AFRIM IMAJ/ “Kadri Hazbiu ka sabotuar fortifikimin e rajoneve kufitare, për të lënë shtigje të hapura për grupet diversioniste”.
Në seancën e datës 25 shtator 1983, tashmë në praninë e Rrapi Minos, prokuror i përgjithshëm, ish-ministri i Brendshëm, detyrohet të përgjigjej për akuza të tjera që i përkasin periudhës kur kryente detyrën e kreut të Mbrojtjes.
Këtë radhë janë shtatmadhorët e ushtrisë, Veli Llaka, Nazar Berberi, Halim Abazi, Qemal Gegollari e të tjerë, që e akuzojnë për shpërfilljen e rolit të partisë në njësi e reparte, për sabotimin e fortifikimit, për ndërprerjen e qëllimshme të punimeve në vendkomandën sekrete të Shtabit të Përgjithshme, për zvarritjen e organizmit të mbrojtjes kundërtanke etj.
Mohimi kategorik që Kadri Hazbiu u bën dëshmive të bashkëpunëtorëve të afërt dhe drejtuesve të lartë të ushtrisë për prokurorin e Përgjithshëm, të pranishëm në hetime, mbetet një përpjekje e dështuar për t’iu shmangur përgjegjësive penale.
I prerë në qëndrim, i kryqëzuar për sabotimin e vijës së partisë në fushën e mbrojtjes, Kadri Hazbiu akuzohet nga ushtarakët e lartë se ka bllokuar fortifikimin e brezit kufitar për të lënë të hapur shtigjet për vërshimin e armiqve të jashtëm në territorin e Shqipërisë.
Sakaq, Rrapi Mino që kryeson akuzën bëhet më i ashpër përball shpegimeve të Hazbiut, dhe ku, përveç dëshmive të ushtarakëve, i kujton atij se ka sabotuar urdhrin e Komandantit Suprem për t’i kthyer në bunkerë të lëvizshëm traktorët e parkut të makinave bujqësore.
Me aq sa shpjegohet përpara kryeprokurorit, ish-ministri i Mbrojtjes zbardh rrethanat, në të cilat ka punuar me korpusin e specialistëve përkatës për përmbushjen e këtij objektivi, i cili, siç vëren ai, për arsyet që dihen, mbeti një ide. Gjithsesi, akuza e traktorëve të destinuar për autoblinda, përbën vetëm një detaj nga skaneri që i ka bërë Hetuesia veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut, ku ajo për çështjen e fortifikimit mbetet më kryesorja.
Në pretencën e Rrapi Minos ngrihen pengesat që ka krijuar Hazbiu për betonizimin e rajonit të mbrojtjes së batalionit, për zhvendosjen e pozicioneve të zjarrit nga fusha në mal e deri te orientimi i gabuar që ka dhënë për të lënë zbuluar drejtimet kryesore të mësymjes së ushtrive të huaja ndaj vendit tonë…
28.9.1983 Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Qemal Gegollari, më datën 28.9.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Qemal Gegollarit dhe kam për të thënë se programet e përgatitjes së artilerisë bëheshin nga Drejtoria e Artilerisë dhe zv. ministrat përkatës. Mua nuk më është ngritur ndonjëherë se koha e caktuar për stërvitjen është e pamjaftueshme. Unë di se pozicionet e zjarrit të artilerisë e kanë aneksin për municionet. Për lagështirën në rastet e vërtetuara nuk e mbaj unë përgjegjësinë, por vetë repartet e artilerisë që duhet të mirëmbanin.
Projektet e pozicioneve të artilerisë janë përgatitur dhe miratuar nga strukturat përkatëse. Unë nuk kam bërë ndonjë ndryshim të këtyre projekteve. Le të shihen dokumentet. Organikat e artilerisë nuk janë shkurtuar pa studim e konsultim. Për kompletimin e tyre me ushtar aktiv ka pasur mendime të ndryshme dhe u vendos që të jenë aktivë aq sa duheshin dhe pjesa tjetër, rezervistë. Për artilerinë e batalionit në konsultimin e gjerë që u bë, u arrit në mendimin se ajo duhej reduktuar dhe nuk duhet të ishte tip standard në çdo batalion, por sipas drejtimit.
Ky studim u reflektua në strukturën që do t’i paraqitej Këshillit të Mbrojtjes në vjeshtë të vitit 1982. E vërteta është se me porosi të udhëheqësit, unë kam insistuar që të studiohet dhe të bëhet organizmi i mbrojtjes kundërtanke kudo.
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshmitë e bërë nga Halim Abazi me datën 29.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Halim Abazit dhe kam për të thënë se stërvitjet në korpuse e brigada bëheshin sipas idesë së përafërt të planit operativo-strategjik. Provat për gatishmërinë kanë qenë të vazhdueshme në të gjitha rangjet, mua kështu më është raportuar nga Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Operative dhe ky vetë si kryetar Dege.
Koordinimi i stërvitjeve me kufirin dhe forcat e brezit të Sigurimit bëheshin nga korpuset dhe kontrolloheshin nga Drejtoria Operative dhe vet ky. Nuk është e vërtetë që të kem qenë për teorinë e rrëshqitjes.
Për mbulimin e drejtimeve kryesore të lëna pas dore, siç ishin ai i Kukësit, Tropojës, Peshkopisë me objekt fortifikimin, janë dokumentet dhe le të shikohen. Kërkesa për kompletimin e fortifikimit me transhe, flasin dokumentet, nuk është lënë pas dore. Rishikimi i dislokimit të reparteve të gatishmërisë së përhershme është bërë me porosi të udhëheqësit dhe do t’i paraqitej atij gjatë vjeshtës së vitit 1982.
Studimi i strukturës së ushtrisë u bë me pjesëmarrjen e kuadrove të nevojshëm sipas miratimit të udhëheqësit. Nëse ka dal ndonjë sekret, unë nuk e di. Përllogaritjet në planin operativ ekzistues kanë qenë të fryra dhe për to kam dhënë shpjegime.
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshminë e bërë nga Veli Llakaj, datë 6.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Veli Llakës dhe kam për të thënë se për stërvitjet e mëdha kanë qenë Mehmet Shehu, Veliu dhe drejtues të tjerë të Ministrisë. “Shebenikun 80” e kishin përgatitur këta me kohë, unë kam qenë për stërvitjen e vogël me kompaktësim deri në batalion pranë shkollës së lirë dhe krahas kësaj të forcohej përgatitja e shtabeve dhe rrallë të bëheshin stërvitje në shkallë brigade me trupa.
Veliu ka hezituar për këtë lloj stërvitje, por megjithatë ka rënë dakord dhe kjo është reflektuar në programet stërvitore. Për prapambetjen e vendkomandave dhe të pikave të drejtimit, që thotë Veliu, unë di se është ecur sipas planit.
Nga ana ime është shtruar si detyrë që të studiohet projekti tip i pikave të drejtimit për t’i thjeshtuar ato në bazë të funksionit të tyre, sepse ashtu siç ishin ndërtuar, ishin një dublim i vendkomandës. Për këtë gjendje nuk mbaj unë përgjegjësi, pasi ato janë ndërtuar para se të shkoja unë ministër i Mbrojtjes.
Kur kam vajtur unë ministër i Mbrojtjes, kemi diskutuar thjeshtimin e objekteve betonarme, të përgatiten pozicione gjysmë të gatshme dhe t’u jepen prioritet transheve, punimeve fushore që të lidheshin qendrat e zjarrit. Kemi hequr disa pozicione betoni për artilerinë e transportueshme që ishin pa vlerë dhe të rrezikshme për konceptimin e luftës. Fortifikimin nga lart-poshtë e kam thënë unë të bëhet në zonat kodrinore për çdo rajon mbrojtjeje batalioni.
Kjo për mua ishte e drejtë, sepse endej pas numrit të qendrave të zjarrit, dhe jo në bazë të rajonit të mbrojtjes të çdo batalioni. Është e vërtetë që kam biseduar me Veli Llakën se na duhet të studiojmë disa rajone mbrojtëse batalioni, që kishin dendësi qendrash zjarri pa kriter, prej të cilave një pjesë mund të çmontoheshin në vend që të prodhoheshin të reja. Ky ishte një mendimi imi që e shpreha në gusht të vitit 1982, me të cilin ishte dakord edhe Veli Llakaj e që duhej studiuar me Shtabin e Përgjithshëm dhe Drejtorinë e Fortifikimit.
Për vendkomandën e Këshillit të Mbrojtjes (e quajtur “Fusha”) asgjë nuk është penguar nga unë. Veli Llakaj dhe Alfred Moisiu janë dërguar disa herë në këtë objekt dhe më kanë raportuar se çdo gjë ecën në rregull. Kishte mbetur vetëm problemi i administrimit nga Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes.
Nuk është e vërtetë të kem thënë unë që të futet në programet stërvitore rimarrja e qendrave të zjarrit përballë. Po kështu, nuk është e vërtetë t’i kem zvarritur unë raportet për Këshillin e Mbrojtjes, por janë zvarritur nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Veli Llaka. Radio-rrjeti që lidhej me repartet e garnizonit të Tiranës, ka ekzistuar me kohë.
Qëllimi ka qenë që të mos humbte drejtimi i këtyre reparteve në rast të ndërprerjes së ndërlidhjes telefonike. Veli Llakaj këtë e ka ditur prej kohe. Për komandantin e Brigadës së Saukut unë nuk e kam mbrojtur, por e kemi gjykuar kolegjialisht sipas rregullave dhe vendosëm ta heqim dhe e hoqëm…
Për aviacionin dhe flotën unë nuk kam penguar blerjen e materialeve të prapavijës. Për gjendjen e uzinave ushtarake Këshilli i Mbrojtjes është vënë në dijeni, sepse kjo ishte dhe metoda e punës sime. Unë s’jam marrë me emërimin e nuses së djalit të Mehmet Shehut dhe njëkohësisht të djalit të Llambi Peçinit, se propozimi ka dalë nga Drejtoria e Kuadrit, pavarësisht se në rastin e djalit të Llambi Peçinit mund të jetë firmosur shkresa nga ana ime.
Pyetje: Ç’ke për të thënë, i pandehur, për atë çështje që ka shpjeguar dëshmitari Janko Konomi?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Janko Konomit dhe kam për të thënë se është e vërtetë sa thotë Janko Konomi, se më ka informuar me një letër. Për projektin e objektit (është fjala për objektin e Uzinës së Eksplozivëve në Mjeks të Elbasanit, e cila u nderua pas shumë peripecive me teknologji suedeze, shënim) unë nuk di gjë, sepse kur kam vajtur unë ministër i Mbrojtjes, vepra jo vetëm ishte miratuar, por punohej në stil të gjerë për ndërtimin e saj.
Projekti, me sa di unë, është miratuar nga ish-ministri Mehmet Shehu, ish-zëvendësministri për sektorin e industrisë ushtarake dhe Niko Shuli, si drejtori përkatës (i Drejtorisë së industrisë ushtarake). Unë nuk di se kur është miratuar kjo vepër nga Këshilli i Ministrave, se nuk isha në atë kohë ministër i Mbrojtjes.
Nuk di se ç’përfundime ka dhënë zbatimi i projektit të kësaj vepre, nga se vijnë këto sabotime dhe nuk më janë ngritur çështjet siç i ngre tani Jankua. Sigurisht, këtu në këtë vepër ka sabotime të rënda, si e kuptoj unë, se për një vepër të tillë të madhe duhej të merrej më parë projekti që nuk e kishin blerë, se kushtonte dhe donte kohë. Kështu që ndërtimi i saj u bë me projekte të pjesshme, siç vinin nga Suedia. Konkretisht, pasojat e këtij sabotimi unë nuk i di, porse në këto kushte nuk ishte e mundur të përcaktoheshin drejt vlera dhe afatet dhe Instituti i projektimit u vu në vështirësi.
Për stërvitjet e mëdha ose të vogla e për komandantin e Brigadës së Saukut dhashë shpjegime në dëshminë e Veli Llakës. Për lëshimin e raketës kundërajrore në Fier, unë kam dhënë urdhër të hetohet ngjarja dhe fajtorët t’i jepeshin gjyqit. Për lëndë fiziko-kimike për vënien në gjumë kam pyetur në telefon Veli Llakën, nëse kemi të tilla.
U përgjigj se kemi. E porosita që t’i niste me helikopter bashkë me specialistët për në Çermë, ku ishte rrethuar diversanti Xhevdet Mustafa. Ato nuk u dërguan, se s’kishte të gatshme. Kështu më ka raportuar Veli Llakaj pas kthimit tim në zyrë. Pas kësaj, kam vënë për detyrë që të prodhohen lëndë të tilla që të jenë të gatshme pjekur për ingranimin e tyre në stërvitjet me trupa, këto janë nënvlerësuar nga Mehmet Shehu para se të vija unë. Për pushkën-shkop, pushkë e përgatitur nga Dhimitër Sherkua (mjeshtër i laureuar me çmimin e “Republikës” për teknologjinë e armatimit-shënim) për Mehmet Shehun kam porositur Veli Llakën, Nazar Berberin e Gaqo Pojanin, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, që të shohin se ç’armë janë prodhuar jashtë kontrollit e të shihet Dhimitër Sherkua në këtë drejtim.
Para vetëvrasjes së Mehmet Shehut, më ka thënë Dhimitër Sherkua se kam përgatitur një pushkë-bastun për t’ia dhënë Mehmet Shehut. I thashë që t’i mbajë dhe ai kështu bëri./Panorama.al