Për dekada me radhë, Presidenti rus Vladimir Putin e paraqiti veten si garantues të stabilitetit në vendin e tij.
Por në 70 vjetorin e tij, ai e gjen veten në qendër të stuhisë, mes humbjeve ushtarake në Ukrainë, arratisjeve në masë pas urdhrit të tij për mobilizim dhe përplasjeve në komandën e lartë ushtarake të vendit.
I hedhim një vështrim rrugëtimit të presidentit rus nga zotimi për stabilitet tek kërcënimi bërthamor.
Presidenti rus e ka përshkruar qeverisjen e ish-presidentit Jelcin, si një kohë mosmarrëveshjesh dhe rënieje, kur miliona rusë u zhytën në varfëri ndërsa pasuritë kombëtare u grabitën nga manjatë të lidhur me Kremlinin si edhe nga Perëndimi.
Stanislav Belkovsky është konsulent politik me përvojë dhe e njeh nga afër regjimin e Kremlinit.
“Ai ishte figura që iu përgjigj ndjenjës popullore për shpagim historik që mbizotëronte në fund të viteve 1990 – për shkak të poshtërimit të lidhur me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe problemeve kolosale social-ekonomike të fundit të viteve 1990”, thotë ai.
Rusët, të lodhur nga një dekadë trazirash politike dhe ekonomike post-sovjetike, përqafuan me entusiazëm premtimet e presidentit për të rikthyer madhështinë e Rusisë.
“Së pari duhet të pranojmë se rrëzimi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit. Dhe ishte një dramë e vërtetë për popullin rus”, shprehej në atë kohë presidenti rus, Putin.
Qytetarët rusë mbetën përgjithësisht indiferentë ndaj lëvizjeve të tij për të kufizuar liritë politike në periudhën post-sovjetike mes mirëqenies ekonomike të siguruar falë naftës.
Por situata ndryshoi pas krizës financiare globale të vitit 2008, që çoi në një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe tkurrje të të ardhurave.
Megjithatë gjendja e qytetarëve rusët vazhdonte të ishte shumë më e mirë, krahasuar me rënien ekonomike të viteve 1990.
Në fillim të mandatit të tij, presienti Putin u përpoq të kultivonte lidhje më të ngushta me Perëndimin dhe madje edhe konsideroi mundësinë që Rusia të bashkohej me aleancën ushtarake të NATO-s.
Por më pas ai ndryshoi kursin e politikës së tij, duke sfiduar SHBA-në dhe aleatët e saj.
Një moment kyç ishte rimarrja e presidencës në vitin 2012, pas një periudhe katërvjeçare si kryeministër, për shkak të kufizimeve të mandatit.
Presidenti i zgjedhur prej tij, Dmitry Medvedev, i nënshtruar ndaj shefit të vet, dha dorëheqjen pas një mandati, duke shkaktuar protesta masive kundër kthimit të zotit Putin në presidencë.
Presidenti Putin akuzoi SHBA-në për nxitjen e protestave në Moskë dhe u përgjigj duke ashpërsuar goditjen ndaj disidencës në vend dhe duke përqafuar një kurs më agresiv jashtë vendit.
Gazetari Mikhail Zygar ka pasur kontakte të vazhdueshme me elitën e Kremlinit dhe ka botuar një libër për presidentin Putin dhe rrethin e tij.
“Dimri i viteve 2011-2012, Sheshi Bolotnaya, gjithë ato tubime masive – ishin momenti i fundit i një jete të mirë dhe e fashiti shpresën se mund të shmangej një fund i tmerrshëm dhe i errët. Për mendimin tim gjithçka që ka ndodhur që nga viti 2012 është një rënie e vazhdueshme”, thotë ai.
Në vitin 2014, presidenti Putin mori vendimin për aneksimin e Gadishullit të Krimesë. Ai gjithashtu mbështeti lëvizjen separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore.
Ndërhyrja e Moskës në Ukrainë i çoi marrëdhëniet me Perëndimin në nivelet më të ulëta të pas Luftës së Ftohtë dhe përpjekjet e përsëritura për të negociuar një zgjidhje politike për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainën lindore, dështuan.
Tensionet u rritën në vjeshtën e vitit 2021, kur presidenti Putin i dha një ultimatum perëndimit, duke i kërkuar që ta hidhte poshtë zyrtarisht kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe të tërhiqte forcat e aleancës nga Evropa Lindore.
Kur perëndimi refuzoi kërkesat e tij, presidenti rus filloi atë që ai e quajti një “operacion special ushtarak” më 24 shkurt.
Qytetarët rusë kanë mendime të ndryshme për luftën.
“Së pari, ai është presidenti ynë, ne (rusët) besojmë tek ai. 70 vjeç nuk është ndonjë moshë aq e madhe për t’u dekurajuar”, thotë banori i Moskës Vladimir Mironov.
“Situata në Ukrainë është e njohur për të gjithë, mendoj unë. Pasojat e kësaj situate si mobilizimi nuk kanë një efekt pozitiv, për fat të keq”, thotë Anastasia.
E pyetur se çfarë do t’i uronte presidentit Putin, ajo thotë se do t’i uronte “shëndet të mirë mendor.”
Shpresat e presidentit rus për një fitore të shpejtë u fashitën përballë rezistencës së fortë ukrainase dhe mbështetjes ushtarake miliarda dollarëshe për Ukrainën nga aleatët perëndimorë.
Ai ka sinjalizuar vazhdimisht se mund të përdorë armët bërthamore, një paralajmërim që është në kontrast të thellë me premtimin e tij për rikthimin e stabilitetit që e ka përsëritur vazhdimisht gjatë regjimit 22-vjeçar.
Andrei Kolesnikov, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Carnegie, i cilëson kërcënimet bërthamore si një reflektim i dëshpërimit në rritje të presidentit rus.
“Ky është hapi i fundit për të, në një farë kuptimi është vetëvrasje. Ai është i gatshëm për këtë hap, që do të thotë se po shohim një diktator që do të thoja është edhe më i keq se (Josip) Stalini”, thotë ai.
SHBA dhe aleatët e saj kanë thënë se po i marrin seriozisht kërcënimet e Putinit, por nuk do të dorëzohen përballë atij që ata e quajnë një shantazh për të detyruar Perëndimin të braktisë Ukrainën.
Dhe Ukraina është zotuar se do të vazhdojë kundërsulmin e saj pavarësisht retorikës ruse./voa