Prof. Dr. Ago Nezha
Data 1 Nëntor, është një datë e shënuar për specialistët e bujqësisë, se në këtë datë ka ditëlindjen “Instituti Bujqësor”, që sot quhet “Universiteti Bujqësor”, nga ku kanë dalë me mijëra agronomë, zooteknik, veteriner, inxhinier pyjesh, ekonomist, etj. Specialistët e parë, rreth 30 vetë, nisën rrugëtimin në 1 Nëntor të vitit 1951, te një godinë te ish “Shkolla e Partisë. Numëri i tyre erdhi duke u shtuar dhe Instituti u instalua ku është sot në Kodër Kamëz. Në drejtimin e këtij Instituti ka pasur intelektual të shquar, që kishin mbaruar jashtë shtetit në universitete prestigjioze të perëndimit dhe të lindjes.
Në këtë festë jubilare ishin ftuar jo vetëm ish studentë dhe ish pedagog të këtij tempulli të dijes, si dhe përfaqësues nga gjithë universitetet e vendit, qofshin ata publik dhe privat. Nuk munguan as autoritete e vendit duke filluar nga Kryetari i Akademisë së Shkencave profesor Skënder Gjinushi, Ministrja e Arsimi Evis Kushi, ajo e Buqësisë. Frida Krifca, Ambasadori i Gjermanisë, dhe deputet e personalitete të ndryshme të arsimit dhe shkencës. Ceremonia e jubileut u çel me një kronik që i dedikohej 70 vjetorit të krijimit të Universitetit Bujqësor, por në të vërtetë flitej për një vjetorin e Universitetit Bujqësor, me ndonjë përjashtim. Në ekran na shfaqej rektori i sotëm Fatbardh Sallaku, duke u alternuar me Kryeministrin Rama, si të ishin në garë, por rezultati në fund të kronikës, doli barazim, tre me tre. “Histori rrënqethëse”. Pritëm me interesim të shikonim rektorët themelues, dhe pasuesit e tyre në vite, se flitej për 70 vjet, jetë dhe aktivitet, të institucionit më të rëndësishëm arsimor që ka përgatitur specialist për sektorin bazë të ekonomisë, siç është konsideruar Bujqësia. Në ekran nuk kishte vend për asnjë rektor tjetër me përjashtim të njërit që ishte i preferuari politikisht i Rektorit Sallaku. Deri këtu mund të besonim se është faji i libretit, që nuk ka përfshirë veprimtarinë 70 vjeçare të këtij Universiteti, nga krijimi e deri në ditët e sotme. Pasi dëgjuam fjalën elozhe, për ministra e Kryeministër, të rektorit, nuk pati asnjë rresht për paraardhësit e tij që kanë qenë korifenj të shkencës shqiptare. Si mund të lesh pa përmendur Gaqo Tashkon, Piro Dodbibën, Mentor Përmetin, e deri më të rinjtë Velesin Peçuli, Fatos Arizaj etj, që kanë qenë rektor në vite.
Gaqo Tashko, biri i patriotit Thanas Tashkos, me ndjenja të thella patriotike, la Egjiptin ku jetonte dhe erdhi në Shqipëri për të ndriçuar arsimin bujqësor. Nuk është e rastit që diploma e Institutit Bujqësor është njohur në gjithë vendet e botës. Një rektor si Gaqo Tashko do ta kishin zili dhe shumë universitete evropiane. Mjafton të sjell në vëmendje të lexuesit një episod nga një simpozium që është mbajtur në Romë për çështjen agrare, ku pasi referoi profesor Tashko, ju drejtuan pyetje nga koleg të vendeve të ndryshme në gjuhët frëngjisht, italisht, anglisht, gjermanisht dhe rusisht, dhe përgjigjet të pranishmëve ju dhanë respektivisht sipas gjuhëve përkatëse. Kjo ngjalli habi dhe ilaritet në sallë, se si është e mundur që një rektor i një vendi pak të njohur dhe kush e nxinte e mbanin si etalon të prapambetjes dhe injorancës, të prezantohet me një performancë kaq të lartë intelektuale.
Kam filluar studimet në vitin1966-1971, ku rektor gjeta profesor Gaqo Tashkon. Pata një rast që shkova në zyrën e Tij për një aktivitet të studenteve. Pasi mora miratimin e sekretares për të hyrë te rektori, trokita disi i ndrojtur te dera dhe u futa brenda. Mbeta i befasuar, kur Ai, personalitet i kulturuar dhe i moshuar, u ngrit në këmbë dhe më tha: “me kë kam nderin të bisedoj”. Ju prezantova dhe më ftoi të ulesha të bisedonim. Pasi mbaruam bisedën u ngrit përsëri në këmbë për të më përcjellë. Të jem i sinqertë, nuk ishim mësuar me një mirësjellje të tillë. Ky intelektual i ditur me sjellje aristokratike, të ngjallte respekt të veçantë. Pasi u nda nga jeta Gaqo Tashko, vendin e tij e zuri një tjetër profesor i ditur, shkencëtar i suksesshëm, Mentor Përmeti, që ruajti standardet e larta të Institutit Bujqësor dhe i zhvilloj ato më tej. Është vështirë të gjesh sot modele të tilla edhe sikur të dalësh si Diogjeni me fener në dorë në të gjithë universitetet e vendit, publike apo private.
Lektorët pasuan njëri tjetrin. Pas rektorit Sallaku e mori fjalën Ministre e arsimit znj.Kushi, e cila theksoi për marrëdhëniet e mira me Universitetin Bujqësor, veç të tjerave, theksoi se nuk kishte rënë dakord me rektorin për uljen e mesatares së notës për t’u pranuar në Universitetin Bujqësor, për të mbushur “ hambarët”, me studentë se misër e grurë nuk prodhojmë më, i marrim nga jashtë shtetit.
Pastaj e mori fjalën Ministre e Bujqësisë znj. Frida Krifca, që pasi lexoi fjalën përshëndetëse të Kryeministrit Rama, zbrazi arsenalin e saj “mallëngjyes” me impresionet që kishte përjetuar në Universitetin Bujqësor dhe na foli për sukseset e mëdha që ka arritur sektori i bujqësisë, si rrjedhojë e aftësive të specialistëve që ka nxjerrë ky universitet. Fjala përmbyllëse e saj ishte “mbreslënëse dhe drithëruese”, duke bërë thirrje, që sukseset e mëdha që kemi arritur: “mos t’i lemë në duart e sharlatanëve të medieve”. Është për të ardhur keq, që një togfjalësh grotesk të dalë nga goja e një ministre. Ministres i lejohen këto fjalë se nuk di dhe nuk e njeh fuqinë dhe rolin e medies, si pushtet i katërt. Në ditët e sotme, nuk ka asnjë medie bujqësore, se dhe revistën “Bujqësia Shqiptare” (që ministresha se njeh fare), dalë në dritë në 1 Tetor të vitit 1921, që në 1 Tetor të këtij viti do festonte 100 vjetorin e krijimit të sajë, dhe “Buletinin e Shkencave Bujqësore” që i kaloi të 50 vitet, u vuri rrulin Ministri Ruli dhe ministrat që pasuan, nuk u kujtuan më për nevojën e medies bujqësore. Minisitresha e Bujqësisë, t’i rrojë partisë dhe qeverisë.
Duke biseduar me zëvendësministrin Dhimo Kote, si një shtetar realist, që e njeh mirë prodhimin, si specialist i suksesshëm, e pranoi që komunikimi me fermerin është në ditë të hallit. Mesazhin për të kujtuar intelektualët e shquar të ngrehinës së arsimit bujqësor, e përcolli Kryetari i Akademisë së Shkencave, duke përmendur rektorin Mentor Përmetin dhe shkencëtarin e shquar Hysen Laçi, që duhej shoqëruar dhe me shumë emra të tjerë nga rektori i universitetit siç ishin Hysen Çobani, Ahmet Osja e shumë të tjerë. Gjenerata e pedagogëve të atyre viteve është e papësëritëshme në jetën e këtij institucioni. Rrallë vijnë pedagog si Akademiku Teki Tartari, me dije e kulturë multidimensionale, apo Llazar Treska, Dekani i Inxhinjerisë Pyjore, Vasil Tagari e Axhi Aliko te veterinaria, e shumë të tjerë, që po u hyj në hak, sepse lista është shumë e gjatë dhe mund të jetë objekt i një shkrimi tjetër. Ky pohim nuk është një nostalgji personale, por një realitet që e dëshmojnë të gjithë ata student dhe pedagog, që i kanë jetuar të dy kohët.
Këtu desha ta mbyll shkrimin se po të futesh në labirintet e Universitetit Bujqësor dhe të ministrisë së bujqësisë, kam shumë materiale të servirura nga pedagog dhe punonjës të Ministrisë së Bujqësisë, që mbajnë dhe piktorë në punë por s’kanë specialist bujqësie, por këto kërkojnë një cikël të thelluar shkrimesh, për të njohur realitetin konkret.