këtë pushim, befas Tanush Topia e pa Helenën dhe u dashurua marrëzisht me të. Por, është e vërtetë që edhe Helena u dashurua menjëherë me Tanushin. Tanushi e rrëmbeu Helenën dhe u martua me të. Helena ishte bionde, një bukuroshe e hajthme dhe e vendosur nga krahina e anzhusë në Francë. I dërguari i mbretit anzhuin në Durrës më kot e kërcënoi në emër të Robert I Anzhu, që Helena t’i bindej të atit dhe të mos e bënte këtë marrëzi. Helena nuk u bind. Pas një viti lindi një djalë. E ëma ia vuri emrin Karli në kujtim të gjyshit të saj Karli I, mbret i Napolit dhe Sicilisë, që ishte njëkohësisht dhe vëllai i mbretit të Francës, Shën Luizit. Mbas një viti, i ati i Helenës i bëri një ftesë Helenës dhe Tanush Topisë, që të vinin në Napoli, sepse gjoja i kishte falur dhe dëshironte të bënte një gosti të madhe për çiftin rebel. Ai u tha atyre të merrnin me vete edhe nipin, Karl Topinë. Në momentin e fundit Tanushi, dyshues dhe largpamës, nuk e mori Karlin me vete, hipi në një anije me gruan Helena dhe shkoi në Napoli. Pritja paraprake qe madhështore, u organizua një gosti e paparë, por i ati i Helenës, i masakroi dhëndrin dhe të bijën në gjumë, duke bërë kështu një vepër makbethiane, të denjë për penën epokale të Shekspirit. Karl Topia i vogël u rrit i mbrojtur, sepse jeta e tij kërcënohej nga agjentët e mbretit francez. Kështu u rrit ky personazh i mesjetës shqiptare, nga më të fuqishmit dhe me jetë vetiake nga më të çuditshmet. Karl Topia e mbante veten në të gjitha mbishkrimet e tij zyrtare si njeri me gjak francez. Stema heraldike e Karl Topisë që ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, pasqyron relievin e një luani anzhuin, si dhe figurat e zambakëve anzhuinë, që janë simbole mbretërore anzhuine. Kjo stemë heraldike është më e bukura e të gjitha stemave heraldike të Shqipërisë”. Më 1374, Papa Grigor XI, duke parë forcën e princit Karl Topia, i dha atij titullin “Grande Comte d’Albaniae” (Kont i madh i Shqipërisë).

Lexo edhe :  Heshtja e Tiranës për Ukrainën dhe mësimi i Reganit

Jusuf BEGEJA (1912-1992)

Oficer i Shtatmadhorisë të Mbretit Zog, komandant i Gardës Mbretërore Shqiptare në mërgim (2 tetor 1975) dhe luftëtar në “Forces Françaises Libres” të Charles De Gaulle.

U lind në Tiranë. Babai i tij, Aliu (1833-1947) ka qenë kryebashkiak i Tiranës (1922-1923), anëtar i Asamblesë Kushtetuese (1924), deputet (1937) dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë. Aliu vdiq më 1947 në burg, i burgosur si “armik i populli”. Jusufi u diplomua në Akademinë Ushtarake në Modena, Itali (1930). Më 1942 u fut në rradhët e “Forces Françaises Libres” (Forcat Franceze të lira) të Gjeneralit De Gaulle dhe luftoi deri më 1945 në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut me detyrën e komandantit të kompanisë së rëndë në batalionin e këmbësorisë. Për meritat në luftë u dekorua nga Presidenti francez, Charles de Gaulle me Medaljen Përkujtimore në shërbim të Francës së lirë. Më 1 shtator 1945, Jusufi merr një letër nga De Gol ku ndër të tjera i shkruan: “Ju keni qenë nga ata vullnetarë që i jeni përgjigjur thirrjes së Francës duke siguruar në rreshtin e parë të llogores fitoren përfundimtare. Në emër të Francës ju jam miqësisht mirënjohës. Duke iu përgjigjur thirrjes së Francës dhe duke rrezikuar jetën, ju u bashkuat me Forcat franceze të lira. Ju ishit ndër më të meritueshmit e atyre që i mundësuan vendit tonë fitoren. Tanimë që qëllimi është arritur, më lejoni t’ju falënderoj miqësisht, thjeshtësisht, në emër të Francës!”. Pas çlirimt të Francës më 1945 u vendos në Paris ku jetoi deri kur vdiq më 1992. Themeloi në Paris shoqatën “Emigration Albanaise”(1980-1992) dhe “Lëvizja Patriotike Shqiptare” dhe ishte një nga organizatorët e Komisionit për inagurimin e sheshit “Place Skanderbeg” në Paris. Në dosjen e Sigurimit Shqiptar cilësohej si armik i popullit, ndërsa në Francë dekorohej nga Presidenti De Gol. U martua me francezen Jeannine Lon Champ me të cilën ka dy vajza: Viktoria dhe Liria (regjisore e njohur), të lindura në Francë. Pas rrëzimit të regjimit komunist, u kthye më 1991 në Shqipëri në moshën 80 vjeçare pas një mërgimi 50 vjeçar. Një vit më pas ndërroi jetë. Momenti më prekës i tij në Shqipëri është prekja e varrit të atit te Varrezat e Tiranës, por në fakt Ali Begeja ishte lënë pa varr nga komunistët. Për t’ia lehtësuar dhimbjen, vëllezërit në Tiranë kishin gdhendur emrin e të atit në pllakën e varrit të së ëmës. I lumturuar se kishte parë varrin e babait, Jusufi e quan veten me fat në krahasim me mjaft bashkatdhetarë të tjerë të shuar në mërgim.

Faik KONICA (1875-1942)

Ndër frankofonët më të mëdhenj dhe ndër personalitetet më të shquara të kulturës, letërsisë dhe diplomacisë shqiptare.

Një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Mik i ngushtë me poetin e famshëm francez, Guillaume Apollinaire. Shkroi qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese, vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete dhe 4 libra etj. Fliste shkëlqyeshëm frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, turqisht dhe arabisht. Nga viti 1926 e deri më 7 prill 1939 kur Shqipëria u pushtua nga italianët ka qenë për 13 vite me radhë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Është themeluesi, botuesi dhe drejtuesi i revistës së famshme shqip-frëngjisht “Albania” (12 vjet me radhë, 25 mars 1897-1909) dhe bashkëthemelues me F. Nolin i gazetës “Dielli” (1909-, organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar në SHBA), e më pas botuesi i saj, Kryetar i Federatës “Vatra” (u zgjodh më 1921) dhe botues i gazetës “Shqiptari i Amerikës”. Për jetën dhe veprën e tij janë shkruar disa monografi dhe qindra artikuj. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla, rrugë dhe institucione në Shqipëri. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. “U martua me shtetasen franceze, Annette Sophie-Josephine Hugan me të cilën pati një djalë të quajtur Henrik Schengrin bey Konitza. Sipas çertifikatës së lindjes të lëshuar nga Gjendjes Civile në Saint-Gilles, Bruksel, i biri ka lindur më 24 qershor 1897 (Gjovalin Kola, Gjurmët e Konicës : Nga revista Albania te djali i tij, Henrik, i lindur më 1897 në Blegjikë, Tema, 14.12. 2016). Pasi përfundimit të Liceut Perandorak francez në Stamboll në gjuhën frënge, Konica vazhdoi studimet në Paris për 7 vite me radhë (1890-1897). Ishte 15 vjeç kur filloi studimet në Francë. Më 1895 kreu studimet për filozofi në Fakultetin e Letrave në Universitetin e Dizhonit të Francës, dega Filologji romane. Studimet dhe qëndrimi Qëndrimi në Francën me tradita liberale demokratike të hershme, patën një ndikim të thellë mbi Konicën. Botoi shumë artikuj për Shqipërinë në shtypin francez, si dhe broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris.

Arian ÇANI (1971)

Ndër gazetarët dhe moderatorët më të njohur në Shqipëri. I diplomuar për frëngjisht në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Gjirokastër dhe në Universitetin e Tiranës.

Ka kryer edhe disa kurse gazetarie në Paris. Frëngjishtja dhe dëshira për të emigruar në Francë kanë qenë ëndrrat e tij më të mëdha në rini. Më 1987-1989, dëshironte të arratisej në Francë, por, kjo ëndërr u bë realitet vetëm nga lidhja dhe martesa e fshehtë e tij me një turiste franceze në Tiranë, të quajtur Catherine. “U martova gjysmë fshehurazi, sepse më vriste disi opinioni. Por unë doja Francën dhe se vrisja mendjen për asgjë tjetër. Ika në fillim të vitit 1991. Jetova më pak se një vit me Catherinën e më pas u ndamë. Parisi për mua është gjithçka”, -thotë Çani në një intervistë me gazetaren e njohur Zefina Hasani (“Madame, qershor, 2011). Pas martesës, merr një vizë franceze, shkon në Paris, qëndron 4 vite, krijon kontaktet e para me botën mediatike dhe kryen disa kurse gazetarie. Pas kthimi nga Parisi më 1994 ka punuar si gazetar te “Koha Jonë”, “Klani i natës” dhe në “Gazeta Shqiptare”. Prej shumë vitesh drejton e moderon emisionin “Zonë e lirë” në TV “Klan”.

Abedin Rasih DINO (1913-1993)

Piktor shqiptar me famë ndërkombëtare në shek. XX me nënshtetësi franceze, turke, greke dhe shqiptare.

Për disa kohë punoi dhe ekspozoi në Paris pranë piktorëve më të mëdhenj të botës, Pablo Picasso dhe Mark Chagall. Spikati veçanërisht me serinë e famshme “Tulipanët”. Për të janë botuar disa libra dhe qindra artikuj. I janë ngritur buste e monumente në Stamboll dhe Ankara ku kaloi rininë dhe pjesën më të madhe të jetës. Bënte pjesë në rrethin e intelektualëve më të njohur të kohës dhe ishte mik me poetin e shquar turk, Nazim Hikmet dhe me shkrimtarin Jashar Qemali. U lind në Stamboll. Babai i tij, Rasih ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe emisar i kryeministrit Ismail Qemalit pranë kancelarive europiane për njohjen e shtetit të ri shqiptar. Nip i Abedin Pashë Dinos (ish ministër i Jashtëm dhe ndër figurat më shquara të Lidhjes së Prizrenit). Më 1943 u martua më Turqi me një shtetas turke me emrin e turke Guzinte (Güzin). Guzinte u lind në Turqi por kishte dhe nënshtetësi franceze. Nga viti 1954 deri kur vdiq në moshën afro 90 vjeçare ajo banoi në Paris. Fatkeqësisht nuk patën fëmijë. Guzinte Dino (1910-2013) ishte gjuhëtare, përkthyese, shkrimtare, eseiste dhe studiuese e njohur e letërsisë. Pas internimit dhe përndjekjes që iu bë në Turqi përshkak të anëtarësimit në Partinë Komuniste Turke, më 1952, Abedini u largua nga Turqia dhe u vendos përfundimisht në Paris.. Abedini pati studion e tij në “Rue de l’Eure” dhe hapi disa akspozita vetjake dhe në grup në Francë, Nju Jork, Amsterdam, Zyrih, Kaliforni, Moskë, Venedik, Romë, Stamboll, Athinë, Danimarkë, etj. Vdiq më 7 dhjetor 1993 në Paris. U varros në Turqi. Vdekja e tij u pasqyrua nga “Le Monde”, “l’Humanité”, “Le Match de Paris”, “Liberation” etj. Güzin punoi në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, instruktor në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale dhe për shumë vite drejtoi seksionin e gjuhës turke të Radio France Internationale (RFI). Ajo vdiq më 30 maj 2013 në Paris.

Të fundit

Disiplina nuk fal, zbulohen dënimet

Komisioni i Disiplinës në FSHF, ka zbuluar vendimet e marra, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në futbollin shqiptar. Egnatia...

Arsyet përse dhëmbi dhemb më shumë natën

Dhimbja e dhëmbit përshkruhet si e paprecedentë e krejt ndryshe nga dhimbjet e tjera. Ky përfytyrim i dhimbjes vërehet kryesisht natën kur dhëmbi thumbon,...

Ajsbergu më i madh në botë përfundon në ishullin e largët,çfarë parashikojnë shkencëtarët

Ajsbergu më i madh në botë është rrëzuar në ujëra të cekëta në ishullin e largët britanik të Xhorxhias Jugore, aty ku ndodhet shtëpia...

Nuk paragjykojnë asnjë, këto janë shenjat më mendjehapura të horoskopit

Të gjithë kemi dikë në jetën tonë që i drejtohemi për ndonjë këshillë apo gjykim të një situate që ndjejmë se e kemi tepruar. Të...

Historia pas logos së Mercedes Benz

Logoja ikonike e Mercedes-Benz, ylli me tre cepa brenda një rrethi, mbart një histori të pasur që pasqyron bashkimin e dy gjigantëve të automobilave:...

Lajme të tjera

Web TV