11 urdhër-arreste u firmosën nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, për inceneratorin e Fierit, 10 arrest në burg dhe 1 në arrest shtëpie. Për 5 prej tyre vendimi u ekzekutua, teksa 5 të tjerë janë jashtë territorit të vendit. Nga hetimet e SPAK rezultoi se janë pasqyruar shërbime që nuk janë kryer në vlerën e 4 milionë eurove. Pas Inceneratorit të Elbasanit, Koka dhe Bllako akuzohen edhe për Fierin.
Policia e Shtetit po ekzekuton disa urdhërarreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK për llogari të hetimit të inceneratorit të Fierit. Sipas burimeve, në total janë 11 urdhërarreste. Pesë prej tyre, rezulton të jenë jashtë territorit shqiptar. Paralelisht po operohet edhe me kontrollin e disa banesave. Masat e arrestit janë dhënë për Juri Ymerajn, Arbër Denizin, Silvestër Drezën, Gentian Ziflën, Enver Sheshin, Arjola Kodrën, Robert Shabanin, Regan Merdanin, Luran Dushën, Arben Dervishajn. Ku pesë prej tyre janë vënë në pranga. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka dhënë detaje në lidhje me lëshimin e 10 urdhërarresteve dhe një mase arrest shtëpie për inceneratorin e Fierit. Këta persona akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. 11 urdhërarreste çuan në pranga 5 persona të përfshirë në aferën e incineratorit të Fierit, ndërsa 6 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim pas dyshimeve të prokurorisë se kanë marrë shuma deri në 4 milionë euro për të raportuar punime të pakryera. Nga hetimet ka rezultuar se fillimisht Ministria e Mjedisit ka bërë pagesa në drejtim të shoqërisë koncesionare të zotëruar nga Klodian Zoto në shumën e 4 milionë eurove, ndërsa Zoto si aksioner kryesor i shoqërisë ka pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara për shërbime që nuk janë kryer në këtë vlerë. Mes personave të shoqëruar është dhe Arben Dervishaj. Sipas hetimeve të SPAK, Arben Dervishaj në rolin e mbikëqyrësit të punimeve ka konfirmuar se janë kryer punimet në inceneratorin e Fierit, ndërkohë që nga hetimet e thelluara ka rezultuar që punimet nuk kanë qenë si janë deklaruar prej tij. Gjithashtu, sipas akuzës kanë rezultuar të dhëna se Klodian Zoto, dhe disa prej të arrestuarve të tjerë si Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani kanë vënë në funksionim dhe skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar. Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i ka shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59.915.020 milione lekë. Në lidhje me hetimet per inceneratorin e Fierit, në burg është ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Të dy dyshohet se kanë përfituar shuma parash për të favorizuar kompaninë në emër të Zotos dhe Stela Gugalljas, të dy të shpallur në kërkim. Për inceneratorin e Fierit janë arrestuar më parë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako. SPAK pretendon se ish-ministri Koka, ish-sekretari i përgjithshëm Bllako dhe Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, kanë paraqitur dokumente false në Këshillin e Ministrave, duke pretenduar se toka ishte “tokë truall”, në një kohë që në të vërtetë ishte “tokë arë”. Bazuar në dokumentet false, qeveria ka lëvruar fondin prej 46 milionë lekë të rinj për shpronësimin, duke shkaktuar gati 16 milionë lekë dëm në buxhet. Për mënyrën e lëvrimit të fondeve shtetërore për korrupsionin në Inceneratorin e Fierit kompania koncensionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Energy” sh.p.k. dhe kompania zbatuese “Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë përdorur një skemë të njëjtë me atë të Inceneratorit të Elbasanit.
Inceneratori i Elbasanit
Prej pak ditësh, SPAK i dha fund hetimit edhe për inceneratorin e Elbasanit. Pas biznesmenëve Klodian Zoto dhe Steta Gugallja, të shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, SPAK ka ngritur dyshime edhe për biznesmenin Mirel Mërtiri. Sipas SPAK, nga hetimi i rastit provohet fakti dhe krijohet bindja se Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i parave”. Fakti del në dritë në aktakuzën e ngritur dhe komunikuar zyrtarisht nga SPAK ndaj ish-ministrit Lefter Koka, të akuzuar për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” e “pastrim të parave” dhe dy biznesmenëve Zoto e Gugallja. SPAK ka rënduar pozitën penale edhe për ish-deputetin Alqi Bllako. Ndonëse po qëndron në qeli si i dyshuar për inceneratorin e Fierit, Bllako dyshohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për atë të Elbasanit. SPAK akuzon ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit për “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim me ish-eprorin e tij, Lefter Koka, si edhe pesë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit.