Berisha presion Ramës: Nuk mund të ketë ligj “anti-Berishë”

Ish kryeministri Sali Berisha foli për nismën e socialistëve lidhur me projektligjin që parashikon lënien jashtë Kuvendit të personave të shpallur “non grata”, si në rastin e tij. Berisha tha se nuk e shqetëson përmbajtja e këtij projektligji. “Në një tekst që kam parë unë nuk ekziston, por i ftoj ta bëjnë”, tha Berisha.

Sali Berisha tha se opozita duhet të marrë pjesë me koalicion në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke paralajmëruar një bashkëpunim me Partinë e Lirisë, të drejtuar nga Ilir Meta. “Koalicion unë vlerësoj se do të ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do jetë në këtë koalicion për Partinë Demokratike, aksionet e PD, ato të gjitha do të zgjidhen me primare. Ne nuk heqim dorë kurrsesi. Ne konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht”, tha kreu i PD në një konferencë për mediat. Berisha sqaroi edhe idenë e tij për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. “Cilido që është deputet i PD dhe dëshiron të kandidojë është i mirëpritur t’i nënshtrohet primareve. Kryetari i PD dhe Kryesia de facto nuk kanë më asnjë pushtet mbi kandidaturat që plotësojnë kriteret nga dekriminalizimi. Ata që plotësojnë kriteret do të jenë të mirëpritur në këtë garë”, tha Berisha.

Lustracioni, nisma “Anti-Meta”

Ndryshimet ligjore të socialistëve që synojnë heqje mandati për bashkëpunëtorët dhe të favorizuarit e ish-sigurimit të shtetit mund të kundërshtohet në Gjykatën e Strasburgut. Sali Berisha nuk është dakord me “lustracionin” që propozojnë të majtët, pasi sipas tij ligj i propozuar është i paplotë dhe nuk zbaton standardet e së drejtës europiane. Berisha tha se nuk e shqetëson përmbajtja e këtij projektligji. “Në një tekst që kam parë unë nuk ekziston por i ftoj ta bëjnë. Ka standarte evropiane të qarta, ka rezoluta për të gjitha këto, nëse do bëjnë një ligj anti Berishë, të provojnë, i siguroj se vrulli dhe hovi vetëm do të rritet. Në draftin e tyre që më kanë sjellë bashkëpunëtorët e mi ata kanë lustracionin”, tha ish kryeministri. Ai tha se: “Kemi qene dhe jemi dhe do jemi për lustracion, natyrisht për të mos bërë politike por për të qenë realist Gjykata e Strasburgut dhe Kom Venecias kanë disa standarde për këtë process jashtë të cilave sbën dot”, tha Sali Berisha. Socialistet sipas Berishës nuk duan të bëjnë lustracion të plotë, por po bëjnë një ligj nominal për Ilir Metën. Amendamentet ligjore të socialistëve parashikohen të jenë shtojcë e ligjit të dekriminalizimit”, tha ai.

Krimininaliteti në vend

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi ngjarjet e fundit kriminale në vend, ku disa persona kanë mbetur të vrarë në atentate dhe sherre për motive të dobëta. “Gjatë kësaj jave, shqiptarët kanë parë se rendi dhe siguria e tyre janë tërësisht në dorë të bandave dhe krimit. Në një hark kohor 12 orë u përgjakën rrugët e Elbasanit, Sarandës dhe Panajasë në Vlorë. Nuk duhet të marr hua një shprehje në të cilën policia rezulton për të numëruar gëzhojat, por dua të them se policia rezulton për të na thënë kryesisht se vrasësit u zhdukën në drejtim të paditur”, tha Berisha. “E vërteta është se, substrati i këtyre përgjakjeve, i këtyre vrasjeve, qëndron në faktin se janë bandat e krimit që kontrollojnë në çdo qelizë këtë shtet. Janë në një farë mënyre shteti real i këtij vendi. Ndërkohë, platforma zyrtare e Edi Ramës për luftën kundër krimit siç e dini është hani sa më shumë kokën e njëri-tjetrit. E thotë këtë një kryeministër i cili qeveris në një vend që ka firmosur Konventa Ndërkombëtare dhe e ka ndaluar me Kushtetutë dënimin me vdekje. Pra, atë që shteti e ka ndaluar, kryeministri i vendit ua lejon bandave dhe inkurajon bandat me thirrjet e tij për vrasje. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim, dënoj vrasjet e shëmtuara në rrugët dhe sheshet e qyteteve. Garantoj shqiptarët se qëndrimi ynë do të jetë zero tolerancë ndaj krimit. Ne do t’u japim bandave të qeverisë atë vend që meritojnë së bashku me qeverinë e tyre”, është shprehur Berisha.

Lexo edhe :  Zëvendës Ambasadorja e Britanisë në IEVP Fier: Projekte për rehabilitimin e të dënuarve

Pasaportat për invesitorët

Sali Berisha sulmoi nismën e re të qeverisë për të dhënë pasaporta shqiptare për investitorët e huaj, duke e quajtur një mënyrë për pastrimin e parave të krimit. “Pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje: “narko-trafikantë dhe kriminelë të të gjithë rajonit, Evropës dhe botës bashkohuni në Shqipëri”. PD deklaron se pas nisjes për legalizimin e kanabisit, ligjin për amnistinë fiskale, legalizimin e parave të krimit që hyjnë nga jashtë, pasaporta e artë është mekanizmi i tretë e i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën tokësore të drogës trafiqeve dhe krimit rajonal evropian dhe botëror. Pasaporta e artë, në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur nga ato qeveri dhe vende për të thithur investime të huaja. Kurse pasaporta e artë në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, Shqipëri, është kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve të pashpirtë të rajonit, Evropës e botës në Shqipëri, një kanal i zi për paranë toksike të bosëve të drogës dhe krimit, para e cila me kullat monumente nacionaliste korruptive si i ka quajtur shtypi ndërkombëtar në Tiranë po shkatërron pamjen, urbanistikën trafikun e mjedisin e saj”, tha Berisha në një konferencë për mediat. Berisha tha se përmes këtij ligji, Rama synon të pengojë ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian. “Përshëndes qëndrimin e Komisionit Europian i cili është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtyre praktikave. Dënoj me ashpërsinë më të madhe pasaportën e artë të Edi Ramës, si një thirrje për trafikantët, kriminelët, por edhe terroristët nga mbarë bota, paguani që të mblidheni në Shqipëri. Paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika me sa duket kanë edhe një qëllim të dytë politik, bllokimin e procesit të negociatave me BE. Është e vërtetë që konferenca e parë është mbajtur, sikundër që negociatat nuk janë hapur në kuptimin që procesi do rifillojë pas disa shqyrtimeve që do të bëhen gjatë këtyre muajve në një konferencë të dytë. Ka një mënyrë për ta shtyrë në kalendar konferencën e dytë, është kjo që bën Edi Rama me pasaportën e artë dhe dhënien me koncesion të shtetësisë. E paralajmëroj në mënyrë serioze se këto praktika do të kundërshtohen me të gjithë potencialin që ka opozita. Sikundër, paralajmëroj çdo person, aplikimi mbi bazën e kësaj praktike nuk do të njihet nga opozita shqiptare. Ndaj të mos bien pre e një skeme të madhe mashtrimi. Ky është qëndrimi i PD ndaj këtij procesi në të cilën Edi Rama kërkon të forcojë pushtetin e tij nëpërmjet krimit, drogës dhe mafies”, tha Berisha.