Mendimet e Jeronim de Radës mbi të bukurën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatlum Meholli

Vepra e De Radës me titull “Parime të estetikës”, në strukturën e saj përmbajtjesore nuk trajton vetëm çështje të estetikës, por në njëfarë mënyre kjo vepër është si një përmbledhje e mendimeve dhe ideve të autorit rreth problemeve të ndryshme qofshin ato filozofike, sociale, estetike, morale apo politike. Si pasojë e kësaj gjerësie, mund të shtrohet pyetja se pse vepra titullohet pikërisht “Parime të estetikës”, kur në vete përmban një shumëllojshmëri çështjesh dhe problemesh nga sfera të ndryshme, të cilat mundohet t’i qartësojë.
Sipas studiuesve , kjo vepër titullohet ashtu, për shkak se pjesa më e madhe e saj merret me çështjet specifike të estetikës. Pra, nëse lexohen të gjitha librat (pjesët) e veprës, mund të vijmë në një konstatim që pothuaj tri të katërtat e veprës trajtojnë problemet e ndryshme që në radhë të parë kanë të bëjnë me estetikën. Andaj, objekt trajtimi në këtë punim është pikërisht e bukura, si kategori bazike e veprës, e cila zë pjesën më të madhe të saj.
Duke i dhënë një rëndësi shumë të madhe estetikës, De Rada etikës nuk ia jep lirinë që të qëndrojë e pavarur, sepse, sipas tij, ajo është e lidhur fort me estetikën, ngaqë për De Radën, e mira si ekuivalent i të bukurës nuk cilësohet vetëm si vlerë e jashtme por ajo ka të bëjë edhe me të brendshmen apo me anën shpirtërore-morale. Në qoftë se e hetojmë veprën në tërësi, të bukurën si kategori estetike mund ta shohim në tri dimensione të ndryshme. Në radhë të parë De Rada të bukurën e lidh me natyrën ose me çdo gjë që është krijuar nga natyra/Zoti dhe qëndron e pavarur në hapësirën tokësore. Pastaj, De Rada të bukurën e lidh me njeriun si qenia më sublime tokësore, e cila paraqet një pjesë shumë të rëndësishme të të gjithë veprës. Sipas De Radës, e bukura te njeriu reflekton në pamjen e jashtme të tij, përkatësisht në fytyrën e tij, por e një rëndësie më të veçantë është e bukura e cila qëndron në etikën apo moralin e njeriut. Pra, siç e kemi përmendur edhe më lart, De Rada vlerën estetike të njeriut e lidh fort me anën etike, pa të cilën nuk mund të funksionojë në mënyrën e njëjtë. Gërshetimin e estetikës me etikën, përveç tjerash, mund ta argumentojmë me anë të këtyre fjalive:

E bukura është gjithmonë morale… Kudo qoftë e bukura ka gjithmonë karakter moral.
Mendja e dikton dhe e zbulon të bukurën dhe e vë në shërbim të shpirtit…

Lexo edhe :  Lamtumirë Pirro Milkani!

Përveç estetikës në natyrë dhe në qenien njerëzore, De Rada të bukurën e sheh edhe në arte të ndryshme, veçanërisht në letërsi. Si njohës i shkëlqyer dhe adhurues i letërsisë antike greke, padyshim që De Rada vlerën më të lartë estetike në arte ia jep veprave antike greke, veçanërisht tragjedive. Të bukurën në tragjedinë antike greke, De Rada e sheh pikërisht në strukturën kompozicionale dhe përmbajtjesore të saj, duke e cilësuar atë si bukuri ideale. Për të vërtetuar këtë që sapo theksuam, mund t’i citojmë këta rreshta:

Për të pasur një përfytyrim të qartë mbi bukurinë e përsosur, për të cilin po interesohemi, mund t’i drejtohemi tragjedisë greke, e cila vlerësohet sovrane për sa i përket bukurisë ideale.
Në këtë tip tragjedie vendin kryesor e zë jeta e njerëzve, që zbulohet me anë të veprimit, dialogëve dhe monologëve. Pra, ajo na zbulon bukurinë tipike të njeriut.

Pra, siç shihet, De Rada e vlerëson tejet lart tragjedinë antike greke, të cilën e vë në piedestalin e estetikës. Andaj, ky vlerësim ka ndikuar edhe në krijimtarinë letrare të vetë autorit, i cili ka krijuar veprat e tij madhore si “Këngët e Milosaos”, “Këngët e Serafina Topisë”, duke pasur parasysh pikërisht tragjikjen si kategori bazike të tragjedisë, e cila lidhet drejtpërdrejt me të madhërishmen si kategori estetike. E madhërishmja si kategori estetike lidhet me sakrificën dhe trimërinë njerëzore, dukuri këto që hetohen lehtë në tragjeditë letrare të De Radës, ku protagonistët kryesorë të veprave të tij luftojnë për të mirën e atdheut, për vendosjen e një barazie shoqërore (Milosao) ose sakrifikojnë lumturinë/dashurinë e tyre personale në të mirë të kolektivit (Serafina). Duke i pasur parasysh të gjitha këto, mund të vijmë në një përfundim që De Rada, në veprën e tij “Parime të estetikës” përveç që trajton çështje të tjera filozofike-teorike, vend kryesor në të zënë trajtimi i çështjeve ose kategorive bazike të estetikës. Pra, “Parime të estetikës” si një traktat teorik-filozofik është ndërtuar duke pasur për bazë teorinë e të bukurës, apo estetikën e cila shfaqet në natyrë, në qenien njerëzore dhe në arte. Me të gjitha çështjet, problemet, nocionet, llojet estetike të cilat i trajton, “Parime të estetikës” ka qenë dhe mbetet një nga veprat me një rëndësi tejet të madhe për zhvillimin e mëtejmë të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Të fundit

Lumi i Vjosës vizitohet nga turistë të huaj e vendas të pasionuar pas aventurës

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel pamje nga Lumi i Vjosës, i cilësuar si “lumi i fundit...

Mbyllet sezoni në Serie A/ Juve në Champions, fiton Roma , Lazio mbetet jashtë europës

U mbyll këtë të dielë Serie A. Juventus ia ka dalë që të kualifikohet në Champions League, pas fitores së vuajtur 2-3 ndaj Venezias....

Krimet në Gaza, 9 nga 10 fëmijët e doktoreshës palestineze vriten në sulmin ajror

Dr. Alaa al-Najjar i la dhjetë fëmijët e saj në shtëpi të premten kur shkoi në punë, në dhomën e urgjencës në Kompleksin Mjekësor...

Shqipëria e mbyll me zero pikë Europianin U-17, kuqezinjtë mposhten thellë nga Franca

Shqipëria U17 pëson disfatë 4-0 ndaj Francës, në ndeshjen e fundit të grupit të Europianit që po mbahet në vendin tonë. Francezët e mbyllën...

Ku ndryshon Berisha nga Rama? Na e tregon Belind Këlliçi

Belind Këlliçi komentoi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, edhe akuzat e disa prej kandidatëve të Partisë Demokratike, nga listat...

Lajme të tjera

Web TV