Shtëpia e Bardhë minimizon rëndësinë e takimit të Putin me presidentin kinez

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtëpia e Bardhë nuk i dha shumë rëndësi një takimi të premten mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku dy udhëheqësit shpalosën një aleancë strategjike të orientuar kundër Shteteve të Bashkuara.

“Ne mund të kontrollojmë marrëdhëniet tona dhe mbrojtjen e vlerave tona, si edhe përpiqemi të gjejmë mënyra për të punuar me vendet edhe kur nuk jemi dakord me ta,” u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Në takim, presidenti Xi mbështeti kërkesat e homologut të tij rus, Putin që t’i jepet fund zgjerimit të NATO-s dhe për të marrë garanci sigurie nga Perëndimi, çështje që kanë rezultuar në një ngërç mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj lidhur me Ukrainën. Ndërkohë Moska shprehu mbështetjen e saj për qëndrimin e Pekinit se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës.

Dy udhëheqësit u takuan në Pekin të premten pasdite, sipas televizionit shtetëror të Kinës CCTV, disa orë përpara fillimit të Lojëave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat u bojkotuan nga diplomatë të Shteteve të Bashkuara, Britania dhe vende të tjera për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Presidentët Xi dhe Putin, të cilët janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara për politikat e tyre të jashtme dhe të brendshme, lëshuan një deklaratë të përbashkët duke nënvizuar pakënaqësinë e tyre me “ndërhyrjen në punët e brendshme” të vendeve të tjera.

Deklarata e përbashkët shpalli një “miqësi” të re strategjike Kinë-Rusi që “nuk ka kufij” dhe të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat.

Stacie Goddard, Profesore e Shkencave Politike në Kolegjin Wellesley, thotë se shpallja e aleancës strategjike ka për qëllim t’i kundërpërgjigjet idesë se Moska dhe Pekini po veprojnë në mënyrë agresive ndaj Ukrainës dhe Tajvanit, duke pretenduar se përkundrazi janë Shtetet e Bashkuara që po ndërhyjnë në sferat e tyre të influencës.

“Ajo po thonë se janë Shtetet e Bashkuara që po përpiqen të ndryshojnë status quo-në,” i tha prof. Goddard Zërit të Amerikës. “Ata po e portretizojnë veten si vende që po i bëjnë ballë agresivitetit të Shteteve të Bashkuara.”

Konflikti po përshkallëzohet

Mosmarrëveshja e Moskës me Ukrainën rrezikon të përshkallëzohet në konflikt të armatosur.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pati një bisedë telefonike të premten me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba për të diskutuar mbi grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Lexo edhe :  U fundos para 170 vitesh, zbulohet në brigjet australiane anija e shekullit të XIX

Ai rikonfirmoi “mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Ukrainës” dhe bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të “imponojnë pasoja të shpejta dhe të rënda ndaj Rusisë nëse ajo zgjedh të përshkallëzojë” situatën, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.

Zoti Blinken u takua gjithashtu të premten me ministrin e jashtëm polak Zbigniew Rau në Uashington për bisedime dypalëshe. Në fillim të takimit, ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe falënderoi Poloninë për rolin e saj udhëheqës në krahun lindor të NATO-s.

“Ne preferojmë që Rusia të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe dialogut, por nëse nuk e bën një gjë të tillë, ne jemi plotësisht të përgatitur për skenarin e kundërt”, tha ai.

Të enjten, një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden tha se SHBA ka informacione që tregojnë se Rusia ka fabrikuar një plan për të organizuar një sulm të rremë në territorin rus dhe për ta paraqitur atë si sulm ukrainas, në mënyrë që ta përdorë si pretekst për një sulm kundër Ukrainës.

Zyrtari tha se administrata e zotit Biden po e bën publik faktin që Rusia po harton një plan të tillë, me shpresën që të parandalojë zbatimin e tij.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën planet për të dërguar 2,000 trupa të tjera në Evropë, shumica e tyre në Poloni dhe për të zhvendosur 1,000 trupa nga Gjermania në Rumani për të forcuar vendet e krahut lindor të NATO-s.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të enjten se dislokimi i trupave amerikane po rrit tensionet në rajon.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë po përgatisin sanksione ekonomike kundër Rusisë me shpresën që të bindin presidentin rus Vladimir Putin të tërheqë më shumë se 100,000 trupat që Rusia ka pranë kufirit me Ukrainën. Rusia ka mohuar të ketë në plan të pushtojë.

Rusia ka kërkuar që NATO-ja të tërheqë trupat dhe armët e vendosura në vendet anëtare të Evropës Lindore dhe të premtojë se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në aleancë.

NATO-ja dhe Ukraina i kanë hedhur poshtë këto kërkesa, duke thënë se çdo vend është i lirë të zgjedhë aleatët e vet.

Të fundit

Pas konfliktit të vjetër, ja si reagon Adelina Ismajli kur e pyesin për Leonora Jakupin

Këngëtarja e famshme Adelina Ismaili, ka njoftuar rikthimin në skenë me katër projekte muzikore të reja, në kuadër të...

Tri ditë vonesë, 90 kamionë me ndihma mbërrijnë në Gaza

Më shumë se 90 kamionë me ndihma humanitare nga Kombet e Bashkuara kanë mbërritur brenda Rripit të Gazës, tre ditë pas lehtësimit të një...

A do të ketë reshje shiu? Parashikimi i motit për ditën e nesërme

Ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash mesatare hera-herës deri të...

Qyteti i shkatërruar nga sëmundja e veçantë, të gjithë janë kushërinj

Në një nga zonat më të izoluara të Brazilit, në lokalitetin Serrinha dos Pintos, në veriperëndim të vendit, është zbuluar një përhapje shqetësuese e...

Portali i Berishës del blof, Rama nuk udhëtoi në Londër me ‘business class’

Portali i familjes Berisha ka publikuar një tjetër gënjeshtër të radhës, duke aluduar se kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij kanë udhëtuar drejt...

Lajme të tjera

Web TV