Shkak lagështia/ Katër aksidente në më pak se 3 orë, 7 të plagosur

Katër aksidente janë regjistruar në më pak se 3 orë në rrugët e Shqipërisë ditën e sotme.

Shkak janë bërë reshjet e shiut që kanë qenë prezente gjatë gjithë ditës dhe në të gjithë territorin e vendit tonë.

Nga ora 18:20, e deri në orën 21:20 kanë ndodhur 4 aksidente, ku për fat të mirë nuk ka pasur viktima.

Fillimisht në aksin Peqin – Elbasan, pas një parakalimi të gabuar dy makina u përlasen “ kokë më kokë” duke lënë të  plagosur 3 persona.

Pak minuta më vonë një tjetër aksidenti u regjistrua në aksin Fier –Lushnje. 3 makina u përfshinë ku njëra përfundoi e përmbysur, ndërsa deri më tani nuk bëhet me dije për të plagosur apo viktima.

Rreth orës 20:00, në afërsi të Pikës Kufitare Kapshticë, një mjet doli nga rruga, e për pasojë dy persona mbetën të plagosur.

Vetëm pak  minuta më parë, në një prej akseve më të rrezikshme të vendit, Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur “Kthesa e Murrashit” ndodhi një tjetër aksident me dy të plagosur.