Për shqiptarët që kanë frikë të thyejnë ligjin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ligji është bërë për t’u thyer. Ndonjëherë për t’u shkelur me këmbë. E kur nuk të rri mirë në shtat, duhet ndryshuar. Sepse ligji, – sot e në të gjitha kohërat, – është si puna e Maliqit, që ca i merr me të mirë e i fërkon kokën, e ca të tjerëve ua bën kokën me xhunga. Por jo rrallë ky ligj ta pret gjuhën dhe të plas te “7 dritaret” dhe kur me hir të Zotit, nuk ke asnjë faj.

Të gjitha këto i bën ligji, e nuk ka aspak faj Maliqi, që është vetëm një ekzekutor i devotshëm i tyre.

Golja, – që në një dasmë fshati e morën me shqelma dhe e çuan në fund të sofrës, aty ku mund të hanin dhe qentë, – ishte aq kopan sa e uli qafën përpara nënprefektit të emëruar nga qeveria, që ai t’ia hipte në qafë e të kalëronte ku t’i donte qejfi.

-Qofsh me nder e me shëndet o zoti Maliq! Se punët e qeverisë janë të rënda. Nuk i kuptojmë dot ne. Ja, më merr mua. Po çfarë jam unë, një copë dru, një gdhë, – do të shprehej kaqoli Gole që mjaftohej me pak dhe barkun mund ta mbushte vetëm në raste dasmash.

Dhe një dasmor tjetër, që hynte tek kategoria e njerëzve që nuk rrinin dot pa u grindur ia ktheu:

-Lum si Golja që e di se ç’është. Si t’ia bëjmë ne të tjerët që s’e dimë?

Bashkë me të qeshurën kapërcehet dhe fyerja. Se tek e fundit, çudia më e madhe tre ditë zgjat.

Por, përplasja e forcave të kundërta janë ato që sjellin zhvillim, sepse veç Goles që ishte për “njeriun që duhet të rrijë urtë” dhe një tjetri që mbronte teorinë se “njeriu duhet të grindet, se po nuk u grind nuk është njeri” ka dhe një palë të tretë:

-As njëra, as tjetra, njeriu duhet ta dredhë.

Ja kështu, me një mizanskenë dy-tre-minutëshe, Dhimitër Anagnosti, si regjisori dhe skenaristi i filmit “Përrallë nga e kaluara” na jep sintezën e zhvillimit dy-tremijë vjeçar të njerëzimit.

Nëse ligji do të respektohej, dhe nuk do thyhej asnjëherë, ne do të vazhdonim të ishim nën mbretërimin e Sargonit të Akadit, që njihet dhe si mbreti i parë i një mbretërie që u themelua në Mesopotami 4000 vjet më parë. Ose të paktën nën mbretërimin e Hamurabit, që do të thotë se Dinastia Babilonase do të jetonte në të gjitha kohërat e nuk do t’i humbte firma edhe vula.

Por njeriu, si i grindur që është prej natyre, i ka thyer ligjet dhe i ka ndërruar ato, herë për t’i bërë më të mira, e herë më të këqija nga sa ishin. Por në të gjitha rastet kjo quhet evolucion përmes revolucionit. Dhe nga lashtësia na ka mbetur pako gjë, më saktë ajo që vazhdon të njihet dhe sot si “e drejta romake”.

Gjithmonë ka dhe do të ketë grupime të caktuara që veprojnë në kundërshtim me ligjin në fuqi, sidomos kur thika u shkon në palcë e s’kanë ç’të humbasin më. Kjo është një luftë e përhershme. Dhe ka fitues të ndryshëm. Ndryshe bota nuk do ecte përpara.

Nëse nuk do thyente ligjin, Spartaku do të vdiste si gladiator anonim para gjeneralit Markus Kasus në arenën e Kapuasë dhe jo i kryqëzuar përgjatë Via Apia, por si njeri i lirë dhe i kthyer në legjendë tashmë.

Lexo edhe :  Kur gënjen policia!

Në ditët e revolucionit, francezët e çuan Luigjin XVI në gijotinë, rrëzuan monarkinë e ngritën republikën, por nuk morën leje: A ta ngremë një barrikadë…? Thjesht dolën me armë rrugëve dhe ligji u thye dhe u copëtua. Kjo solli përparim, sepse e njëjta skenë do të përsëritej e do të dominonte në të gjithë Evropën. Përndryshe, askush nuk ulej nga froni me dëshirë, dhe një klasë sunduese do të ishte e përjetshme, po aq dhe në vitin 2022, ku do të kishte ende patricë e plebenj, barasvlershëm me ata të viteve para se të lindte Krishti.

Sot shqiptarët e kanë ulur kokën. Duket sikur nuk duan ta thyejnë ligjin. Janë të kujdesshëm. U duhet që për një protestë për ulje çmimesh e ngritje rrogash ta certifikojnë në polici: a do më japësh nja dy orë leje të kërkoj të drejtat e mija?

-Po, por me kusht të mos hedhësh parulla armiqësore dhe të mos e shash kryeministrin.

-Si urdhëron!

Mirëpo jetojmë kohën kur propaganda të bën gjëmën. Dhe të gjithë kanë mësuar pak nga i tmerrshmi Gëbels: Propaganda, propaganda, propaganda… tri herë propaganda.

Dhe para protestuesve që duan pak dinjitet më shumë nga ai që u shkelet përditë me këmbë, u thuhet: Jo kështu, se i bëhet qejfi armikut. S’e dini ju që ka plasur lufta???

-Një nxënës si Miri mësuese ne na turpëron të gjithëve. Ai kështu ua bën qejfin armiqve, borgjezëve dhe revizionistëve, – do të thoshte Edlira para klasës, duke mbajtur kështu një qëndrim therës ndaj shokut të klasës që ishte vonuar nja 10 minuta në mësimin e orës së parë e kishte grisur përparësen e zezë majë një muri.

-S’jam borgjez, s’jam revizionist. Jam shqiptar, – do të shkrehej mes ngashërimesh Miri, që u vu para përgjegjësisë nga “sekretarja e byrosë”.

Për herë të dytë në këtë shkrim na vjen në ndihmë mizanskena e ndërtuar prej regjisorit Anagnosti, por këtë herë huazuar nga filmi epope: “Në shtëpinë tonë”.

Mirëpo Edlira është rritur tashmë, ka shkuar me punë lart, në qeveri. Por mendimet i ka njëlloj, si ato të viteve ’70 kur luftonim me revizionizmin rus dhe social-imperializmin kinez. Miri po, katran me bojë… ja ashtu rrugëve të Tiranës duke kërkuar punë. Herë gjen, herë nuk gjen. Se nuk është as profesionist i shkreti, pa “punë ka sa të hanë qentë”. Prandaj sa herë del në demonstratë me xhepat bosh, Edlira del te shkallët e Kryeministrisë e i thotë:

-Miri, kot që proteston. Më mirë kthehu nga ke ardhur. Sepse ti kështu i bëni qejfin rusëve dhe Putinit.

Bravo për besë. Po që s’më kishte shkuar mendja hiç. Po hiç fare ama.

Dhe Mirit ose i duhet të kthehet në shtëpi e të shohë lajmet ku flitet për arritje dhe hapje të reja frontesh pune, ose i duhet të luftojë më fort.

Në fakt, revolucionet nuk kanë marrë leje në polici. Ata kanë heronjtë dhe dëshmorët e tyre. Si Gavroshi dikur për shembull… ose si Miri, nëse do të duhet nesër.

Prandaj ligji nuk duhet vendosur në kornizë ku të mos e prekë kush.

Ai është bërë për t’u thyer.

Të fundit

VIDEO/ Nga një gol për secilën skuadër, Milan dhe Roma ndajnë pikët në “San Siro”

Barazim 1-1 në sfidën mes Milanit dhe Romës në Serie A. Reijnders shënoi në minutën e 16-të, duke i...

“Ky as nuk ndërrohet”/ Livia flet për Laertin: Vesh të njëjtat pantallona…

Livia dhe Rozana kanë disktuar sot në shtëpinë e “Big Brother VIP 4” në lidhje me sjelljen e Laertit. Sipas Livias, Laerti nuk është afruar...

Kroacia mban zgjedhjet presidenciale, kush janë rivalët për president të vendit

Kroatët më 29 dhjetor zgjedhin presidentin e ri, teksa presidenti aktual Zoran Millanoviq, po prin sipas sondazheve. Rivali i tij kryesor në zgjedhjet presidenciale,...

“S’jemi si aleanca e qelbësirave”/ Alibeaj për zgjedhjet e 2025-ës: Synimi ynë….

Në zgjedhjet e kësaj pranvere, forcat e reja politike siç mund të jetë "Djathtas 1912", presin që të sigurojnë votën e atij që quhet...

Shqipëria, perla e fshehur evropiane…

Turizmi masiv në vende të njohura turistike në verën e vitit 2024, shkaktoi demonstrata të dhunshme, kryesisht në Spanjë, shkruan Noémie Dambrin në një...

Lajme të tjera

Web TV